Ilustrim nga: Trembelat

Si letërsia na bën njerëz më të mirë

Qyteti i Nezas në periferinë verilindore të Meksiko City ka rreth 1.2 milion banorë. Për shumë vite, ky vendbanim i shpërhapur është sakatuar nga bandat e dhunshme, kidnapimet, dhe forcat e korruptuara policore që ia dhanë komunitetit nderin e pahijshëm të shkallës më të lartë të krimit në botë. Përballja me shpërthimet e vazhdueshme të dhunës nëpër rrugë, dhe lufta ndaj korrupsionit duke i mbajtur të motivuar policët me pagë të ulët, u bë punë demoralizuese për autoritetet. Në vitin 2006, kryetar i Nezas, Luis Sanchez, solli një ide të paparë për ta përmirësuar moralin e forcës policore komunale: leximi i letërsisë fiksion. Sanchez radhiti një listë librash dhe ua shpërndau oficerëve policorë. Lista e romaneve përfshiu klasikë sikur “Don Kishotin” e Miguel de Cervantes-it, “Pedro Paramo-n” e Juan Rulfos, “Njëqind Vjet Vetmi” të Gabriel Garcia Marquez-it, dhe libra të tjerë, si dhe tregime të shkrimtarit amerikan Edgar Allan Poe.

Në shikim të parë mund të duket si ide e krisur, e mbase absurde, për ta rregulluar korrupsionin ndër policë në një njërin nga qytetet më të dhunshme të botës, por Sanchezi besoi se oficerët duhej të merren me letërsi për ta zvogëluar korrupsionin dhe për t’i mposhtur kriminelët. Por, si i ndihmon leximi i letërsisë fiksion oficerëve të policisë në vendin e tyre të punës? Së pari, ua përmirëson fjalorin, gjë që është tejet e rëndësishme sepse oficerët duhet të përdorin gjuhë të saktë për shpërbërjen e tensioneve në marrëdhënie me kriminelët. Së dyti, policët duhet të kenë mendje të hapur, të vetëdijshëm dhe të kenë sens humori—dhe librat e zgjerojnë mendjen dhe e çlirojnë imagjinatën. Së fundi, puna në polici është shumë e rrezikshme dhe kërkon vlerësim më të thellë të vetes për t’i sakrifikuar dhe shpëtuar jetët e njerëzve të panjohur. Sanchez besoi se letërsia na jep qasje të tërthortë ndaj kësaj thirrjeje për detyrë dhe na e forcon vendosmërinë morale për të qenë në shërbim të komunitetit dhe nevojtarëve.

Ideja e Sanchezit—edhe pse intriguese dhe në shikim të parë e çuditshme në një ambient të zymtë sikur të Nezës—nuk është plotësisht e re apo e veçantë. Nocioni i përdorimit të librave, sidomos fiksion, për t’i luftuar efektet personale sikur mërzinë, vetminë, depresionin, apo për ndërtimin e mirëkuptimin me njerëz të panjohur, së fundi është bërë temë e madhe në shumë studime dhe kërkime shkencore prej psikologjisë zhvillimore e pjekjen emocionale deri te sociologjia e shëndeti. Biblioterapia, e përkufuzuar si “përdorimi i letërsisë fiksion për vuajtjet e jetës,” është popullarizuar përmes titujve si “The Story Cure” (Shërimi përmes tregimit) dhe “The Novel Cure” (Shërimi përmes romanit) të cilat e organizojnë letërsinë fiksion për fëmijë dhe të rritur në një varg të gjerë temash, sikur adoleshenca, plakja, shoqëria, dashuria, mërzia, dhe vdekja, ndër të tjera.

Sidoqoftë, përdorimi i letërsisë për t’i luftuar vuajtjet e jetës është po aq e vjetër sa fjala e shkruar. Biblioterapia i ka rrënjët në Egjiptin e lashtë, ku bibliotekat ndonjëherë janë quajtur “klinika për shpirt”. Në Greqinë e lashtë, letërsia dhe filozofia ishin veprimtari të dashura. Aristoteli e hapi diskursin në “Metafizikë” me idenë se ndjekja e dijes është e natyrshme te njerëzit dhe se njohja me artin është e domosdoshme sepse “artisti e njeh shkakun e gjërave”. Por mbase askund më shumë nuk është lartësuar letërsia në jetën publike sesa në Kinë gjatë Dinastisë Tang e cila zgjati prej shekullit të VII-të deri në shekullin e X-të të erës sonë. Përgjithësisht e parë si koha e artë e shtetit, periudha Tang ishte kohë kur poezia u bë forma më e respektuar e shprehjes, komunikimit dhe kreativitetit. Letërsia ishte aq e rrënjosur në kulturën kineze saqë aplikantët që donin të shërbenin në qeveri duhej të dinin të shkruanin poezi për ta kaluar testin hyrës. Poetët më të mirë të asaj kohe, sikur Tu Fu (712-770) dhe Li Po (701-762) ishin të barasvlerëshëm me yjet më të famshëm të Hollywood-it.

