Situata tek xhamia në Llugë, komandanti i Policisë në Podujevë bisedon me imamët

Imami i vendosur nga Këshilli i Bashkësisë Islame në Podujevë, Zymber Konushevci, kryeimami Bekim Jashari dhe komandanti i Stacionit Policor në Podujevë, Bashkim Bajrami janë duke biseduar për situatën e krijuar në fshatin Llugë të Podujevës.

Bisedat janë duke u zhvilluar brenda një veture të Policisë së Kosovës.

Imami Konushevci është i padëshirueshëm për një pjesë të banorëve në fshatin Llugë, ai erdhi për të  kryer ritet fetare të xhumasë ndërsa më shumë se 30 banorë e kanë bllokuar derën e hyrjes së xhamisë ‘Urtësia’ në këtë fshat.

Xhemati kanë kërkesën e tyre dhe personin e tyre. Ata dëshirojnë që prijës në këtë xhami të jetë Bahri Curri.

Protesta parashihet të mbahet para xhamisë “Urtësia”, ndërsa Policia e Kosovës tashmë ka ndërmarrë masat për të mbajtur rend dhe siguri.

Zyrtarë policorë të Njësisë Speciale Operative të Policisë janë parë vetëm pak metra larg xhamisë në mënyrë që të intervenojnë në rast të ndonjë tensioni ndërsa policë të rendit janë në oborrin e xhamisë.

KALLXO.com po përcjellë nga afër këtë situatë e cila nuk është e para që po ndodh për të njëjtën çështje.

Banorët kishin bllokuar hyrjen e xhamisë edhe në muajt e kaluar për të penguar hyrjen e imamit të zgjedhur nga Këshilli i Bashkësisë Islame.

Banorët ndonëse jo para kamerës i kanë thënë KALLXO.com se problemin kryesor po e krijon Këshilli i Bashkësisë Islame në Podujevë pasi ata janë në dijeni se imamin e propozuar nga KBI nuk e do komuniteti.

 

Bllokohet xhamia në Llugë të Podujevës – banorët nuk e pranojnë imamin