17-vjeçari që përktheu për ekipin e BBC-së pas luftës udhëtoi për studime në Uells

Korrespondenti special i BBC-së, Jeremy Bowen, ka rrëfyer eksperiencën e tij që pati gjatë kohës së luftës në Kosovë, në një intervistë në “Kallxo Përnime”.

Ai foli edhe për Arbër Ukmata, i cili në kohën e luftës ishte 16 apo 17 vjeçar kur filloi të përkthente për ekipin e BBC-së.

“Arbëri, ai ishte një djalë i mirë që fliste mirë anglisht, neve na duhej një përkthyes. Ai ishte shumë inteligjent”, – tha korrespodenti i BBC-së

Ukmatën e kishte takuar në një kamp refugjatësh.

“Ai erdhi tek unë. Isha në sheshin e qytetit të Kukësit në Shqipërinë e Veriut. Në të gjithë vendin kishte njerëz që ishin bërë refugjatë. Ai doli dhe filloi kur unë po prisja që të bëja lidhjen time të drejtpërdrejtë për lajmet. Ai doli dhe filloi të pyeste. Si funksionoi? Çfarë bëjmë, dhe unë fola me të, dhe ai tha se në të vërtetë ai kishte dalë nga Kosova atë ditë me rreth 15 njerëz të ngjeshur në një Golf. Ata kishin hequr sediljen e pasme që të gjithë të mund të futeshin brenda. Unë i thashë, pra, çfarë do të bësh? Ku do të flesh sonte? Ai tha: “Epo, ata janë në makinë, por unë do të fle jashtë sonte sepse… Dua të them, moti ishte i mirë. Nuk ishte problem. Por ne vërtet kishim nevojë për njerëz që të na ndihmonin me përkthim, thashë: Shiko, a je i zënë nesër, a dëshiron të vish dhe të punosh për ne? Ai ishte i suksesshëm”, – shtoi ai

Ai tutje tregoi që e kishte dërguar në Uells për të vazhduar shkollën.

“Dhe nga fundi i luftës, i thashë, çfarë do të bësh? Mendoj se ishte nga Gjakova. Ai tha: Epo, unë do të doja të kthehesha në shkollë, por shkolla ime është djegur. Shkova në një shkollë ku motra ime kishte shkuar, një shkollë ndërkombëtare në Uells, prej nga vij unë, dhe arrita ta fusja atje. Ata donin të kishin dikë që të shkonte nga Kosova”, – ka thënë Bowen.

Bowen ka 40 vjet që është pjesë e BBC-së, përderisa materiale të luftës së fundit në Kosovë, i ka huazuar për “Reporting House”, e cila do të qëndroj e hapur deri në mes të shtatorit.

BIRN Kosova, KALLXO.com, Bienalja e Prishtinës dhe Paper Gallery, prezantojnë punën e gazetarëve, fotografëve dhe artefaktet e kohës, të shoqëruara me vepra të artit bashkëkohor që reflektojnë mbi ndikimin e luftës.

Ekspozita e “Reporting House” u mundëson vizitorëve të udhëtojnë në konfliktin që po vlonte gjatë viteve 1990, nga i cili lindi lëvizja guerile e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që më vonë shpërtheu në luftë në vitet 1998-1999 dhe kulmoi me 11 javë të sulmeve ajrore të NATO-s që çuan në çlirimin e Kosovës dhe në pavarësinë e saj në vitin 2008. Ekspozita shpalos draftin e parë të kësaj historie të shkruar nga gazetarët dhe demonstron rolin qendror që e ka luajtur media krahas interpretimeve artistike të mëvonshme të kësaj historie.