Foto: FSK/ facebook

Publikimi i rrejshëm se FSK po pret armikun

Në rrjetin social janë identifikuar materiale të tjera të cilat kanë përmbajtje të pavërtetë rreth veprimtarisë së institucioneve të sigurisë në Kosovë.

KALLXO.com ka zbuluar se më 30.04.2024 faqja në “Tik-Tok” “Komanda2001” (Arkiva) ka publikuar një video ku shihen automjete ushtarake.

Materiali ka marrë mbi 1,000 reagime dhe është shpërndarë në 48 profile të tjera.

Videoja e ka edhe një mbishkrim ku thuhet: “FSK në pritje të armikut”, ku pretendohet se automjetet luftarake të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) po presin armikun për ta sulmuar.

Kontrolluesit e fakteve kanë verifikuar se video përmban disa pamje të ndryshme nga ushtrimet e FSK-së por edhe pamje që nuk i përkasin FSK-së.

Përpos verifikimit, KALLXO.com ka kërkuar edhe një përgjigje zyrtare nga Forca e Sigurisë së Kosovës.

Në një deklarim për Krypometër më 15.05.2024, Ibrahim Shala, zyrtar për informim në Ministrinë e Mbrojtjes, ka thënë që përshkrimi i videos nuk qëndron.

“Disa pamje janë të marra nga realizimi i trajnimeve të FSK-së. Kjo video përmban edhe pamje që nuk janë fare të FSK-së, dhe nuk ka fare të bëj me shkrimin i cili qarkullon se “FSK në pritje të armikut” – ka deklaruar Shala.

Në muajt e fundit në rrjetet sociale, sidomos në “tik Tok” janë shpërndarë materiale të ndryshme të rrejshme për institucionet e sigurisë.

Një hulumtim i realizuar nga Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN) kishte konstatuar se në Kosovë ka numër të madh të dezinformatave për çështje të sigurisë dhe marrëdhënieve ndëretnike.

Hulumtimi konstatoi se një numër i madh i dezinformatave u shpërndanë për aktivitetet e FSK-së dhe blerjet e armatimeve.

“Përveç dezinformimit rreth FSK-së dhe sentimentit anti-Serbi ndër SHBA-të, ka pasur edhe dezinformim të shpërndarë se ushtria e Kosovës do të hyjë në veri. Ky informacion është publikuar kryesisht në kohë krizash në veri ose para takimeve në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë” – thuhet në raport.

Raporti konstaton se institucionet e Kosovës nuk kanë arritur të themelojnë mekanizma të veçantë për trajtimin e dezinformatës.