Lapidaromania e Kapitalistëve Politikë të Prishtinës dhe Beogradit

Në prag të zgjedhjeve të majit të vitit 2012 në jugun e Serbisë ose Kosovën lindore, shqiptarët u përballën me një aksion të Ministrisë së Punëve të Brendshme, e njohur si MUP-i serb, në krye të së cilës ishte kryeministri i tanishëm Ivica Daçiq.

Daçiq arriti që të zhvatë kapital politik për opinionin e brendshëm serb, duke arrestuar dhe përdhunuar familje shqiptare dhe ish-pjesëtarë të UÇPMB-së, të cilët Serbia e vitit 2001 i kishte amnistuar, duke qenë se shqiptarët kishin pranuar t’i dorëzonin armët e tyre si rezultat i ndërhyrjeve të politikës ndërkombëtare dhe asaj të Prishtinës.

Nëntori i vitit 2012 shënon edhe muajin e tretë të radhës që kur kryetari i komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa, i kishte kërkuar një takim kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçit, por ky i fundit nuk e kishte pranuar për arsye se Mustafa nuk ishte bashkërenduar me kryeministrin Thaçi për zhvillime të caktuara në Luginë. Një shkas tjetër mund të ketë qenë edhe afërsitë e Mustafës me ish -kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, dhe me krahun socialist shqiptar në Tiranë.

Një pllakë përkujtimore e vendosur nga veteranët e UÇPMB-së në Preshevë mes 16 dhe 17 Nëntorit 2012, e kishte sjellë Mustafën para një akti të kryer, ku ai duhej të ishte pjesë e inaugurimit të këtij memoriali.

Dihet se OVL e UÇPMB-së është e bashkërenduar me OVL-të në Kosovë dhe IRJM.

Më 17 nëntor 2012, ditë e premte, në qendër të Preshevës, para objektit të Kuvendit të Komunës ishte inauguruar pllaka përkujtimore e Dëshmorëve të Kombit të rënë gjatë luftës së lavdishme të UÇPMB-së. Njëzet e shtatë emrat e dëshmorëve, të cilët ishin të gdhendur me shkronja të arta, do të ishin udhërrëfyes i gjeneratave të ardhshme, thuhej mes tjerash në ngjarjen e inaugurimit.

Beogradi reagon më 29 dhjetor 2012, përmes një deklarate të kryeministrit Ivica Daçiq, i cili kishte thënë se nuk do të marrë pjesë në raundin e ardhshëm të bisedimeve, nëse autoritetet lokale në Preshevë nuk e heqin përmendoren e UÇPMB-së, e cila ishte vendosur para Kuvendit të Komunës në fund të muajit nëntor.

Mbështetja e reagimit të Daçiqit vjen më 10 janar 2013 nga ambasadori francez në Beograd, Xavier Denio, i cili kishte deklaruar se çështja e lapidarit të UÇPMB-së në Preshevë është kryekëput çështje e brendshme e Serbisë, duke sugjeruar se duhet shikuar nga e ardhmja me synimin “për integrimin më të mirë të popullsisë së Bujanocit, Preshevës dhe Medvegjës në vendin e tyre, Serbinë”.

Foto: Vedat Xhymshiti

Ndërkohë, po atë ditë, kryetari i Komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa, në Prishtinë kishte thënë se është i gatshëm që të japë dorëheqje nëse më 17 janar largohet lapidari i UÇPMB-së. “Dorëheqja ime është e pakontestueshme dhe nuk diskutohet”, kishte thënë Mustafa në emisionin “Rubikon” të KTV-së, duke kënaqur kështu apetitet e Prishtinës për ndryshime politike në Luginë.

Më 11 janar 2013 u tha se kishin dështuar negociatat mes autoriteteve qendrore të Republikës së Serbisë dhe atyre lokale në jug të Serbisë të përfaqësuara nga shqiptarët në prezencë edhe të faktorit ndërkombëtar.

Ndërkohë, më 14 janar 2013, persona të panjohur të maskuar me stemat e “Armatës Kombëtare Shqiptare – AKSH”, ishin shfaqur sërish, përmes një video incizimi amator e të pa-verifikuar ë gjeti hapësirë transmetimi në mediat e caktuara të Kosovës.

AKSH-ja kishte shpallur mobilizim të anëtarëve të vet, të nxitur, siç kishin thënë anëtarët e shtabit të “AKSH-së për Kosovë”, “nga kërcënimet serbe se do ta ndajnë një pjesë të territorit të Kosovës dhe kërcënimeve për ta larguar me forcë lapidarin e UÇPMB-së në Preshevë”. AKSH apo ndryshe e njohur si ushtria e internetit, e armatosur me imagjinatën e saj pjellore, është e njohur për shumë deklarata kërcënuese drejtuar politikës shqiptare në Prishtinë, Shkup e Tiranë. Kjo organizatë është e shpallur si organizatë terroriste jo-serioze nga autoriteti i departamentit shtetëror amerikan në Washington.

