Gjakovë

Për të parin e Gjakovës  po garojnë përveç kryetarit aktual te komunës Pal Lekaj nga AAK-ja , i cili kandidon për ta fituar mandatin e dytë, edhe Luan Gola nga LDK-ja, Hajdar Beqa nga PDK-ja, Arbërie Nagavci nga LVV, dhe Mimoza Kusari – Lila nga AKR-ja.

Komuna e Gjakovës nga të gjitha komunat e deritashme, i ka dy kandidate për kryetare. Edhe publiku gjakovar, megjithëse në numër të madh, nuk ishte shumë i zhurmshëm, sii në disa nga qytetet, ku u zhvillua debati i Zgjedhjeve Komunale 2013.

Gjatë debatit derisa kandidatet e AKR-së, LVV-së dhe kandidati i LDK-së, kritikonin qeverisjen aktuale të Lekajt, pretendenti për kreun e Gjakovës nga PDK-ja, tërë kohën i joshte gjakovarët me përmendjen e kryeministrit Thaçi dhe qeverisë së Kosovës, sikur këto zgjedhje të ishin qendrore, e jo lokale.

Në garën për Gjakovën, përsëri janë përballë njëri-tjetrit, Pal Lekaj i AAK-së dhe Mimoza Kusari-Lila e AKR-së, të cil[n në zgjedhjet e vitit 2009, e fitoi Lekaj.

Të dy u pyetën rreth punësimeve për gjakovarët. Lekaj në zgjedhjet të cilat i fitoi para katër vjetësh, pati premtuar 7 mijë deri 8 mijë vende pune. Ai kërkoi falje për mosrealizimin e këtij premtimi, duke premtuar përsëri vende pune edhe gjatë këtij mandati.

Kusari-Lila gjatë përgjigjes i iku çështjes së punësimeve, duke u përqendryuar te zhvillimi i infrastrukturës në Gjakovë.

Kandidati i LDK-së Luan Gola, nuk pati përgjigje pse elektorati i këtij subjekti në Gjakovë, nga zgjedhjet në zgjedhje vazhdimisht ka pësuar rënie, duke mbërritur në 2009-ën te 1 mijë vota.

Gola u nxor nga situata, duke thënë se nuk i di arsyet e rënies së elektoratit të LDK-së, pasi para se të zgjidhet kandidat për kryetar, nuk ishte në strukturat drejtuese të LDK-së gjakovare.

Hajdar Beqës së PDK-së iu bë pyetja se si ju si kryeshef ekzekutiv në ndërmarrjen “ Ibër-Lepenc “ e keni punësuar gruan, i njëjti i gjendur para një pyetje pa përgjigje, harroi edhe kur është martuar. Ai nuk u përgjigj jo vetëm për punësimin në këtë ndërmarrje të bashkëshortes, por nuk diti çfarë të thotë, edhe kur iu shtrua pyetja se pse ka punësuar gruan e bashkëpartiakut të tij Adsem Grabovci tnë “ibër-Lepenc”.

Për Arbërie Nagavcin e LVV-së, nga gjakovarët dhe hulumtimet e BIRN-it, u nxor pyetja, se pse ajo derisa ishte drejtoreshë shkolle në “Yll Morina”, ndejti më shumë nëpër trajnime se në shkollë.

Ajo tha se gjërat e tilla janë shpifje të anëtarëve të partisë në pushtet-AAK-së, pasi sipas saj në këtë shkollë punojnë shumë prej tyre.

Nagavci u lavdërua me “drejtorllëkun” e saj, duke thënë se i ka sjellë shumë projekte shkollës.

Debatrit të Gjakovës, të zhvilluar të enjten, nuk mund t’i ikte, problemi i Çarshisë së Vjetër të qytetit, të cilën Pal Lekaj tentoi ta rregulojë gjatë mandatit të tij duke larguar kubëzat e vjetra me rrasa të Gllarevës. projekti u cilësua dëmtim i trashëgimisë kulturore nga Ministria e Kulturës dhe punimet u ndërprenë.

Arbërie Nagavci e LVV-së e akuzoi kryetarin Lekaj, për shitje të kubëzave të vjetra të çarshisë, ose për shtrim të tyre nëpër ambiente private. Lekaj e mohoi një gjë të tillë, ndërsa u akuzua nga kundërkandidatët për pengim të zhvillimit ekonomik në këtë çarshi.

Lekaj u kritikua edhe për dhënien e tenderëve pa procedurat e nevojshme, ndërsa Gola i LDK-së e akuzoi kryetarin e Gjakovës se projekti 1 milionësh i rregullimit të çarshisë nuk ka kaluar nëpër kuvendin komunal të qytetit.

Mimoza Kusari-Lila, ngriti zërin për problemet me prona, duke thënë se katër zyrtarë komunalë kanë përfituar nga pronat publike.

Kandidatët u shtynë mes vete edhe për rregullimin e rrugëve dhe mungesën e lejeve të ndërtimit, ndërsa kritika Lekaj mori edhe për riciklimin e mbeturinave, për të cilën gjë, u tha se nuk është bërë asgjë.

Të gjithë kandidatët për kryetar, edhe një herë premtuan për qytetaret e Gjakovës, se do t’u kushtojnë një rëndësi te madhe sportit, ujësjellësit, shëndetësisë, zhvillimit të ekonomisë dhe punësimit.