Teologu Fitim Flugaj, Foto: KALLXO.com

Teologu Flugaj: Rasti i imamit në Llugë të Podujevës, problem mes dy familjeve

Më 31.05.2024, në fshatin Llugë të Podujevës para xhamisë, e cila ende nuk është përuruar janë mbledhur banorë në shenjë proteste për imamin e përzgjedhur të kësaj xhamie, Zymer Konushevci. Konushevci sipas banorëve është imami, i cili është përzgjedhur që të udhëheq xhaminë “Urtësia” ndërsa banorët janë kundër këtij vendimi. Kjo pasi xhemati kanë kërkesën e tyre dhe personin e tyre. Ata dëshirojnë që prijës në këtë xhami të jetë Bahri Curri.

Teologu Fitim Flugaj ka folur në emisionin “KallxoPërnime” rreth këtij incidenti në fshatin Llugë të Podujevës. Flugaj tha se ky rast nuk ka të bëj me ekstremizëm, duke shtuar që aty ai sheh inate mes grupeve apo familjeve të ndryshme që të dominojnë nëpër xhami.

“Inatin mes shqiptarëve e njeh e gjithë bota. Islami nuk të mëson gjëra të tilla si ato në fshatin Llugë të Podujevës. Në këtë rast nuk kemi të bëjmë me predikim nga imamët por kemi të bëjmë me dy familje që dominojnë në Llugë dhe që përpiqen që secila prej tyre ta ketë imamin e vet, dmth anëtarin e fisit të vet ta ketë imam. Bazat ligjore të Kushtetutës së BIK-ut, z. Konushevci ka fituar atë pozitë nga këshilli i BIK-ut të Podujevës dhe s’ka të bëj aspak me çështjet ideologjike por vetëm me inate në mes familjeve” – tha teologu Flugaj.

Ai tha se për këtë çështje zgjidhja është që këtyre dy familjeve t’i flas dikush në baza fetare islame duke shtuar se në këtë mënyrë ata do ta kuptojnë që duhet të tërhiqen nga këto mendime e veprime.

“Nëse e kanë vërtet për islam dhe kanë ndërtuar ata xhami për ta adhuruar Zotin, atëherë nuk guxon me ardh deri në këtë pikë, çfarë kanë arritur ata dhe kanë bërë edhe zgjidhje nëpër xhami tjera, ka mundësi që të bëhet zgjidhje edhe pse aty faktikisht është anashkalimi i një marrëveshjeje që është bërë më herët mes atyre imamëve, kanë qenë tre imam i treti është tërhek, dy kanë mbet, këta dy duhet të bëjnë kompromis dhe duhet të tërhiqen dhe ti afrojnë të dy familjet, Curri dhe Konushevci në mënyrë që ata të mos insistojnë në këtë formë” – tha Flugaj.

Në “KallxoPërnime” teologu Flugaj gjithashtu tha se edhe BIK duhet të tregojë autoritetin e vet për këtë rast.

“BIK nuk është insistucion ekzekutiv, nuk mund t’i ekzekutojë shumë gjëra edhe në të njëjtën kohë edhe kushtetutën e vet, BIK ka nevojë për përkrahjen e shtetit, pa të BIK nuk ka asnjë mundësi që të veprojë. Këtë po e shoh si shikuesi që e shikon ndeshjen nga tribuna” – tha ai

Ai foli edhe për ligjin për fetë në Kosovë ku tha se ato nuk njihen nga shteti por vetëm respektohen si të tilla.

“Nuk respektohen faktikisht, dmth de juro nuk ekzistojnë sepse s’ka kurrfarë ligji që ato i respekton. Kur të ketë ligj i cili faktikisht i përcakton vijat atëherë normal se do të ketë edhe këso përplasje”, – përfundoi ai.

Situata tek xhamia në Llugë, komandanti i Policisë në Podujevë bisedon me imamët (kallxo.com)