Prishtinë, piktura të krijuesve nga 70 vende të botës ekspozohen në Muzeun Kombëtar

Organizuar nën kujdesin e kuratorit Besnik Xhemaili është hapur sot në mbrëmje në Muzeun Kombëtar të Kosovës në Prishtinë edicioni i dytë i ekspozitës “Bienale e akuarelit” (Watercolor 2nd Edition Biennial).

Qindra piktura të krijuesve nga 70 vende të botës janë ekspozuar në kuadër të kësaj ekspozite e përcjellë edhe me demonstrim të akuarelit në pikturë nga disa artistë, vepra të të cilëve janë ekspozuar në bienale.

Besnik Xhemaili, organizatori i kësaj ekspozite ka thënë për KALLXO.com se në këtë edicion të kësaj ekspozite janë ekspozuar veprat më të mira në teknikën e akuarelit të mjeshtërve nga shtete të shumta të botës.

Ai  ka thënë se organizimi i kësaj ekspozite nuk ka kaluar pa sfida sidomos për shkak të buxhetit.

“Shpresoj që edicionet e ardhshme të kemi më shumë sponsorizime që të bëhet e mundur ardhja edhe e autorëve të pikturave, të cilët do të demonstronin mjeshtërinë e akuarelit gjatë ekspozitës”, ka thënë Xhemaili.

Sipas tij, rreth 380 vepra janë dërguar nga autorë të ndryshë të botës si nga vendet europiane, Amerika, Kanadaja, Turqia, Serbia e deri te Rusia e Kina, për të qenë pjesë e bienales së akuarelit “Watercolor 2nd Edition Biennial” në Prishtinë.