Albin Kurti zotohet për drejtësi sociale 

Përfaqësuesit nga Lëvizja Vetëvendosje kanë dhënë detaje mbi planet e tyre mbi qeverisje, në një debat elektoral të organizuar nga BIRN të enjten, duke i detajuar luftën kundër varfërisë, duke premtuar reciprocitet me Serbinë dhe duke hedhur poshtë elemente të marrëveshjes të Uashingtonit.

Të enjten në mbrëmje, Jeta Xharra nga BIRN ishte nikoqire e liderit të Vetëvendosjes Albin Kurti dhe një ekipi zyrtarësh të lartë për të diskutuar planet e qeverisjes së kësaj partie, më pak se dy javë para se kosovarët t’i drejtohen qendrave të votimit për të votuar në zgjedhjet parlamentare të datës 14 Shkurt.

 

Kurti deklaroi se një nga prioritetet kryesore për qeverinë e Vetëvendosjes do të jetë rishikimi i vendimeve të ndërmarra nga qeveria e mëparshme e udhëhequr nga Avdullah Hoti.

 “Një nga vendimet e para është rishikimi i të gjitha vendimeve të marra në gjashtë muajt e fundit si dhe anulimi dhe hudhja poshtë e tyre,” tha ai.

Kandidati i Vetëvendosjes për kryeministër deklaroi se çështja më e madhe që prek aktualisht Kosovën është drejtësia, si në sistemin ligjor ashtu edhe në ekonomi. “Kur themi drejtësia, nuk themi vetëm drejtësia në gjykata, por edhe drejtësia në institucione, drejtësia në punësim. Ndërsa kur themi punësimi, mendojmë punësimi pa rreziqe e diskriminime dhe në të njëjtën kohë një punësim ku njerëzit punojnë nëpër profesionet e tyre.”

Kurti shtoi se është me rëndësi lidhja e tregut të punës me sektorin e arsimit, dhe me arsimin profesional në veçanti. “Gjysma e rinisë sot janë pa punë dhe shumica e atyre që punojnë nuk janë nëpër profesionet e tyre,” deklaroi Kurti. 

Vetëvendosje vuri në pah nivelet e larta të emigracionit si një nga sfidat kryesore që duhet të adresohen dhe premtoi të ndërmarrë një numër masash për të ndaluar ikjen e qytetarëve, duke përfshirë luftën kundër varfërisë.

“Këtu do të ndërhyjmë me politika sociale me q`rast, brenda mandatit tonë, të gjithë qytetarët tanë që jetojnë me më pak se një euro në ditë, do t’i nxjerrim nga varfëria ekstreme,” u zotua Kurti. “Duke i nxjerrë nga varfëria njerëzit, ne mundësojmë t’i nxjerrim nga mjerimi social duke u fokusuar tek fëmijët, gratë dhe të moshuarit.”

Si pjesë e përpjekjeve të tyre për ta zhdukur varfërinë, Vetëvendosje premtoi të rrisë pagën minimale nga 170 në 250 euro në muaj. “Ne konsiderojmë se 250 është plotësisht e arritshme dhe ne besojmë se lufta kundër informalitetit në ekonomi do të bëjë të mundur rritjen e të ardhurave,” tha Kurti.

Në lidhje me çështjen e punësimit, Xharra e pyeti Kurtin nëse Vetëvendosje gjithashtu do të vazhdojë të emërojë persona që janë të ndërlidhur me Vetëvendosjen nëpër bordet e ndërmarrjeve publike, ashtu siç ndodhi nën qeverinë e mëparshme të koalicionit partiak me LDK.

Ish -kryeministri pranoi se katër nga njerëzit e emëruar prej tij ishin të ndërlidhur me partinë, mirëpo këmbënguli se ata “ishin të njohur për profesionalizmin e tyre dhe jo për librezën e partisë”.

Jo asfaltit, po skemave sociale

Përveç rritjes së pagës minimale, përfaqësuesit nga Vetëvendosje folën edhe për skema të tjera për të ndihmuar në trajtimin e pabarazisë sociale. Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Arberie Nagavci, deklaroi se një qeveri e Vetëvendosjes do të siguronte strehim social të subvencionuar – duke ofruar 4,000 banesa për çifte të reja me pagesa hipotekore prej 150 euro në muaj.

Nagavci tha se familjet me të ardhura më të vogla do të ndihmohen gjithashtu përmes një numri skemash arsimore, përfshirë 1000 bursa për gra të reja. “Ne gjithashtu planifikojmë të heqim dorë nga pagesa për shkollimin parafillor për familjet që jetojnë me të ardhura të vogla dhe në kushte të rënda ekonomike,” shtoi ajo

Deputetja nga radhët e Vetëvendosjes, Mimoza Kusari, deklaroi se financimi për këto skema shoqërore mund të krijohet duke liruar kapital nga projekte investimesh në shkallë të gjerë, shumë prej të cilave ajo tha se duhen rishikuar. “Financimi i autostradave me paratë e shtetit do të marrë fund”, tha Kusari-Lila

Xharra i kërkoi Kusarit të identifikonte pozicionin e partisë lidhur me Autostradën shumë të debatuar  të Dukagjinit në mënyrë specifike, të cilën deputetja në fjale shpesh e ka kritikuar në të kaluarën. “Autostrada Dukagjini, e cila u shpall nga qeveria PAN, nuk është e nevojshme, ne duhet ta zgjerojmë rrugën por jo ta ndërtojmë një autostradë të mbyllur,” tha ajo

Reciprociteti me Serbinë dhe marrveshjet e Uashingtonit  

Për sa i përket politikës së jashtme, ish Ministri i Punëve të Jashtme Glauk Konjufca u zotua t’i rishikojë të gjitha vendimet e politikës së jashtme të marra nga qeveria Hoti dhe ta përdorë reciprocitetin si një parim udhëzues në marrëdhëniet me Serbinë.