Po me këtë datë, duke folur për problemin e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, veprimtari Adem Demaçi kishte thënë se pa bashkimin e shqiptarëve të asaj pjese, nuk mund të bëhet asgjë. Demaçi u kishte sugjeruar shqiptarëve të asaj pjese që të tregojnë se janë të gatshëm të japin jetën për lirinë e tyre, e jo të shikojnë karriget dhe luftën për pushtet. Me fjalë të tjera, Demaçi i cili është nën kujdesin financiar të Prishtinës zyrtare, bënte thirrje për luftë.

Për luftë kishin bërë thirrje edhe Nait Hasani i PDK-së edhe Rexhep Selimi i VV-së, të cilët pas sekuestrimit të lapidarit, filluan të shajnë politikanët e tjerë, duke përjashtuar veten e tyre nga këto sharje. Këta tre veprimtarë politikë që trumbetonin për pushkë, duket se kishin harruar që veriu i vendit është nën kontrollin e strukturave institucionale për Serbinë, e kriminale për Kosovën tash e 13 vite.

Fushata e Kapitalit Politik (FKP)

17 janari është dita kur nis gjithçka për të nxitur shqiptarët dhe autoritetet serbe drejt një konflikti të mundshëm e të imagjinuar. Atë ditë filloi të shfaqej hapur fushata për kapital politik e politikës në Prishtinë dhe asaj në Beograd. Po kjo datë është edhe mbrëmja e cila po shënonte një takim të rëndësishëm kokë-më-kokë të krerëve institucionalë shtetërorë të Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel.

Thaçi i Prishtinës, kishte vendosur që të hyrat financiare që do të rrjedhin nga pikat kufitare administrative me Serbinë të shkonin drejt për së drejti në buxhetin e komunave serbe duke precizuar se autoritetet e qytetit të ndarë të Mitrovicës tash e 13 vjet do të ishin përgjegjës për këtë buxhet.

Nga ana tjetër, për këtë këmbim valutash politike, ditë më parë kishte folur edhe kryeministri serb, Ivica Daçiq, i cili kishte premtuar Prishtinës ulëse në OKB në rast se Prishtina do t’i jepte autonomi serbëve te veriut. Natyrisht, Prishtina nuk do ta pranojë publikisht se veriut i ishte dhënë autonomia, por do ta përmbushte substancialisht atë përmes marrëveshjeve të bëra në Bruksel më 17 janar 2013, e të cilat do të zgjonin një reagim të “makinave të zjarrta” të vetëquajturve “Të Pakënaqurit”, të cilët padyshim se janë mekanizëm i njërës prej subjekteve politike opozitare në Kosovë, për të arsyetuar pastaj mungesën e reagimit serioz kundër këtyre marrëveshje e për të ngelur me shpresë se do të përfitojnë ndonjë kapital politik duke e quajtur kryeministrin e vendit – tradhtar.

Natyrisht Prishtina zyrtare kaloi pa asnjë therrë në këmbë ani pse i kishte bërë këto marrëveshje në dëm të secilit prej qytetarëve të vendit duke dëmtuar seriozisht buxhetin dhe duke krijuar një pengesë serioze për të krijuar ndonjëherë një kufi territorial me Serbinë.

Politika e Prishtinës dukej se ishte marrë vesh mirë me pronarët e mediave të caktuara që vëmendjen e situatës ta përqendronin në Luginë të Preshevës. Lapidaromania në Preshevë i bëri shqiptarët të harrojnë se po legjitimohen “Serbitë” e vogla në Kosovë. E mediat të cilat e cilësojnë vetën si më të shikuarat dhe më prestigjiozet e vendit, i shërbenin shqiptarët me lajme të pa-verifikuara të cilat merreshin nga portalet serbe të afërta me Daçiqin.

“Situatë e tensionuar në Preshevë. Pesë autobusë me ushtarë dhe xhandarë serbë janë nisur në drejtim të Luginës së Preshevës”…Lajme të këtilla, me përmbajtje nxitëse. Trumbetimi i tyre i bëri shqiptarët të ndiheshin se Presheva tashmë ishte Kosovë, por vetëm se duhej një organizim i vogël për të mbrojtur lapidarin.

E njëjta propagandë mediatike ishte lansuar nga vetë portalet serbe nga të cilat mediat e Kosovës shërbeheshin duke përfshirë këtu edhe agjencinë shtetërore serbe Tanjug. Pra mediat e palëve të supozuara në konflikt po ngrisnin sasi në shërbim të kapitalit politik të Prishtinës dhe Beogradit, duke pranuar kështu që pa kurrfarë morali dhe etike profesionale të terrorizonin shqiptarët dhe t’i inkurajonin serbët.