Por, ideja jonë bashkëkohore se letërsia na ndriçon dhe na bën më etikë është më e vonshme, e mbështetur në debatet e mëdha të Kohës së Përndritjes, gjatë shekullit të tetëmbëdhjetë, me mendimtarë sikur Adam Smith, Johan Georg Sulzer, Friedrich Schiller, dhe Voltaire, ndër të tjerë. Gjithë këta besuan se arti dhe letërsia kanë rol të fortë në edukimin moral dhe qytetar. Smith, për shembull, argumentonte se qeveria duhet t’i nxisë njerëzit të pikturojnë apo të shkruajnë letërsi sepse do t’i ndihmonte t’i zhbëjnë paragjykimet dhe besëtytnitë. Voltaire-i mendoi se arti është rafinim psikologjik ndaj shtytjes njerëzore për mostolerancë dhe dhunë e Schiller-i shkoi më tej duke pretenduar se vetë reformat politike varen nga edukimi estetik i njerëzve.

Këto debate përkuan me shfaqjen e romanit si qendër të letërsisë moderne, gjë që pati ndikim të fortë në shpërndarjen e nocionit të vlerave të përbashkëta dhe luftrat me karakteret që popullojnë botërat e letërsisë fiksion. Në të vërtetë, romani, bashkë me gazetën, ishin aq të fuqishëm saqë fajsohen për luajtjen e një roli të rëndësishëm në rritjen e nacionalizmit. Ishte Benedict Anderson, në “Imagined Communities” (Komunitetet e Imagjinuara), i cili argumentoi se rritja e romanit si medium i ri ishte përgjegjës për krijimin e një ndjenje të fortë të komuniteteve homogjene me fokus te lidhjet familjare, historia e përbashkët dhe vlera të veçanta kulturore. Teksa letërsia eci drejt shekullit të XIX-të, duke kaluar përmes Romantizmit, Realizmit e Natyralizmit, romani vazhdoi ta mbajë gjallë iluzionin e hapësirës dhe kohës së përbashkët me karakterë të mundshëm që përfaqësuan çështje me të cilat lexuesit mund të identifikoheshin. Gjatë kësaj kohe, novelistja britanik George Eliot shkroi se arti është gjëja më e afërt me jetën [dhe] mënyrë për ta zmadhuar përvojën tonë dhe për ta zgjeruar kontaktin me njerëzit përtej kufijve rrethit personal”.

Romani sot nuk shtrëngohet nga kufijtë kombëtarë apo kulturorë, por zgjerimi i kontaktit me njerëzit përtej kufijve të rrethit personal ende mbetet ideal, pavarësisht shumësisë së formave të komunikimit mes nesh. Dhe duket se askund tjetër në Evropë nuk ka nevojë për më shumë komunikim njerëzor se sa në Ballkan. Është e domosdoshme për rininë serbe, shqiptare, boshnjake, maqedone, e të tjerë, të lexojnë më pak lajme politike e më shumë letërsi përtej kufijve të afërt. Shumë shpesh letërsia ka vërtetuar se mund të ndërtojë ura shoqërore dhe kulturore. Mund të dëshmoj për këtë me një shembull të vogël personal. Para rreth 10 apo 11 vjetësh, ia fala një shoqes sime serbe një kopje të “Doruntinës” së Ismail Kadaresë të përkthyer në anglisht. Pasi e lexoi, ajo u kthye dhe nuk pushonte së foluri për librin dhe donte të lexonte më shumë vepra të autorit për të cilin s’kishte dëgjuar asnjëherë. Ajo po ashtu deshi të dijë më shumë për konceptin e besës, që është në qendër të tregimit. Papritmas, ajo tha se do ta vizitonte Shqipërinë.

Gjithmonë kam dashur të fal libra, por që nga ai reagim entuziast, u kam dhënë shumë libra shokëve e të njohurve nga rruzulli i botës dhe sot mbetet kënaqësi e thjeshtë e jetës për mua. Letërsia ka fuqinë të hyjë në brumin e kohës, duke e përzier të kaluarën dhe të tashmen në brenda përvojës njerëzore, dhe të zhdukë kufijë artificialë mes njerëzish. Për atë arsye, ne ende gjejmë lidhje në tregimet e mijëra vjetëve më parë të vendeve dhe kulturave të panjohura. Sikur miti i kufijve mes njerëzish në “Metamorfozën” e Ovidit, e cila rrëfehet si tregim i korruptimin njerëzor, tregim që i zemëroi hyjnitë që e kishin paramenduar atë, sikur drita e diellit, e gjithë toka dhe uji ishin të paracaktuara si shtëpi për tërë njerëzit. Letërsia është paksa sikur drita e diellit, i nxen dhe ndriçon të gjithë ata që vendosin të vënë hap jashtë errësirës.