10 Milion Euro për Termokosin

Sot do të mbahet ceremonia e nënshkrimit të Marrëveshjes Financiare të grantit për projektin “Programi i sektorit të energjisë, faza VIII dhe IX – Përmirësimi i ngrohtores së qytetit në Prishtinë”, në vlerë prej 10 milionë euro, ndërmjet Qeverisë së Kosovës e përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, e përfaqësuar nga  Banka Zhvillimore Gjermane (KfW).

Marrëveshja do të nënshkruhet nga Ministri i Financave Bedri Hamza, Shefi i divizionit për energji për Evropën Juglindore dhe Turqinë në zyrën qendrore të KfW-së Juergen Kern, projekt menaxheri përgjegjës për projektet e KfW-së në sektorin e energjisë në Kosovë dhe Bosnjë e Hercegovinë Nico Schuetzhofer si  dhe Kryeshefi  ekzekutiv i NP “Termokos” Naser Canolli.

Në këtë ceremoni do të marrin pjesë  edhe Ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt  dhe përfaqësues të Komunës së Prishtinës.

Zyra e KfW ka lëshuar një komunikatë me detaje të grantit prej 10 milionë euro që do të përfitojë Termokosi.

Sistemi i ngrohjes qendrore në Prishtinë është ndërtuar në vitet e 70-ta dhe fillimisht ka ofruar ngrohje më mazut. Në nëntor të vitit 2014, sistemi i ngrohjes qendrore në Prishtinë është kyçur në termocentralin Kosova B, i cili ishte shndërruar në termocentral me kogjenerim. Kështu, në vend të djegies së mazutit që shkakton emetime të larta, avulli i termocentralit shfrytëzohet për ngrohje. Projekti është financuar përmes një projekti të disa donatorëve përmes KfW-së e Termokosit me një shumë prej rreth 37 milion EUR. Konkretisht, kontributet e donatorëve ishin si në vijim: Bashkimi Evropian (14,0 milion EUR grant), Gjermania (10,0 milion EUR grant, 5,0 milion EUR kredi), Suedia (1,8 milion EUR grant), Luksemburgu (1,5 milion EUR grant) dhe Kosova (5,0 milion EUR kontribute të Komunës së Prishtinës dhe qeverisë së Kosovës).

Termokosi ka ofruar ngrohje bazuar në sistemin e kogjenerimit për mëse 63.000 konsumatorë për tri sezoni deri tani. Ndikimi në kushtet jetësore dhe mjedis është qenësor: Shërbim me ngrohje 24/7 për gjithë sezonin e ngrohjes në krahasim me shërbimin në të kaluarën prej maks. 6 orë/ditë për vetëm tre muaj në dimër, gjenerim mbi 660 GWh për tri vite, ulje të emetimeve me CO2 prej mbi 90.000 ton në vit, ngritje të faturimit për 178% dhe inkasimit për 415%, reduktim të humbjeve të ngrohjes e ujit dhe më shumë.

Kapaciteti aktual i sistemit te kogjenerimit është 140 MË, kapacitet ky që mund të nxirret nga vetëm një apo të dy turbina të TC Kosova B. Gjatë sezonës së fundit të ngrohjes, ngarkesa maksimale nuk ka kaluar 85 MË. Kjo pasqyron më së miri mundësinë për të ngritur edhe më shumë ndikimin e projektit përmes zgjerimit të rrjetit. Kështu shumëfishohet shfrytëzimi i investimeve të realizuara në kogjenerim dhe arrihen vlera më të favorshme kosto-fitim.

Prandaj, duke marrë parasysh potencialin e lartë për modernizim dhe zgjerim të mëtutjeshëm, qeveria gjermane ka zotuar një grant prej 10 milion EUR për investime të mëtutjeshme në rehabilitimin dhe zgjerimin e rrjetit të ngrohjes qendrore në Prishtinë. Për më tepër, edhe qeveria e Luxemburgut dhe Komuna e Prishtinës do të kontribuojnë me grante në këtë projekt. Kycjet e reja në rrjet do të realizohen në përputhje me Masterplanin e ri të ngrohjes qendrore, i cili është hartuar në vitin 2017 dhe përbën një bazë të strukturuar mire për të gjitha investimet e ardhshme në sistemin e ngrohjes qendrore në Prishtinë.