Beogradit zyrtar i duhej kapitali politik për popullin e vet, ndërkohë Prishtinës zyrtare i duhej që ta dëshmonte se pavarësisht marrëveshjeve të rënda, ata (politikanët) janë menaxhues të shkëlqyer të konflikteve të mundshme me popullin dhe do duhej që të siguroheshin se nuk do të kishte reagim, pra siç duket politikës në Prishtinë i duhet të ndërtoj kapital politik në sy të faktorit politik ndërkombëtar i cili edhe është fuqi ekzekutive, duke qenë se ata e legjitimuan qeverinë me vota të vjedhura deri tek vendimi më absurd, sjelljen e kryetares së vendit përmes një zarfi.

Me rastin e informatave nga burimet e afërta me policinë se një numër gjithnjë e më i madh i pjesëtarëve të policisë dhe xhandarmërisë serbe nga e mërkura po stacionohen në Luginën e Preshevës, drejtori i policisë së Serbisë, Millorad Veloviq, kishte deklaruar se bëhet fjalë për “aktivitete të rregullta policore”. Sipas po këtyre burimeve, ky sistemim nuk është i lidhur me përmendoren për luftëtarët e UÇPMB-së në Preshevë.

Si shpjegohej, “fjala është për veprim parandalues, për shkak të kërcënimeve të dërguara ditëve të mëparshme nëpërmjet kumtesave, të nënshkruara nga grupe të ndryshme nga Kosova e Maqedonia”, njoftonin agjencitë serioze serbe B92 dhe Fonet, por për mediat e caktuara të Kosovës që kishin marrëveshje paraprake me politikën në Prishtinë, nuk kishin rëndësi këto raporte. Ato dëshironin me aq zell të ofronin lajme nga portalet serbe të afërta me qeverinë në Beograd. Dhe aq më pak të dërgonin staf të tyre ne terren për të verifikuar zhvillimet dhe për tii raportuar ato në mënyre kredibile, ashtu siç dinë kur duan pronarët dhe kryeredaktorët.

20 janari i këtij viti, kishte zbardhur Preshevën me rreth 200 pjesëtar të forcave speciale dhe të xhandarmerisë serbe. Në orën shtatë të mëngjesit autoritetet serbe kishin larguar lapidarin e vendosur në qendër të Preshevës. Xhandarmëria e kishte larguar dhe marrë me vete lapidarin duke e dërguar në lokacion të raportuar si të panjohur dhe pastaj ishin larguar nga qendra e Preshevës, njoftojnë agjencitë ndërkombëtare të lajmeve REUTERS dhe AFP.

E gjithë klasa politike shqiptare në Prishtinë e Tiranë vrapuan kush më parë e kush më vonë të japin deklarata reaguese lidhur me këto akte, por askush nga reaguesit nuk ndërmorën asgjë. Tani është koha kur garuesit presin rezultatet se kush sa kapital politik ka arritur të fitojë. Ndryshe për Daçiqin e Beogradit, kuptohet që kapitali politik i fituar është shumë i çmuar. Në zgjedhjet e ardhshme ai mund edhe të premtojë qytetarëve të tij se do t’i heq qafet shqiptarët edhe nga Serbia, kjo për shkak të traditës së tij të krijuar nga ish presidenti Slobodan Milosheviç i cili shkatërroi Jugosllavinë duke e vërshuar në gjak gjithë ballkanin me idetë e tij çnjerëzore.

Rebelimi i vitit 2000-2001 në rajonet jugore serbe të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit është parë gjerësisht si një përhapje e konfliktit në Kosovë, si një presion i shqiptarëve në jug të Serbisë për t’u bashkuar me Kosovën e sapo çliruar.

NATO kishte ndërmjetësuari një marrëveshje paqe, dhe Serbia ishte zotuar për më shumë të drejta dhe mundësi ekonomike për shqiptarët e jugut. Por përparimi ka qenë shumë i ngadaltë. Që nga atëherë, Serbia Jugore mbetet rajoni më i varfër i një vendi i cili ka për qëllim për t’u integruar në Bashkimin Europian. Shqiptarët etnikë konsiderojnë luftëtarët si heronj. Derisa autoritetet në Beograd, thonë se ata janë terroristë.

Ekspertë të pavarur ligjorë serbë dhe shqiptarë thonë se nuk është ligjor etiketimi i luftëtarëve të UÇPMB-së si terroristë pasi që Serbia e vitit 2001 i kishin pranuar përfaqësuesit e tyre si palë negociuese. Por, ekspertët në fjalë pas verifikimeve deklarohen se ka qenë e jashtëligjshme edhe vendosja e lapidarit të luftëtarëve, pasi që objekti komunal është pronë e të gjithëve dhe simbolet e kohës së luftërave janë të ndaluara të përdoren nga autoritetet e të dy bashkësive etnike në konflikt, aty ku etnitë janë të përziera në qeverisje.

Vedat Xhymshiti ka raportuar nga rajonet e konflikteve në Lindje të Mesme, Kaukaz dhe Afrikën e Jugut. Përpjekjet e pavarura të tij në gazetari janë të dokumentuara në ditarin e tij në http://vedatxhymshiti.blogspot.com