25-vjetori i çlirimit, Kurti: NATO është destinimi ynë ushtarak

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka cilësuar 12 qershorin si datë historike për përcaktimin e të ardhmes së Kosovës.

Gjatë një fjalimi në Kuvendin e Kosovës, ai tha se në këtë ditë, 25 vjet më parë, mijëra trupa ushtarake të NATO-s, filluan ta kalojnë kufirin dhe të futen si trupa këmbësorie në territorin e Kosovës.

“Kjo erdhi pas një fushate 78 ditore të bombardimeve të NATO-s mbi Jugosllavinë në përpjekje për ta ndaluar spastrimin etnik dhe gjenocidin që shteti serb po e kryente mbi shqiptarët në Kosovë”- deklaroi Kurti.

Sikur atëherë, edhe sot, sipas tij, Serbia rri e rreshtuar mbrapa Rusisë, kurse Kosova dhe populli i saj bashkë me Shqipërinë ka forcuar lidhjet e saj me SHBA-të, Britaninë e Madhe, Gjermaninë e Turqinë.

“BE është familja jonë e synuar politike, kurse NATO është destinimi ynë ushtarak, andaj sot po e festojmë 25 vjetorin e çlirimit tonë bashkë me aleatët tonë njësoj si me 12 qershor dhe njësoj sikur në ditët e para të çlirimit” – u shpreh Kurti

Në këtë 25- vjetor të çlirimit, ai ka përkujtuar dëshmorët dhe luftëtarët që ranë në luftën e Kosovës.

“I kemi përkujtuar ushtarët e heronjtë dhe betejat e tyre të lavdishme të Ushtrisë Clirimtare të Kosovës. I kemi përkujtuar të vrarët dhe viktimat e gjithë atyre masakrave. I kemi përkujtuar të zhdukurit me dhunë, viktimat e përdhunimit e torturimit, të burgosurit dhe pengjet e luftës. I kemi kujtuar dëmet e shkatërrimet, plaqkitjet e djegiet. I kemi përkujtutuar dhe dënuar krimet ndaj njerëzimit, spastrimin etnik dhe gjenocidin që Serbia e kreu në Kosovë” – tha tutje Kurti

Në seancën solemne kanë marrë pjesë diplomatë nga shtete të ndryshme.

25 vjet më parë, më 12 qershor 1999, trupat paqeruajtëse të NATO-s hynë në Kosovë pas një fushate ajrore 78-ditëshe kundër caqeve ushtarake e policore serbe. Me futjen e tyre në “tokën e djegur”, iu dha fund luftës së nisur në vitin 1998, mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave okupuese serbe.

Hyrja e trupave të NATO-s u bë pas Marrëveshjes së Kumanovës e cila u arrit më 09.06.1999, ndërmjet zyrtarëve serbë dhe autoriteteve të NATO-s, të udhëhequra në atë kohë nga gjenerali britanik, Mike Jackson. Me këtë marrëveshje, Serbia pranonte kapitullimin dhe detyrohej t’i tërhiqte të gjitha forcat policore dhe ushtarake nga Kosova.