984 raste aktive me Covid-19 në Kosovë

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), ka njoftuar se dje janë testuar gjithsej 456 mostra të marra nga Klinika Infektive dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, ku me SARS-CoV-2, janë konfirmuar 82 raste.

Sipas institutit, rastet pozitive janë nga: komuna e Prishtinës 41, komuna e Gjakovës 14 raste, komuna e Vushtrrisë 7 raste, komuna e Prizrenit 5 raste, komuna e Ferizajt 3 raste, komuna e Vitisë 3 raste, komuna e Podujevës 2 raste, komuna e Fushë Kosovës 2 raste dhe me nga 1 rast komunat: Klinë, Lipjan, Obiliq, Mamushë dhe Rahovec.

“Sot më 19 qershor 2020, janë shëruar 7 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 980 raste. Në javën e fundit kemi shfaqje të rasteve pozitive në mesin e punëtorëve të organizatave si: Posta e Kosovës, KEK, KEDS, Galeri e arteve, institucione bankare, shëndetësore, agjensione, kompani tregtare dhe biznese private. Nga data 08 shkurt deri më 19 qershor 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 20.662 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre pozitive rezultojnë gjithsej 1.998 raste, me gjithsej 34 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese. Në IKSHPK në vazhdimësi përgjatë 24 orëve janë duke u kontaktuar dhe mbikëqyrë të gjitha kontaktet e rasteve, si dhe kontaktet e kontakteve duke i obliguar për vetizolim dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse kanë simptome”, thuhet në njoftim.

Në nivel global, nga data 31 dhjetor 2019 deri më 19 qershor 2020 sipas Worldometers, janë raportuar gjithsej 8.680.002 raste të COVID-19 dhe 458.852 raste të vdekjes.