Rrjeti i shpëlarjes së parave që shpëtoi me dënime me kusht

Prokuroria e Shtetit dhe organet e ndjekjes në Kosovë në vazhdimësi kanë dështuar në hulumtimin dhe zbulimin e prejardhjes së pasurisë së përfituar nga aktiviteti kriminal.

Raportet e Prokurorisë së Shtetit tregojnë se në mes viteve 2013 dhe 2020 për shpërlarje të parave janë hetuar vetëm 482 persona, ndërsa vetmë 8 persona janë dënuar deri më tani për këtë vepër penale.

Të dhënat tregojnë se në nisje ka pasur tentativa për të hetuar shpërlarjen, mirërpo hetimet janë pushuar ose kallximet penale janë hedhur poshtë. Për 183 persona hetimet janë nisur, por janë mbyllur në mungesë të provave.

Në mesin e pak rasteve ku personat janë dënuar, njëri nga ta së fundëmi është kthyer në rigjykim nga Gjykata Supreme. Ndërsa, të dhënat e siguruara tregojnë se dënimet në rastet ku personat janë shpallur fajtorë janë simbolike.

Njëra nga dosjet e arikuvara në gjykatat e Kosovës është ajo ndaj Blerim Gërbeshit, Arjan Ibriqit dhe Mirsad Popovajt. Hetimet kishin zbuluar se Blerimi ishte marrë me tregti ilegale të duhanit, ndërsa dy shokët e tij, Arjani dhe Mirsadi, ishin kujdesur që paratë kesh t`i depozitonin në bankë dhe t`i bënin para të pastërta për qarkullim.

Hetimet kishin zbardhur se mbi 500 mijë euro para të dyshimta nga krimi ishin deponuar në banka, ndërsa në fund grupi u obligua të paguaj vetëm 350 mijë euro.

Sipas Prokurorisë, Mirsad Popova kishte vepruar sipas sugjerimeve të Blerim Gërbeshit dhe kishte hapur një llogari individuale – ku ka deponuar shuma të ndryshme në vlerë prej 100 mijë euro të cilat ia kishte dhënë i akuzuari Blerim Gërbeshi, e të cilat më pas ishin transferuar në banka komerciale.

Ngjashëm me pikën dy të aktakuzës Blerim Gërbeshi akuzohet edhe me Arjan Ibriqin.

Edhe Ibriqi akuzohet se kishte vepruar sipas sygjerimeve të të akuzuarit të parë dhe kishte hapur një llogari bankare ku kishte deponuar shuma të ndryshme të mjeteve të cilat i kishte marrë nga Blerim Gërbeshi, e që ishin para të përfituara në mënyrë të kundërligjshme nga shitblerja e duhanit.

Sipas Prokurorisë paratë në vlerë prej 529 mijë euro i kishte pranuar kesh nga Blerim Gërbeshi dhe më pas i kishte transferuar në firmën M.

Dosja e lëndës tregon se grupi përdorën ‘institutin juridik të pranimit të fajsisë’ për t`i shpëtuar dënimeve të larta.

Ligji për parandalimin e shpëlarjes së parave ka paraparë që dënimet në raste të provuara të shpërlarjes së parave duhet të shkojnë deri në 10 vite burgim.

Por në dosje zbulohet se grupi bindi prokuroren Speciale Habibe Salihu, që të hyjnë në negociata për pranimin e fajsisë.

Të dhënat tregojnë se për dosjen e shpëlarjes, prokurorja Speciale Habibe Salihu kishte arritur marrëveshje për pranim të fajësisë me tre të akuzuarit Blerim Gërbeshin, Arjan Ibriqin dhe Mirsad Popovën dhe ishte vendosur që të tre të dënoheshin me nga 2 vite burgim me kusht.

Marrëveshja e tyre ishte aprovuar nga gjyqtarja Speciale Shadije Gërguri dhe tre të akuzuarve iu konfiskua edhe pasuria në velrë prej 350 mijë euro. 

Blerim Gërbeshi për të tri veprat penale për të cilat u akuzua u dënua me nga një vit burgim, i cili më pas u konvertua në 2 vite burgim me kusht. 

Ndryshe nga Gërbeshi, dy të pandehurit e tjerë që akuzoheshin për nga një vepër penale u gjykuan me nga dy vite burgim me kusht.

Në dosje zbulohjet se ndaj Blerim Gërbeshit rëndonin tri akuza të shpëlarjës së parave, ku për secilën prej tyre dënimi parashihej deri në 10 vite burgim.

Gërbeshi akuzohej në tri pika të aktakuzës se paratë e fitura nga shitja e kundërligjshme e duhanit i kishte transferuar përmes transaksioneve ndërkombëtare në dy firma. Shuma e tyre ishte 365 mijë euro. 

Në pikën e dytë të aktakuzës bashkë me Blerim Gërbeshin akuzohej edhe Mirsad Popova.

Dënimet e tyre erdhën përmes marrëveshjes për pranimin e fajësisë, që si institut juridik ua mundëson të akuzuarve që bashkarishrisht me Prokurorinë të vendosin kufijtë e dënimit dhe kushtet deri në masën e lejuar me ligj.

Mirëpo edhe marrëveshja për pranim fajësie ka disa kushte të cilat paraprakisht duhet të plotësohen, dhe në të tregohet edhe se deri në cilën masë mund të zbutet dënimi i një të akuzuari.

Në rastin konkret është shfrytëzuar zbrazëtira ligjore e cila ka përcaktuar minimumin e dënimit. Kjo pasi shpëlarja e parave dënohet deri në 10 vite burgim dhe rrjedhimisht nuk dihet se sa është minimumi i kësaj vepre.

Andaj në këtë rast zbrazëtira ligjore për minimumin e dënimit të shpëlarjes së parave u ka mundësuar të akuzuarve dhe Prokurorisë Speciale që të mund të gjykohen me dënim të kushtëzuar.

Këto “defekte juridike” kanë qenë shkas që vit pas viti shpëlarja e parave në Kosovë të jetë temë e raportit të progresit nga Komisioni Evropian – BE-ja.

Në çdo raport të progresit për Kosovën “Shpëlarja e Parave” ka qenë temë e cila është prekur me theks të veçante dhe është kërkuar që të jetë prioritet.

Raporti i fundit i progresit për Kosovën i dhënë nga Komisioni Evropian e konsideron si të pamjaftueshme luftën e Kosovës kundër pastrimit të parave.

“Lufta kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit nuk është mjaftueshëm efikase për të prodhuar rezultate bindëse. Pastrimi i parave shpesh nuk ndiqet penalisht si një krim i pavarur, por në lidhje me veprat penale të tjera, gjë që pengon përparimin në këtë fushë”, thuhet në raport.

Madje Komisioni Evropian ka konstatuar se Ligji aktual për parandalimin e shpëlarjes së parave nuk është në përputhje të plotë më standardet e Bashkimit Evropian. 

Të dhëna të siguruara nga BIRN tregojnë se në shumicën e rasteve të korrupsionit Prokuroria e Shtetit nuk ka inicuar hetime për prejardhjen e pasurisë së zyrtarëve të akuzuar për korrupsion.