A do të zgjatet skema e biletës 9 euro? Një politikan gjerman propozon biletë prej 1 euro në ditë

Bileta 9 euroshe hekurudhore të Gjermanisë në muaj ka rezultuar kaq e suksesshme, saqë qeveria është nën presion për ta zgjatur skemën që prezantoi në muajin qershor.

Kjo biletë e mirësubvencionuar është në ofertë deri në fund të gushtit dhe u jep të gjithë banorëve dhe vizitorëve gjermanë udhëtime të pakufizuara me transport rajonal.

Një numër vendesh të tjera evropiane gjithashtu i kanë bërë trenat më të lirë si një mënyrë për ta trajtuar krizën e kostos së jetesës dhe atë të energjisë.

Spanja fitoi një mbështetje të gjerë javën e kaluar për bërjen pa pagesë të të gjithë trenave me distanca të shkurtra dhe të mesme nga shtatori deri në dhjetor – një marrëveshje edhe më e mirë për financimin e një takse të papritur mbi bankat dhe kompanitë e energjisë.

Pra, cila është lëvizja e radhës e Gjermanisë? Ministri-Presidenti i Bavarisë, Markus Söder ka propozuar një ofertë edhe më bujare prej 1 euro në ditë udhëtim me tren.

Në një intervistë me gazetën gjermane Bild të dielën, ai tha: “Problemet e vërteta do të vijnë në vjeshtë. Pastaj çmimet rriten përsëri.

“Sugjerimi im do të ishte një biletë vjetore 365 euro për të gjithë transportin publik lokal në të gjithë Gjermaninë.”

Ministria Federale për Dixhitalizim dhe Transport (BMDV) nuk eka komentuar sugjerimin e presidentit bavarez. Është e qartë, megjithatë, se publiku dëshiron ta shohë zëvendësimin e biletës me një masë tjetër për ta bërë udhëtimin me tren më të lehtë dhe më të lirë.

Sa i suksesshëm ka qenë projekti i Gjermanisë “Bileta 9€”?

Bileta aktuale ka çuar në një rënie të bllokimit në rrugë në 23 nga 26 qytetet e ekzaminuara si pjesë e një analize paraprake nga specialisti i të dhënave të trafikut Tomtom për Agjencinë Gjermane të Shtypit muajin e kaluar.

“Udhëtarët humbën më pak kohë me vetura për në dhe nga puna në qershor sesa në maj në pothuajse të gjitha qytetet e anketuara,” tha eksperti i trafikut Ralf-Peter Schäfer, duke përfshirë ata në Hamberg dhe ëiesbaden.

Rreth 21 milionë bileta prej 9 eurove janë shitur vetëm në qershor, tregojnë shifrat e Shoqatës së Kompanive Gjermane të Transportit (VDV). 

“Numri prej 30 milionë biletash në muaj i llogaritur më parë nga industria jo vetëm që është arritur, por edhe pak i tejkaluar”, tha Presidenti i VDV Ingo ëortmann.

Dhe, sipas sondazheve javore të 6,000 përdoruesve të transportit publik nga transportuesi hekurudhor kombëtar Deutsche Bahn dhe VDV, një në pesë persona janë inkurajuar të kalojnë në transportin publik për herë të parë.

A ka gjasa që Gjermania ta prezantojë një ‘biletë klimatike’ të re në muajin shtator?

Popullariteti i biletës “rrit presionin se çfarë duhet bërë pasi të përfundojë skema”, tha drejtori menaxhues i VDV, Oliver Wolff për gazetën britanike Guardian.

Një propozim nga shoqata është që të lansohet një biletë e re 69 euro në muaj e quajtur “bileta klimatike” (ose Klimaticket), e ngjashme me biletën e Austrisë me të njëjtin emër. ëolff thotë se kjo do të drejtohej veçanërisht për “shoferët e makinave që janë të gatshëm të paguajnë”.

Është pak më pak ambicioze se ideja e Söder-it, por me një kosto prej 2 miliardë euro në vit, Wolff pretendon se është financiarisht e realizueshme me pjesën e mbetur të fondeve që qeveria kishte caktuar për rikuperimin e COVID. Ai shton se shefat e udhëtimit janë të gatshëm të pajtohen me marrëveshjen me mbështetjen e qeverisë.

Megjithatë, ekziston gjithashtu nevoja për të investuar në rrjetin hekurudhor të Gjermanisë, në mënyrë që të mund të përballojë më shumë udhëtarë. Pa këtë, projekti popullor prej 9 eurosh rrezikon të shikohet si një “urra e fundit” për transportin publik, ka thënë Shoqata Gjermane e Qyteteve dhe Komunave./Euronews

Përgatiti:  Nuhi Shala