Pacientët të Denigruar e të Nënçmuar

Pacientët në Kosovë, konsumatorët e shërbimeve shëndetësore, spitalore, farmaceutike… edhe këtë 7 Prill – Ditën Botërore të Shëndetit, po e presin me shpresa të mëdha, shumë shpesh të premtuara deri më tani por, për fat të keq, akoma të parealizuara. E pata thënë dhe, meqë nuk kam asgjë të re për të konstatuar ose për të thënë, po e përsëris: Me gjithë ca lëvizje e tentativa, investime e riparime, ca zgjerime e përmirësime të kushteve për punë, pacientët në Kosovë, konsumatorët e shërbimeve shëndetësore, spitalore, farmaceutike, taksapaguesit dhe gjeneruesit kryesor të Buxhetit të Kosovës prej nga (mbi)jeton shëndetësia e Kosovës, edhe këtë 7 Prill – Ditën Botërore të Shëndetit, e presin në kushte të padenja, në rrethana nënçmuese, në situatë denigruese, me emocione përplot indinjatë… Tepër të shkelur, të mashtruar, të ofenduar, të zhvatur, të diskriminuar me paranë e vet që e ndajnë nga goja.
 
Konsumatori taksapagues përbëhet edhe nga 54 % që “ jetojnë” në varfëri, prej të cilëve 18 % në varfëri të skajshme dhe me vështirësi sigurojnë bukën e thatë të gojës. Pacienti – konsumatori përbëhet edhe nga pensionistët të cilët jetojnë nga “pensionet” deri 80 € (e po këta investuan maksimumin e tyre për Kosovën e sotme), të cilat nuk iu mjaftojnë as për medikamente…(?!)

E, po këta kontribuan dhe vazhdojnë të ofrojë kontribut maksimal për shëndetësinë e përçarë nga interesat grupore, të varfëruar nga egoizmi dhe konfliktet e interesit, të sëmurë nga morali dhe etika me (pa) vlera të dyshimta. Po këta kontribuojnë për Shëndetësinë të cilën e kanë dënuar grupet e interesit dhe partitë që e kanë shtrirë për toke interesin, lëmin më madhor të Shtetit – SHËNDETËSINË E KOSOVËS. Nga kjo varfëri e jona pacienti/ konsumatori taksapagues është duke ndarë shuma enorme parash, para këto që i tejkalojnë mundësitë tona e që, si kundërshpërblim, nuk marrim asgjë!

Lojërat me ligjet (akoma nuk kemi ligje të kompletuara dhe ato në vazhdimësi disavjeçare hartohen pa ne, pa pacientin, pa konsumuesin taksapagues të shërbimeve shëndetësore – pa sukses), marifetet me kuadrot, ledhatimet e mantelbardhëve të cilët mbajnë vende pune edhe në institucionet shëndetësore e shtetit edhe në ato private, kontrabanda e medikamenteve, prishja/ shkatërrimi i qëllimshëm i impianteve të shtrenjta – që janë blerë me paranë e pacientëve – konsumatorëve taksapagues vendor dhe nga shtetet mike donatore, nepotizmi, nëpërkëmbja e të drejtave të pacientëve dhe lojërat tepër primitive e denigruese me ta; korrupsioni, ryshfeti dhe  detyrimi i pacientit të paguajë edhe një taksë/ tatim shtesë, vjedhja e pacientëve, rastet e pashpjeguara, të pahetuara, të pazbardhura të vdekjes, mungesa e sigurisë dhe keqtrajtimi i pacientëve…bëjnë kupën e stërmbushur të shëndetsisë së sëmurë e cila, si e tillë, nuk është në gjendje ta shërojë pacientin taksapagues të cilin e detyron të paguajë disa herë dhe i kushton shumëfish më shtrenjtë se të shërohet në klinikat private ose jashtë shtetit!

Këto veprime e pamje të mjera duken edhe më tragjike nëse na ofrohen nga mantelbardhët për të cilët ne mendojmë se janë një superstrukturë e shoqërisë dhe e shtetit. Çfarë kundërshtie e madhe mes emrit të lartësuar dhe veprimeve të ulëta, sa shumë është përafruar betimi i Hipokratit me sjelljet e hipokritit… Sa fort jemi zhgënjyer!

Kjo shëndetësi, e tillë çfarë na ofrohet për paranë tonë të grumbulluar me mund të madh në Arkën e Shtetit, nuk është e aftë të na ofrojë, e lëre më të na siguroje e garantojë, asnjë standard as cilësi e besim, as sasi e mbështetje, as kontinuitet e rahati, as çmime konform standardeve shëndetësore Botërore ose Europiane dhe standardit jetësor mesatar, as…asgjë.

