ETEA hap edhe dy minibiblioteka në Prishtinë

Organizata ETEA ka hapur sot edhe dy minibiblioteka në Lagjet e Prishtinës, në kuadër të projektit për “Minibibliotekat e lagjeve”.

Një minibiliotekë është hapur në Sheshin “Adem Jashari”, ndërsa tjetra është hapur brenda Kampusit Universitar të Universitetit “Hasan Prishtinë”.

Inaugurimi i këtyre dy minibibliotekave vjen pas një pezullimi të shkurtër të hapes së këtyre minibibliotekave për shkak të dëmtimin që pësuan dy minibibliotekat në lagjet “Mat I” dhe në “Kodër të Diellit”.

Drejtori i ETEA-së, Agon Ahmeti ka pohuar për Kallxo.com se projekti për themelimin e minibiblioetkave në kryeqytet do të vazhdojë dhe deri në fund të vitit numri i tyre do të arrijë në 12 sosh.

Ndërsa, ka thënë se minibibliotekat e dëmtuara në “Mat I” dhe në “Kodrën e Diellit” do të zhvendosen në një vend më të sigurtë.

“Deri më tani janë hapur 7 minibiblioteka në lagjet e Prishtinës dhe gjerë në fund të viti 2019 numri i mini/bibliotekave të hapura do të arrijë në 12”, Ahmeti për Kallxo.com.

Projekti “Minibibliotekat e lagjeve” u mundësua nga organizata ETEA dhe Kuvendi i të Rinjve të Prishtinës, në bashkëpunim me Librarinë “Dukagjini”, përkrahur nga Forumi për Iniciativa Qytetare me burim financiar nga Zyra e BE-së në Kosovë dhe Komuna e Prishtinës.