Jolie Trajton Çështjen e Përdhunimit

Angelina Jolie, regjisore e filmit “Në tokën e Gjakut dhe Mjaltit”, thotë se donte të sillte në vëmendje faktin se sipas Komisionit të OKB-së që merret me dhunën seksuale gjatë luftës, rreth 50 mijë gra dhe qindra meshkuj janë përdhunuar dhe abuzuar seksualisht gjatë luftës në Bosnjë.
 
“Puna me këtë film do të thotë shumë për mua. Jam e kënaqur që kam zgjedhur këtë temë për filmin tim të parë. E dua Bosnjën”, tha Jolie, gjatë premierës në Sarajevë, më 14 shkurt.
 
Ndërsa debutimi si regjisore i Jolies ka shkaktuar kundërshtime, dokumentari “Fundi i Mosndëshkimit: Abuzimi Seksual Para Tribunalit të Hagës”, pati premierën e tij në Hagë, pa shumë shkëlqim.
 
Dokumentari, nën regjinë e Rob Barsonyt, që përmbante dëshmi të dëshmitarëve të abuzimit seksual gjatë luftës, dhe intervista me zyrtarë të lartë të Tribunalit të Hagës, do të mbërrijë në ish-vendet jugosllave, së shpejti.

“Është shumë e rëndësishme të prezantohen faktet dhe e vërteta, të cilat janë përcaktuar në gjyqet para Tribunalit të Hagës. Tribunali ka procesuar një numër të madh rastesh dhe dënuar një numër të madh individësh, fajtorë për krime përdhunimi dhe abuzimi seksual”, tha Nerma Jelacic, zëdhënëse e Gjykatës për Krime Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, ICTY.

Përveç se të frikësuar për jetën e tyre dhe ato të familjarëve, shumë dëshmitarë e gjetën kurajën për të dëshmuar para Tribunalit të Hagës rreth horrorit të përdhunimit.
 
Në dokumentar shfaqen gra boshnjake nga Foca, të cilat dëshmuan se si janë përdhunuar në moshën 15-vjeçare.
 
“Pasi më përdhunoi, u ul dhe ndezi një cigare. Tha se mund të bënte shumë më shumë, por se nuk do bënte gjë tjetër për tani, sepse isha në një moshë me vajzën e tij”, tha ajo, gjatë dëshmisë së saj.

Një e intervistuar tjetër në dokumentar, një grua serbe nga zona e Konjicit, tha se nuk mund ta besonte se akte të tilla barbare mund të ndodhin në fund të shekullit të 20-të.
 
Tribunali i Hagës luajti një rol historik në ndjekjen penale të abuzimit seksual të kryer gjatë luftërave në ish-Jugosllavi dhe shtroi rrugën për gjykata të tjera rreth botës për të procesuar krime të tilla.

“Para themelimit të ICTY-s, kur ishte përmendur në krime ndaj njerëzimit, përdhunimi është injoruar në të gjitha instrumentet ndërkombëtare”, tha gjyqtari Kirk McDonald, ish kreu i ICTY-s.

Besoj se çfarë ka bërë ICTY, fillimisht, duke përfshirë përdhunimin si krim ndaj njerëzimit dhe së dyti, duke ndjekur penalisht autorët e krimeve dhe duke zhvilluar praktika kundër abuzimit seksual, ka çuar në një situatë ku liderët në këto konflikte u paralajmëruan se rregullat kanë ndryshuar. Ky është progres i rëndësishëm”, tha McDonald.

Që nga fillimi i punës së saj, ICTY ka akuzuar 78, nga një total prej 161 të pandehurish për krime lufte.
 
Tribunali ka procesuar raste të abuzimit brutal seksual, si përdhunim fëmijësh, grash dhe burrash, incest i detyruar dhe gjymtim të organeve gjenitale.