Organizata që ofron mundësi për të rinjtë

Zyra Rajonale për Bashkëpunim Rinor, është një organizatë ndërkombëtare dhe ndërqeveritare e themeluar nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, në Shqipëri, Bosnje dhe Hercegovinë, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut dhe Serbi.

RYCO ka për qëllim promovimin e bashkëpunimit rajonal nëpërmjet shkëmbimeve rinore.

Sipas drejtoreshës së degës së Kosovës Krenare Gashi- Krasniqi, të rinjët të cilët janë të përfshirë në programet dhe iniciativat e RYCO-s, pajisen me aftësi të reja dhe ndihen të gatshëm dhe mirëpërgatitur për të kontribuar në procesin e zhvillimit demokratik, politik, ekonomik dhe social të vendit të tyre.

“Qëllimi ynë është që të rinjtë të thyejnë tabu, stereotipe dhe mposhtin narrativet të cilat përqajnë rajonin tonë dhe krijojnë kështu eksperienca të reja pozitive duke udhëtuar, duke bërë miqësi të reja, duke njohur kultura dhe vende të reja e shumë më tepër”, thotë Krasniqi.

Një nga përfitimet më të veçanta që të rinjtë veçojnë është edhe mundësia e mobilitetit, e të udhëtuarit në një nga vendet e Ballkanit Perëndimor, për disa prej tyre për herë të parë.

Gjatë punës së saj RYCO i ka përkrahur me mjete financiare projektet e të rinjve.

Sipas drejtoreshës Krasniqi, deri më tani janë realizuar tri thirrje të hapura për projekt-propozime dhe është duke punuar për nisjen e implementimit të thirrjes të katërt.

Të dhënat na tregojnë që RYCO ka përkrahur rreth 100 projekte, të cilat kanë ardhur si partneritete midis Organizatave të Shoqërisë Civile dhe shkollave të mesme në rajon. Programet e RYCOs kanë arritur të shkëmbejnë rreth 5000 të rinj nga Ballkani Perëndimor, të cilët kanë krijuar miqësi të reja dhe kanë realizuar iniciativa të përbashkëta për ndërtimin e paqes në rajon.

Mundësitë për të vizituar Japoninë

Në mesin e programeve të organizatës i cili  është duke u implementuar edhe programi Western Balkans meet Japan: A Bridge into the Future

Ky program ofron mundësi për të rinjtë për ta vizituar Japoninë dhe për t`u njohur me vlerat kulturore të këtij vendi.

“Është unike sepse vërtetë rrallë ndodhë që të rinjtë tanë të ekspozohen me kultura të tilla siç është ajo e Japonisë. Të vizitosh vendet, memorialet dhe të mësosh për të kaluarën jo të lehtë që ka pasur ky vend, është konsideruar vërtetë përvojë e jashtëzakonshme për pjesëmarrësit e viteve të kaluara. Andaj jemi të lumtur që ofrojmë këtë mundësi kaq të veçantë e kaq të rrallë për të rinjtë e Ballkanit Perëndimor, që me anë të këtij shkëmbimi ndërkulturor të pasurojmë këndvështrimet e tyre për rëndësinë e bashkëpunimit rajonal edhe me perspektiva të reja si kjo e shoqërisë Japoneze”, thotë drejtoresha Krasniqi.

Sipas saj nga ky program do të përfitojnë 11 të rijnë nga i gjithë rajoni të cilët do të udhëtojnë për Japoni nga 10-18 maj 2021. Andaj nëse jeni i ri i moshës 20-25 vjeç dhe jeni student, mos hezitoni të aplikoni në këtë përvojë unike, jo më larg se deri me 22 shkurt 2021

Për më shumë vizitoni uebfaqen e RYCO.