Nëntori - Muaji i Luftës Kundër Dhunës

Mua vërtet më duket mbresëlënëse që teksa natyra vdes dhe ngadalë tretet në gjumin dimëror, ndjenjat njerëzore disi meken gjatë nëntorit dhe të gjitha organizatat, qeveritare dhe joqeveritare, përpiqen të tregojnë kujdes për fëmijët, viktimat e dhunës në familje, etj., duke u munduar që ta shpëtojnë botën.

Hipokrizi? Mbase.

Në mungesë të veprimeve kuptimplota, është mirë që për këtë punë së paku të diskutohet publikisht. Shkencërisht po e quajnë “vetëdijesim”.

Po, në zërin tim mund të ndihet një dozë sarkazmi, teksa e vështroj tërë këtë situatë me sy kritik nga anash, duke e ditur thellë në vete se asgjë nuk do të ndryshojë.
 
Pesimizëm? Si mund të mos ketë pesimizëm, kur nuk ka rezultate. Unë thjesht jam reale.

Megjithë tërë këtë unë e dua nëntorin. Ndjej se njerëzit nuk i kanë humbur shpirtrat. Ndjej se ende u dhemb për dhimbjen që të tjerët ndiejnë. Ndjej se ka shpresë për shpëtimin e njerëzimit, edhe pse deri në fyt është ngujuar në zili, gjak dhe urrejtje. Në urrejtje ndaj tërë asaj që nuk është e jona, urrejtje ndaj nënave tona, fëmijëve tanë.

Teksa kthehem nga puna në shtëpi, nga panotë reklamuese më përshëndesin numrat e telefonit SOS për ndihmë fëmijëve të kërcënuar dhe grave të rrahura. Rrëqethëse!

A varet fuqia e një dhunuesi nga madhësia e muskujve që u shkaktojnë dhimbje të pambrojturve dhe të dobëtëve?

Përse pas tërë asaj që ndodh ende i arsyetojmë ata me diagnoza të ndryshme, duke thënë se janë të varur nga alkooli, se janë të papunë apo janë të pakënaqur me statusin social?

Nga ana tjetër, përse nuk kemi ende mekanizma gjyqësorë për t’i ndëshkuar ata? Apo, ndoshta jetojmë në kohë të tolerancës ndaj çdo gjëje, përfshirë këtu edhe dhunën?

Kam tepër pikëpyetje, por e di se përgjigjet në to nuk do t’i gjej deri në përfundimin e shkrimit të kësaj kolumne.

Më 20 nëntor u shënua Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve.

Unë do të shtoja se çdo ditë është ditë e fëmijëve, dhe po ndaj me ju statusin tim në facebook: “Të luftojmë për fëmijët. Të duam fëmijët. Të punojmë në krijimin e një bote më të bukur për ta. Bota është vend i bukur pikërisht për shkak të tyre. Të mos lejojmë dhunën mbi fëmijët. Të mos lejojmë vrasjen e fëmijëve të palindur, ngase secili prej tyre mund të bëhet në të ardhmen një Teslla apo Gandi i ri, apo thjesht të jetë një njeri i mirë, e të tillë kohëve të fundit ka çdo herë e më pak. Ne duhet të jemi zëri i barazisë dhe diversitetit. Planeti jonë do t’i përket foshnjave të së ardhmes dhe shpresoj se ato dot ë kujdesen pak më shumë për planetin tonë dhe për njëri-tjetrin”.

Nëntori është muaj i luftës kundër dhunës, ndërsa 25 nëntori është Dita Ndërkombëtare e Luftës Kundër Dhunës Ndaj Grave.

Pikërisht një grup i grave të bukura, të reja dhe të arsimuara nga Graçanica dhe rrethina e ka organizuar një debat publik në këtë temë, gjatë të cilit u paraqitën rezultatet e hulumtimit të tyre për praninë e dhunës në familje në territorin e komunës së Graçanicës.

Në debat ishin të pranishëm edhe përfaqësues të institucioneve zyrtare qendrore dhe lokale, ambasadorë, etj. Të gjithë ata premtuan përkrahje në zgjidhjen e këtij problemi. Edhe një hap tjetër në luftën kundër dhunës në qelizën themelore të shoqërisë – në familje.

Në Kosovë ekzistojnë gjashtë shtëpi të sigurta. Në mjediset serbe nuk ekziston asnjë e tillë. Ky është caku afatgjatë i këtij grupi joformal të qytetarëve që punon në ngritjen e vetëdijes së qytetarëve duke kërkuar nga ta që të flasin publikisht mbi këtë problem. Jeta në enklavë, mjedisi konservativ dhe shumë faktorë tjerë kontribuojnë në mosngritjen e zërit kurdo që bëhet fjalë për këtë problem. E në mua ka pak shpresë se diçka do të ndryshojë në lidhje me këtë problem, duke qenë se hulumtimet tregojnë se më shumë se  80p për qind e njerëzve janë të gatshëm që të lajmërojnë dhunën. Ndërsa i mbetet Policisë së Kosovës dhe gjyqësisë së saj që me përgjegjësi të kryejnë detyrat e veta, në pajtim me ligjin.

Disa statistika thonë tregojnë se çdo e treta grua është viktimë e dhunës në familje. Ato janë gratë tuaja, nënat tuaja, motrat tuaja dhe vajzat tuaja. Për këtë arsye, unë do ta shfrytëzojë këtë hapësirë të vogël mediale për të ju ftuar që të mos heshtim, të lajmërojmë dhunën, të flasim publikisht për këtë problem dhe t’ia themi dhunë një JO të madhe!

Deri në shkrimet dhe leximet e radhës, ju do dhe ju përshëndet e juaja D.