Punëtoria e mekanikut që u bë Galeri arti

Vetëm pak muaj më parë, ky lokal ishte një punëtori për riparimin e makinave. Ndërsa tash është shndërruar në galeri të artit.

Galeria “Galeria 17” është inauguruar dy javë më parë me hapjen e ekspozitës kolektive, “Make me coffee, make me a sandëich”.

Gjurmët e ish-punëtorisë ende janë të dukshme.

Sihana Klisurica, menaxhere për komunikim në “Fondacionin 17, e cila menaxhon “Galerinë 17”, thotë se fondacioni është kujdesur që rrëfimi për punëtorinë të ruhet dhe të shpaloset së bashku me ekspozitat që do të mbahen këtu.

“Për më shumë se 50 vjet ka shërbyer si punëtori e një mekaniku, jo një mekaniku të thjeshtë por një personi i cili ka rregullu vetura për gara dhe që ka marrë pjesë një gara, në ish Jugosllavi, por edhe në Evropë e për tej…… Për punën që është bërë këtu mbi 50 vjet, historikun dhe rrëfimet që dalin prej kësaj hapësire kemi dashur me i mbajt, me mbajt sa më shumë karakterin e kësaj garazhe, e kësaj punëtorie të automekanikut”, ka thënë ajo.

Për menaxheren Klisurica “Galerinë 17”, do t’u mundësojë artistëve të rinj prezantimin e ideve dhe krijimeve të tyre.

Ajo thotë se “Galeria 17” ka përgatitur një program veçantë të ekspozitave.

“Ne kemi ardhur me një lloj programi vjetor i cili përmblidhet mbi katër tema. Ekspozita e parë hynë në kuadër të temës skanimi i rajonit, prandaj edhe është ftuar një kuratore nga Mali i Zi, e cila pastaj edhe ka zgjedhur artistët nga Kosova, Shqipëria, Serbia, dhe në një farë forme, këto artiste kanë shprehur idenë e jetës së përbashkët të shteteve fqinje përmes artit”, ka thënë ajo.

Aktualisht në “Galerinë 17” po qëndron e hapur ekspozita kolektive “Make me coffee make me a sandëich”.

Në 2022 në këtë Galeri do të mbahet edhe disa ekspozita tjera me tematika të veçanta.

“Galerinë 17” gjendet në pjesën historike, në rrugën “Henrik Bariç” në Prishtinë.