Qeveria-Kuvendi

Foto: Denis Sllovinja

Gratë kosovare e kritikojnë përjashtimin nga dialogu i përbërë vetëm nga burrat

Njëzet vjet pasi një rezolutë kyçe e Kombeve të Bashkuara, KB, kërkoi që gratë të marrin rol mbështetës në proceset e ndërtimit të paqes, gratë mbeten të përjashtuara nga ekipi komplet burrëror i Kosovës që merret me dialogun me Serbinë.

 

Duke shënuar 20 vjetorin e rezolutës së KB 1325, e cila bën thirrje për pjesëmarrjen e grave në vendimmarrje në proceset e ndërtimit të paqes, Zahir Tanin, Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të KB për Kosovën, deklaroi se në të gjithë botën, gratë akoma lihen jashtë nga proceset negociuese.

“Nëse duam të arrijmë shoqëri të drejta, gjithëpërfshirëse dhe paqësore, prioritet e grave duhet të jenë në zemër  të proceseve dhe negociatave për paqe,” tha Tanin.

Sidoqoftë, gratë mbeten kryesisht të përjashtuara nga dialogu i lehtësuar nga BE midis Serbisë dhe Kosovës për të cilin Tanin raporton në Kombet e Bashkuara.

Në vitet e fundit, dialogu Kosovë-Serbi është dominuar nga burrat për sa i përket përfaqësimit të tij, dhe ekipi aktual negociues i Kosovës është i përbërë tërësisht nga burra.

Rrjeti i Grave të Kosovës, RrGGK, ka kritikuar autoritetet lokale në lidhje me këtë përfaqësim, dhe po ashtu është ankuar tek Bashkimi Evropian për mungesën e grave në proceset kyçe negociatore.

Majlinda Behrami, studiuese në RrGGK, e quajti të papranueshme mungesën e përfaqësimit të grave në dialogun me Serbinë, duke pretenduar se rezoluta 1325 e KB  ishte anashkaluar në rastin e Kosovës.

“Gratë konsiderohen si grupi më i prekur nga konflikti [me Serbinë në vitet 1990],” tha Behrami për Prishtina Insight, duke argumentuar se gratë duhet të jenë pjesë e tryezave të rrumbullakëta kur diskutohen çështje që kanë si synim arritjen e paqes.

Vlora Nushi, udhëheqësja e UN Women në Kosovë, deklaroi për Prishtina Insight se institucionet e Kosovës duhet të synojnë barazinë gjinore në pozicionet kyçe në dialogun e udhëhequr nga Brukseli, si në ekipet kryesore ashtu edhe në ekipet teknike.

“Institucionet e Kosovës duhet ti dyfishojnë përpjekjet e tyre për të konfirmuar përgjegjësinë e tyre në zbatimin e detyrimeve që dalin nga rezoluta 1325 si dhe nga Ligji për Barazinë Gjinore, pasi gratë kanë qenë të nënpërfaqësuara në pozitat e larta politike por edhe në Dialogun e Brukselit, përfshirë edhe përgjegjësitë si eksperte teknike si dhe në konsultimet publike në lidhje me përmbajtjen e negociatave dhe dialogut,” tha Nushi.

Sidoqoftë, jo gjithmonë gratë kanë munguar në negociata. Në fillim të dialogut, përgjatë viteve 2011 dhe 2017, Edita Tahiri ishte kryenegociatorja e Kosovës në dialog.

Prishtina Insight ka kërkuar nga Edita Tahiri të komentojë mbi rëndësinë e grave që marrin pjesë në dialog tani, mirëpo deri në momentin e botimit të këtij shkrimi, ajo nuk ka dhënë ndonjë përgjigje.

“Çfarë ka qenë mungesë në mesin e grave në politikën [e Kosovës] është ndjenja e solidaritetit midis njëra-tjetrës,” tha Behrami. “Gratë në politikë duhet të bashkohen dhe të bëhen një zë i fortë për të bërë ndryshime në një mjedis në të cilin burrat kanë [udhëhequr] historikisht dhe për t’i adresuar kërkesat e grave.”

Mungesa e grave në dialog doli në pah në vitin 2018 kur Kuvendi i Kosovës përzgjodhi një ekip negociator të përbërë nga 11 anëtarë, të gjithë burra.

Në qershorin e vitit 2020, Agjencia për Barazi Gjinore që operon brenda qeverisë së Kosovës miratoi një Program për Barazinë Gjinore 2020-2024, i cili parashikonte një rol të shtuar për gratë në dialog.

Muajin pasues, megjithatë, qeveria emëroi Skender Hysenin si Koordinator për dialogun, dhe të gjithë ndihmësit e tij ishin gjithashtu burra.

Behrami nga RrGGK thotë se është e rëndësishme që, përveç përfshirjes së grave në pozitat udhëheqëse në dialog, qeveria gjithashtu përfshin gratë në rolet teknike, pasi ka mjaft gra kompetente për të marrë role të tilla.

“Ka pasur shumë njerëz jokompetentë që janë caktuar në pozicione [në dialog], të tillë sikurse njerëz që udhëheqin komunat, dhe këto kanë qenë veprime qesharake nga ana e qeverisë,” tha Behrami.

Prishtina Insight i ka parashtruar pyetje qeverisë lidhur me mospërfshirjen e grave në dialog dhe lidhur me atë se cili ishte garancioni i saj se ajo po përmbush detyrimet e nënshkruara në muajin qershor, mirëpo deri në kohën e publikimit të këtij shkrimi nuk mori ndonjë përgjigje.

Bashkimi Evropian e ka identifikuar nënpërfaqësimin e grave në proceset e paqes në të gjithë botën. Sidoqoftë, kur u kontaktua nga Prishtina Insight nëse BE kishte kërkuar përfshirjen e më shumë grave në dialogun Kosovë-Serbi, asnjë përgjigjie nuk erdhi  deri në kohën e botimit të këtij shkrimi.

Problem i rrënjosur thellë në një shoqëri patriarkale

Udhëheqësja e UN Women në Kosovë tha se gratë nuk mund të përjashtohen nga procesi për shkak të rolit të rëndësishëm historik që kishin luajtur në konfliktin e kaluar.

“Gratë në Kosovë nuk janë soditëse pasive apo vetëm viktima apo edhe shënjestra,” tha Nushi. “Historikisht ato kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë një rol si agjentë aktivë në ndërtimin e paqes, politikë-bërjen dhe proceset e rimëkëmbjes,” tha Nushi.

Behrami pajtohet, mirëpo thotë se roli i grave në historinë e Kosovës është minimizuar në mënyrë rutinore.

“Historia e grave dhe vajzave nuk njihet [në Kosovë]. Mungesa e njohjes dhe mohimi i kontributit të tyre ka ushqyer idenë se gratë nuk kanë bërë asgjë në të kaluarën …  Mburoja patriarkale është shumë e fortë,” tha Behrami.

“Qeveria duhet ta ketë përfshirjen e grave [në fokus], qoftë në përfaqësim apo në përmbajtjen e dialogut,” shtoi ajo.

“Më shumë se 20 vjet pas luftës ne vazhdojmë t’i përsërisim të njëjtat kërkesa,” vazhdoi ajo, duke e vajtuar “dështimin për të adresuar kërkesat e grave që ishin fronti më i prekur në luftë”.