Foto: Mikra Krasniqi

Letër nga Argjentina

U zgjova pas mesnatës disi i çorientuar në një dhomë të veshur me dritë të argjendtë hënore. M’u deshën disa çaste për ta kuptuar se gjendesha në një bujtinë në El Chalten, një fshat i vockël i fshehur në një qosh të stepave të Patagonisë në Parkun Kombëtar Los Glaciers të Argjentinës. U vesha shpejt e shpejt dhe dola jashtë ku temperaturat kishin rënë nën pikën e ngrirjes. Hipa në kerr dhe vozita nëpër shkretëtirë për rreth një orë, dhe pastaj u ndala në skaj të udhës për të dalë jashtë. Nuk kishte erë, por gjëja e parë me të cilën m’u desh të përballem ishte ajri i akullt. Pastaj e vërejta qetësinë. Qetësinë e plotë shurdhuese, e ndërprerë nga mosnjohja e vendit, trajtat e paqarta të kaçubave, shkëmbinjtë, bregoret në largësi, dhe vetëdija e mprehtë e gjerësisë dhe zbrazëtisë së shkretëtirës.

Fillova të ecja, por pasi që zhavorri i ngrirë nën shuajt e këpucëve filloi ta prodhonte atë zhurmën bezdisëse si gërvimë, ndalova për disa çaste dhe sodita hënën me yjet duke përfytyruar se si kjo shkretëtirë e lashtë e zënë nga nata dikur ishte shtëpi për dinosaurët më të mëdhenj që silleshin lirshëm nëpër një botë që nuk do të shihte njërëz edhe 65 milionë vjet të tjera. Dhe mendova se sa e shurdhët do të jetë bota, në një natë të largët të së ardhmes, kur njerërzit dhe sistemet e tyre morale dhe politike, ideologjitë e kalbura, fetë, ushtritë, luftërat, kufijtë, qytetet, korporatat, mbretërit, tiranët, dhe patologjitë e shumëllojshme të tyre do të zhduken; dhe specia më shkatërrimtare, e dhunshme dhe hakmarrëse që ka njohur planeti ynë më në fund do t’i pushojë qenia, duke i dhënë nënës Tokë një mundësi për tu kthyer sërish te ajo qetësia e qëmotshme.

Më pas kujtova se e kisha ditëlindjen dhe, duke u ndier paksa i përhumbur, mendimet m’u kthyen nga Fundi i Kohërave te e ëma ime, që gjendej dy kontinente dhe disa zona kohore larg meje. Me një ndjenjë të trishtë në lukth e kujtova moshën e saj të shtyrë, shëndetin e brishtë, dhe regjimin depresionues të barërave dhe qetësuesve që i duhet t’i marrë dita-ditës, artriti që ia mundon eshtërat dhe ia trazon gjumin në pikë të natës, duke ia mbërthyer trurin me kujtimet dhe gajlet për fëmijët e shpërndarë mes shtetesh e kontinentesh. Gjithmonë ka qenë meraklie, madje edhe sot vazhdimisht shqetësohet për detajet më të parëndësishme të ditës sime. Duket se është fati i nënave të mos tërhiqen kurrë nga amësia.

Për një kohë të gjatë, Patagonia është shfaqur si vegim në imagjinatën time prej kur i kam lexuar udhëpërshkrimet e shkrimtarëve dhe eksploruesve sikur Charles Darëin dhe Paul Theroux, të cilët janë mahnitur me natyrën e pazakontë të rajonit dhe përrallat e mitet e çuditshme të tij. Para vajtjes së evropianëve, të dhënat arkeologjike tregojnë se prania njerëzore në Patagoni ka filluar diku 12,000 vjet më parë, rreth fundit të Periudhës së Akullnajave. Një mbetje e njohur e kësaj jetese të hershme është Cueva de Las Manos (‘shpella e duarve’) e cila shfaq qindra gjurmë duarsh të pikturuara në muret e shpellës. Tani mendohet se arti i shpellave ka qenë shumë më i rëndësishëm në evoluimin e njeriut modern sesa është llogaritur më parë. Disa antropologë sugjerojnë se arti i shpellave, i cili është shfaqur për herë të parë në Evropë para më shumë se 30,000 vjetësh, përkon me ngritjen e Homo Sapiensit si specie dominante, gjë që shpiu te fundi i Neandertalëve, të cilëve me gjasë u kanë munguar strukturat neurologjike për të formuar simbole dhe për të komunikuar përmes tyre. Edhe pse të padeshifrueshme, figurat në Cueva de Las Manos janë dëshmi e codeve më të hershme të organizimit dhe komunikimit në krahinën e Patagonisë, të cilën banorët e hershëm e ndanë me kafshët sikur guanakoja, krijesë e marrshme dhe elegante, që sot është banuesi më ikonik i stepeve dhe pampave të Patagonisë.