“LVV së pari do ta aplikojë gjuhën e reciprocitetit në të gjitha sferat edhe në atë të mbrojtjes së të drejtave të shqiptarëve që jetojnë atje, në mënyrë që shqiptarët që jetojnë atje të trajtohen barabartë sikurse serbët që trajtohen këtu në Republikën e Kosovës”. “Do të jetë politikë shtetërore që të drejtat e shqiptarëve që jetojnë në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanovc duhet të jenë të barabarta me të drejtat e serbëve që jetojnë në Republikën e Kosovës,” u zotua ai.

Xharra theksoi se nëse reciprociteti do të zbatohej vazhdimisht, atëherë serbët e Kosovës nuk do të ishin në gjendje të përdorin librat e tyre shkollorë në arsimin fillor dhe të mesëm, dhe pyeti nëse një qeveri e Vetëvendosjes do t’i përkthente librat shkollorë shtetëror në gjuhën serbe.

“Në fakt, nën një qeveri të dytë Kurti, arsimi universal do të zbatohet në të gjithë Republikën e Kosovës,” u përgjigj Konjufca. “Për sa i përket kurrikulës dhe përmbajtjes, nuk do të ketë dallime në lëndë të tilla si historia.”

Konjufca shtoi se një qeveri e Vetëvendosjes nuk do të jetë e përkushtuar ndaj të gjitha aspekteve të marrëveshjeve të bëra nga qeveria Hoti në Uashington nën patronazhin e administratës Trump.

Ish-ministri i jashtëm argumentoi se Serbia në vazhdimësi i ka shkelur marrëveshjet, duke drejtuar gishtin tek zyrtarët serbë të cilët vazhdimisht kundërshtojnë njohjen e Kosovës, megjithëse u zotuan ta ndërpresin fushatën e tyre çnjohëse. “Ne nuk mund të jemi tepër të sjellshëm me Serbinë, qëllimi i së cilës është të mohojë ekzistencën e shtetësisë së Kosovës,” tha ai.

Konjufca shtoi se çdo dokument që cenon sovranitetin e Kosovës nuk do të pranohet nga një qeveri e udhëhequr nga Vetëvendosje dhe se kjo parti nuk do të pranonte ndarjen e burimeve natyrore me Serbinë, të tilla si liqeni i Ujmanit.

Duke adresuar formalizimin e njohjes së Kosovës nga Izraeli javën e kaluar, Konjufca deklaroi se ishte një hap i rëndësishëm, por shtoi se vendimi për ta vendosur ambasadën e Kosovës në Jeruzalem nuk ishte “një politikë e mençur”. Ai pranoi që nëse BE insiston në zhvendosjen e ambasadës në mënyrë që Kosova të anëtarësohet në BE, atëherë ky vendim “do të duhej të rishikohej.

Planet mbi vaksinimin dhe sigurimin shëndetësor

Ish-Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia ishte gjithashtu i pranishëm në debat për të diskutuar çështje që kanë të bëjnë me shëndetësinë ndërkohë që Jeta Xharra e vuri në dukje mungesën e tij në sferën publike qysh nga rrëzimi i qeverisë Kurti, pavarësisht nga kriza e vazhdueshme me COVID-19.

“Më vjen mirë që po ju shoh  Z. Vitia, nuk ju kemi parë që nga koha kur ishit ministër,” tha Xharra. “Pse nuk ju kemi pa për kaq shumë muaj? A duhet me folë veç kur jeni në qeveri?”

Vitia u përgjigj duke deklaruar se ai u ka folur qytetarëve përmes një numri tubimesh me qytetarë. “Fakti që nuk isha në TV nuk do të thotë se nuk isha aktiv,” tha ai.

Duke i adresuar çështjet e shëndetit publik, Vitia premtoi se qeveria e Vetëvendosjes do të përpiqet të vaksinojë një minimum prej 50 deri në 60 përqind të popullsisë kundër COVID-19 dhe premtoi se të gjitha barnat esenciale do t’i sigurohen qytetarëve falas nën një qeverisje të udhëhequr nga Vetëvendosje.

Jeta Statovci, një tjetër kandidate për deputete nën listën e Vetëvendosjes, deklaroi se sistemi i shumëpritur i sigurimeve shëndetësore të Kosovës do të zbatohet brenda mandatit të një qeverie të udhëhequr nga Vetëvendosje. Sidoqoftë, ajo nuk qe në gjendje të ofronte një datë të saktë se kur ky sistem do të bëhej funksional.