Foto: Bill Clinton/X

25-vjetori i çlirimit - Clinton risjellë momentin kur e kishte shpallur luftën të përfunduar në Kosovë

Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton në 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës ka risjellur momentin kur kishte shpallur përfundimin e luftës në Kosovë, më 1999.

Sipas ish-presidentit amerikan, ndërhyrja e trupave paqeruajtëse të NATO-s në luftën e fundit në Kosovë çoi në pavarësinë e vendit, më 2008.

“25 vjet më parë, Shtetet e Bashkuara udhëhoqën aleatët e NATO-s në një fushatë ajrore që i dëboi me sukses forcat serbe, duke përfunduar një dekadë të represionit dhe një fushatë brutale të spastrimit etnik, duke i dhënë fund luftës në Kosovë. Aksioni ushtarak ndihmoi për të rivendosur vetëqeverisjen për provincën dhe çoi në pavarësinë e Kosovës në 2008” – ka shkruar ish-presidenti Clinton, në platformën X.

Ndërsa, në momentin kur kishte shpallur përfundimin e luftës në Kosovë, më 10.06.1999, Clinton kishte theksuar se ata iu përgjigjen dhunës në Kosovë që ishte një kulminacion i 10 vjetëve fushatë të udhëheqësit të Serbisë të asaj kohe, Sllobodan Millosheviq.

“Sonte, për herë të parë në 79 ditë, qiejtë mbi Jugosllavinë janë të qetë. Ushtria dhe policia serbe po tërhiqen nga Kosova. Një milionë burra, gra dhe fëmijë të përzënë nga toka e tyre janë duke u përgatitur për t’u kthyer në shtëpi. Rezultati do të jetë siguria dhe dinjiteti për popullin e Kosovës, arritur nga një aleancë që qëndroi bashkë me qëllim dhe vendosmëri. Kjo fitore e bën edhe më të mundshme që ata të zgjedhin një të ardhme të demokracisë, trajtim i drejt i minoriteteve dhe paqe. Ne duhet të kujtojmë se dhuna që ne iu përgjigjëm në Kosovë ishte një kulminacion i 10 vjetëve fushatë nga Sllobodan Millosheviq, udhëheqësi i Serbisë, për t’i shfrytëzuar dallimet etnike dhe fetare në mënyrë që të imponojë vullnetin e tij në tokat e ish-Jugosllavisë” – kishte deklaruar Clinton, më 10.06.1999.

Më tej, Clinton u kishte shprehur mirënjohje trupave ushtarake amerikane dhe të NATO-s për kontributin e tyre në Kosovë.

“Dua të shpreh mirënjohjen time të thellë ndaj burrave dhe grave të forcave tona ushtarake dhe ndaj atyre të aleatëve tonë (të NATO-s). Ditë pas dite, natë pas nate, ata fluturuan duke rrezikuar jetët e tyre për t’i sulmuar targetët e tyre dhe për të shmangur viktima civile në një botë shumë të ndarë nga frika mes njerëzve të grupeve të ndryshme racore, etnike dhe religjioze, ne u kemi dhënë besueshmëri miqve të lirisë dhe pauzë atyre që do të shfrytëzonin dallimin njerëzor për qëllime çnjerëzore. Amerika ende ballafaqohet me sfida të mëdha në këtë botë, por ne presim t’i përmbushim ato” – kishte thënë Clinton.

25 vjet më parë, më 12 qershor 1999, trupat paqeruajtëse të NATO-s hynë në Kosovë pas një fushate ajrore 78-ditëshe kundër caqeve ushtarake e policore serbe. Me futjen e tyre në “tokën e djegur”, iu dha fund luftës së nisur në vitin 1998, mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave okupuese serbe.

Hyrja e trupave të NATO-s u bë pas Marrëveshjes së Kumanovës e cila u arrit më 09.06.1999, ndërmjet zyrtarëve serbë dhe autoriteteve të NATO-s, të udhëhequra në atë kohë nga gjenerali britanik, Mike Jackson. Me këtë marrëveshje, Serbia pranonte kapitullimin dhe detyrohej t’i tërhiqte të gjitha forcat policore dhe ushtarake nga Kosova.

25 vjet nga ajo ditë, misioni i NATO-s, KFOR-i, vazhdon të menaxhojë situatën e sigurisë, si në jug, ashtu edhe në veri të Kosovës.

Për shënimin e përvjetorit të lirisë, në Kuvendin e Kosovës, më 10.06.2024, u organizua një seancë solemne, ku i ftuar ishte ish-kryeministri britanik, Tony Blair, i cili vlerësohet si njëri nga mbështetësit më të mëdhenj të Kosovës, krahas ish-presidentit amerikan, Bill Clinton.

Blair tha para deputetëve se “bombardimet e NATO-s, 25 vjet më parë kundër forcave jugosllave për të ndalur dhunën në Kosovë, ishin gjëja e duhur për t’u bërë”.

“Ne ndihmuam dhe nuk jam penduar kurrë për këtë”- u shpreh Blair.

Në 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës, presidentja Vjosa Osmani ka pritur në takim presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj.

Ndërsa, më 10.06.2024, për 25 vjetorin e çlirimit të saj, Kosova u vizitua edhe nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Kurse për datën e sotme, më 12.06.2024, Rama ka uruar Kosovën përmes rrjetit social Facebook.

“Një urim nga zemra të gjithë popullit të Kosovës për përvjetorin e hyrjes së forcave të NATO-s krah për krah me luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës” – ka shkruar Rama, më 12.06.2024.