Foto: Mikra Krasniqi

Më afër kohës sonë, Argjentina, ngashëm me pjesën më të madhe të Amerikës Jugore, ishte koloni spanjolle para se të shkëputej në fillim të shekullit të 19-të dhe të mbërthehej nga kaosi dhe lufta civile shumëdekadëshe. Sidoqoftë, në vitet e 1880-ta, vendi hyri në një periudhë të paparë të zhvillimit ekonomik dhe begatisë, gjë që shkaktoi valën më të madhe të imigrimit që kishte përjetuar deri atëherë. Duke ikur nga lufta, skamja, dhe qytetet e fëlliqura të Evropës, qindra mijëra imigrantët zbarkuan në Argjentinë dukë ndezur debat të mprehtë politik rreth karakterit të shtetit.

Pas Luftës së Dytë Botërore, Argjentina u bë magnet për një klasë tjetër imigrantësh: kriminelët e luftës—nazistët, fashistët, anëtarët e Ustashëve, e kështu me radhë. Edhe Adolf Eichmann, arkitekti kryesor i Holokaustit të Hitlerit, është futur ilegalisht në Argjentinë gjatë viteve të 50-ta me ndihmën dhe sponsorimin e drejtpërdrejtë të Kishës Katolike dhe qeverisë së Juan Peron-it. Po ashtu në Ballkan, Kroacia e udhëhequr nga Ustashët ishte bërë shtet kukull nazist dhe  mori pjesë në konspiracionin për t’i dërguar kriminelët e luftës drejt Argjentinës pas rënies së Gjermanisë në vitin 1945. Ante Paveliq, themeluesi famëkeq i Ustashes, mbërriti në Argjentinë në vjeshtë të vitit 1948 me emrin Pablo Aranjos. Aq i përhapur ishte operacioni për t’i zhvendosur këta përbindësha në Argjentinë, saqë dolën spekulime të çmendura se edhe vetë Hitleri ishte arratisur atje dhe jetonte paqësisht me ndihmësit e tij diku në Patagoni.

Foto: Mikra Krasniqi

Edhe pse ishte veçanërisht qeveria e Peronit që strehoi bashkëpunëtorët më famëkeqë nazistë, nami i Argjentinës si strehë dhe tokë e premtuar frymëzoi shumë prej kriminelëve të viteve të 90-ta që u shpërfaqën nga rrënojat e Jugosllavisë. Ndër më të njohurit që kanë kaluar kohë në Argjentinë janë Ante Gotovina, i cili fillimisht u akuzua nga Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë për krime lufte gjatë luftës mes Serbisë dhe Kroacisë, dhe më vonë është liruar me apel, dhe Milan Lukic, serb i Bosnjës që ka urdhëruar vrasjen e civilëve, përfshirë gratë dhe fëmijët, në Vishegrad gjatë Luftës së Bosnjës. Ai u arrestua në Buenos Aires në vitin 2005.

Po të njëjtin vit në Mendoza të Argjentinës, rajon i njohur për verën Malbec, policia arrestoi një burrë të lindur në Kosovë me emrin Nebojsha Miniq, i cili kishte jetuar në atë shtet për disa vite me emrin e rremë Vlada Radivojeviq. Disa lexues do ta kujtojnë se Miniqi ishte kriminel i pamëshirshëm i luftës dhe komandant i “Çakajve”, njësi paramilitare gjatë Luftës së Kosovës që vepronte nën petkun e ushtrisë së Serbisë në rrethinën e Pejës, vendlindjen e Miniqit. Më pari kishte qenë anëtar i Gardës Vullnetare Serbe në Bosnjë, njësi e formuar nga Arkani.

Gjatë pranverës së vitit 1999, Miniqi, i njohur gjithashtu si “Mrtvi” (Vdekja), i priu Çakajtë drejt katër katundeve të Pejsës dhe vranë më se 100 shqiptarë civilë të Kosovës. “Tmerr i vërtetë” është si e përshkroi Zoran Rashkoviqi, njëri nga vrasësit dhe dëshmitar kyç në një gjykatë special të Beogradit, masakrën në Lubeniq. Në dokumentarin e BIRN-it “Të Paidentifikuarit” ku flitet për masakrat, Rashkoviqi shprehet se si u ndie pas vrasjeve në mëngjesin e 1 prillit: “Kur të gjithë ishtin të vdekur dhe të qetë, i ktheva sytë lart nga minarja dhe mendova, ‘Zot, çfarë dite e bukur’. Ishte me të vërtetë ditë e mirë me diell. Dhe nuk mund ta bëja veten të shikoja poshtë.”

Nebojsha Miniqi vdiq nga SIDA dhe kanceri në spitalin e Mendozës duke pritur ekstradimin. Pjesëtarët tjerë të njësisë u dënuan nga një gjykatë speciale në Beograd me 106 vjet burgim, por aktgjykimi më vonë u zhbë përmes apelit. Qeveritë pasardhëse argjentinase kanë hetuar dhe arrestuar njerëz sikur Miniqi dhe Lukiqi, por shkalla dhe numrat e kriminelëve të luftës të pensionuar në Argjentinë dhe vende tjera në Amerikë të Jugut mbeten të panjohura. Mbase do të duhet vite të tëra punë të mundimshme hulumtuese për t’i gjetur dhe arrestuar kriminelët më pak të njohur që morën pjesë drejtpërdrejtë në kërdinë e luftërave të Ballkanit të viteve të 90-ta, por të cilët sot jetojnë lirshëm në qytete të Argjentinës e më tej.