Këta mantelbardhë po tallen me ne, po na shpotisin dhe…po na shajnë paranë e fituar me shumë mund e djersë, të ndarë me mund nga kafshata e gojës, paranë për të cilën ata pandehin se ua sjellin kryeparlamentarët, kryeministrat, ministrat e menaxherët nga trashëgimia e gjyshërve të tyre. E shohin shtetin e paaftë dhe i sulen pas shpine, të përkrahur nga aplikimi i ulët i ligjeve, nga aferat korruptive, nga grupet, nga klanet, nga mafiozët, nga mundësi abuzimesh – nga më të ndryshmet.
 
Të dëshpëruar dhe të pakënaqur me punën dhe me pamundësimin që ne si pacientë e konsumues të shërbimeve shëndetësore – spitalore – farmaceutike të vlerësojmë të evaluojmë cilësinë, sasinë, vëllimin, kontinuitetin, çmimin, mirësjelljen ndaj nesh dhe…ndjehemi njësoj si të mos kishim fare as shëndetësi as mjekësi, as mantelbardhë, të cilët, e pranojmë se, nuk janë të motivuar as kuadrovikisht, as teknikisht e as materialisht.

Milionat, donacionet, impiantet e shtrenjta, medikamentet, specializimet…që u dhanë në formë donacionesh, kontribute pacientësh – konsumatorësh taksapagues vendor dhe nga vendet mike, u keqmenaxhuan duke mos i dhënë llogari askush askujt.
 
Patëm edhe shumë ditë e data tjera të shënuara, dhe do t’i kemi edhe disa, për të gjitha trajtat e shfaqjes së konsumatorit në tregun e produkteve, mallrave e shërbimeve. Sa për show medial dolën dhe do të dalin në skenë po ata të cilët i shkelin të drejtat, interesat dhe dinjitetin e konsumatorit, po ata që nuk i përmbushën premtimet e dhëna, të njëjtit të cilët nuk ditën t i përmbushin standardet, “ të përbetuarit në rrugën e Integrimeve Europiane” – duke i dhëne vulë të përbashkët “sekretit publik”: Diskriminimi i pacientit – konsumues i ofertës, i shërbimeve shëndetësore, spitalore e farmaceutike.
 
Patëm edhe Muajin dhe Ditën (15 Marsi) Botërore të Konsumatorit, që ishte muaji dhe dita edhe e pacientit – konsumues i shërbimeve, i ofertës shëndetësore, spitalore e farmaceutike për të cilat as Ministria Shëndetësisë, as QKUK, as asnjë institucion shëndetësor, asnjë klinikë, asnjë manetalbardhë që aq shumë para vjelin nga pacienti – konsumues i shërbimeve të tyre nuk e ndërmorën asnjë veprim që do t i respektonte ose denjonte ata, asnjë përkrahje, asnjë aktivitet ose veprim të nevojshëm pozitiv të paktën me shoqërinë civile e cila merret me kauzën e konsumutarit – edhe të pacientit konsumues të shërbimeve të tyre.
 
Nuk ka simptome se Dita Botërore e Shëndetit – 7 Prilli, do të sjellë ndonjë ndryshim, përmirësim, bonitet…diç më të mirë. Megjithatë, për të shprehur të paktën vullnetin e mirë, keqardhjen, pendimin me gjendjen shumë larg standardeve dhe për të dërguar mesazh shpresëdhënës ka mjaft kohë; Ka kohë që të paktën Sindikatat e mantelbardhëve të kërkojnë trajtim më të denjë të pacientit, të konsumuesit të shërbimeve shëndetësore, spitalore e farmaceutike; Ka kohë që individët të cilët nuk duan të identifikohen me këto ( ndoshta ) etiketime të nisin proceset e ndryshimit të trajtimit të pacientit – konsumuesit të shërbimeve të tyre, duke u nisur nga klinikat e QKUK-ës e gjetiu ku pacienti konsiderohet i shtypur dhe pa të drejta, i keqtrajtuar dhe i “ padenjë “ për të qenë partner së bashku me paranë e dyfishtë që e ndanë për shëndetësi. Të gjithë këta, në veçanti Ministria e Shëndetësisë, duhet t i ndërmarrin veprimet e duhura në drejtim të pajtimit me pacientin të cilit i shërbejnë, për të cilin ekzistojnë dhe të cilit i kushtojnë tepër shtrenjtë.
 
Natyrisht se nuk duhet harruar as amnistuar as zyrat në Prishtinë të organizatave, të institucioneve e asociacioneve të shëndetësisë, të cilat këto data të shënuara i “rrumbullakojnë” me mbledhje, takime e solemnitete me institucionet e zyrtarët e shtetit, me meaxhmentet shëndetësore, ose me tryeza e me inaugurime të ndryshme dhe gjithë këtë e bëjnë si show medial para gazetarëve: Target grupi i organizatave, institucioneve e asociacioneve të shëndetësisë është pacienti – konsumues i shërbimeve shëndetësore, spitalore e farmaceutike e jo institucionet, qofshin ato shtetërore ose shëndetësore.
 
Autori është drejtor Ekzekutiv i organizatës “Konsumatori”