Ministria e Kulturës nuk alokon mjetet për teatrot profesioniste, reagon Asociacioni i Teatrove

Asociacioni i Teatrove Publike të Qyteteve të Kosovës ka reaguar ndaj mos alokimit të mjeteve të finaciare të ndara për teatrot profesioniste të qyteteve të Kosovës nga ana e Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sporteve.

MKRS ka mbështetur projektet teatrore të këtyre teatrove, në bazë të konkursit për Projektet Kulturore – Artistike në mars të vitit 2019.

Por, deri më tani teatrot e qyteteve nuk i kanë marrë ende ato mjete për projektet e dala nga ia konkurs.

Përmes një komunikate Asociacioni i Teatrove që mbledh këto teatro profesioniste në vend ka shprehur shqetësimin e tyre rreth mos kryerjes së obligimeve, përkatësisht alokimeve të mjeteve financiare nga ana e MKRS-së ndaj teatrove publike të qyteteve, pavarësisht faktit të përfundimit të këtyre projekteve.

Sipas komunikatës që nga fillimi i 2019, teatrot publike të qyteteve nuk kanë marrë akoma mjetet financiare nga ky konkurs dhe kjo ka shkaktuar vazhdimisht dhe, po shkakton akoma, telashe, vështirësi dhe obligime në menaxhimin e tyre financiar.

“Asociacioni i Teatrove Publike të Qyteteve bën thirrje dhe kërkon nga ana e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, sa më parë, të shqyrtojë kërkesën tonë rreth alokimit të këtyre mjeteve, në mënyrë që edhe teatrot t`i kryejnë obligimet ndaj artistëve të angazhuar në këto projekte”, thuhet në komunikatën e Asociacionit të Teatrove Profesioniste.