Reagimet pas ribotimit librit me emërtimin ‘Metohi’, sqarohet Instituti Albanologjik

Ribotimi i një libri për folklorin nga Instituti Albanologjik në Prishtinë, me titullin origjinal në të cilin përmendet fjala “Metohi”, ka ngjallur reagime publike.

Krijues dhe studiues të letrave shqipe kanë kritikuar mënyrë se si IAP i ka lejuar vetës të ribotojë librin, “Kangë popullore shqiptare të Kosovës- Metohisë I”,  të Zekeria Rexhës, ku përmendet fjala “Metohi”.

Por, drejtues të këtij institucioni kanë thënë se ribotimi i këtij libri, është bërë pa ndërhyrje siç ka qenë në origjinal dhe për shkak të interesit rëndësisë së librit.

Hysen Matoshi, drejtor i IAP-së, ka thënë për KALLXO.com se ribotimi i librit të profesor Zekeria Rexhës, “Kangë popullore shqiptare të Kosovë-Metohisë I” është bërë nga Instituti Albanologjik për shkak të interesit të madh që ekziston për këtë vepër të parë të folkloristikës shqiptare të botuar në Kosovë nga ShB “Mustafa Bakija” më 1951 në Prishtinë.

“Menjëherë, pas daljes nga shtypi, pushteti i atëhershëm e ka sekuestruar dhe e ka shkatërruar kontingjentin e botimit. Ka shpëtuar fatmirësisht ndonjë kopje, sikurse është kjo që e kemi ribotuar. Botimi është kopje e origjinalit, botim anastatik, pa ndërhyrë aspak. E vetmja shtojcë është fjala e botuesit e titulluar ‘Riardhje e profesor Zekeria Rexhës në Kosovë’”, ka thënë Matoshi.

Sipas tij, kjo vepër nga njëra anë është monument kulturor për shqiptarët e mbetur nën ish-Jugosllavi, kurse nga ana tjetër, për shkak të ekskomunikimit të saj, është dokument i rëndësishëm i cenimit të rëndë të kulturës shqiptare.

“Pra, terminologjia e titullit të librit është e vitit 1951 nuk lidhet me të sotmen. Sikurse dihet atëbotë Kosova e sotme emërtohej në këtë mënyrë”, ka thënë Matoshi.

Por, mendim ndryshme kanë studiuesit dhe shkrimtaret tanë. Sipas tyre, IAP është dashur ta shmang emrin Metohi dhe të bëjë një ribotim të redaktuar të këtij libri.

Reagimet pas ribotimit

Kryetari i Unionit të Shkrimtarëve dhe Kritikëve Shqiptar, Reshat Sahitaj, shkrimtar e publicist ka thënë për KALLXO.com se është jo profesionalizëm veprimi i IAP-së, duke lënë emërtimin “Metohi”, në një libër të botuar gati një shekull më parë.

Sipas tij, ata harrojnë se shumë vepra të njohura botërore janë korrigjuar për t’iu përshtatur gjuhës bashkëkohore si p.sh. “Iliada” e Homerit, veprat të autorëve të njohur francezë etj.

“Në rastin e Zekeria Rexhës nuk është problem çështja e gjuhës, por gabimi më i madh është bërë me mos ndryshimin e terminologjisë e të toponimisë sonë, gjë që më këtë Instituti Albanologjik e ka aprovuar varësinë e Kosovës të Serbia. Këta nga Instituti Albanologjik do të gjejnë arsyetime, por ato do të jenë vetëm për t’i mbuluar gabimet dhe turpin e tyre”, ka thënë Sahitaj.

Fehmi Ajvazi, shkrimtar, studiues e publicist, ka shkruar në Facebook, se botuesi është dashur ta rishikojë dhe ta redaktojë librin. Pasi sipas tij, nuk bëhet fjala për ndonjë libër të shenjtë.

“Përtej gabimit, injorancës dhe lajthitjes! Si ta  kuptojmë këtë ribotim… !Ky tekst nga origjinali i vitit 1951, në prag të periudhës fashiste e terroriste rankoviqiane i zbatuar në viset etnike shqiptare në ish Jugosllavi, ribotohet në vitin 2021, me të njëjtin titull. A nuk ka mundur botuesi ta redaktoj titullin e këtij teksti ? Çfarë e ka penguar ta redaktoj dhe të mos bartet edhe sot, termi politik për Kosovën si prapashtesë “Metohia”? Të gjithë të involvuarit në këtë botim, përfshirë edhe drejtorin duhet nxjerrë para përgjegjësisë morale dhe profesionale. Se, nuk bëhet fjalë për Biblën apo Kur’anin”, ka shkruar Ajvazi.

Libri “Kangë popullore shqiptare të Kosovë-Metohisë I” është ribotuar pak ditë më parë nga Instituti Albanologjik në Prishtinës.

Sipas studiuesve dhe drejtuesve të IAP-së, libri i Zekeria Rexhës është botuar në vitin 1951, por, pa u shpërndarë u tërhoq dhe u shkatërrua, për shkak të përmbajtës së tij.