Kino Rinia

"Kino Rinia" futet në listë të mbrojtjes, planifikohej të shndërrohej në qendër tregtare

Një nga kinematë më të vjetra të kryeqytetit, “Kino Rinia” është futur në listë të mbrojtjes së përkohshme nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit (MKRS).

Para një viti ishte planifikuar që në këtë objekt të hapej një qendër tregtare.

Për këtë ka pasur shumë reagime nga organizata të kulturës, të cilat kërkonin që të ndalohej ri-destinimi i kinemasë dhe kishin dërguar kërkesë në MKRS që objekti të futej në mbrojtje.

Para pak javësh MKRS ka publikuar listën me objekte të reja që janë futur në mbrojtje, përfshirë këtu edhe “Kino Rininë”.

“Kino Rinia” është përdorur si vend ku projektoheshin filmat dhe konsiderohej si një nga qendrat kryesore të kulturës në kryeqytet për më shumë se gjysmë shekulli.

Kjo kinema tash e 20 vite është braktisur dhe nuk e ka atë funksion.

Pas futjes në listën e trashëgimisë kulturore nga MKRS, “Kino Rinia” do ta marrë status të njëjtë sikur kinemaja “Lumbardhi” në Prizren dhe “Jusuf Gërvalla” në Pejë.

17 asete të trashëgimisë kulturore janë bërë pjesë e Listës së Trashëgimisë Kulturore në mbrojtje të përkohshme.

Vendimi për përfshirjen e këtyre aseteve në listë të mbrojtjes, është bërë pavarësisht faktit se MKRS ende nuk e ka publikuar listën e plotë të aseteve të trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme për 2021-2022.

Objekti i Teatrit “Dodona” shpallet monument nën mbrojtje të shtetit