Bajrami: Guximi e modestia, karakteristikë e drejtuesve të PDK-së

Instituti për studime politike i PDK-së, mbajti tryezën e katërt me radhë me temë “Çfarë PDK-je duam në Dekadën e Re?”.

Profesori universitar Arsim Bajrami dhe deputetja e PDK-së Evgjeni Thaçi Dragusha, treguan të arriturat dhe sfidat aktuale të Partisë Demokratike të Kosovës.

Bajrami tha se guximi, aftësia, modestia, përkushtimi për unitet e orientimi euro-atlantik, janë vlerat që i karakterizojnë drejtuesit e PDK-së.

“Dekada e Re, afron dhe mobilizon të rinjtë dhe ka në fokus të rinjtë. Kjo nënkupton se ju ecni rrugës së kësaj dekade pa përvojat tona të paraluftës dhe çlirimit të vendit. Ju sot, në përcaktimin e vlerave tuaja, këto përgjegjësi nga e kaluara nuk ju rëndojnë, por vlera juaj, aftësia juaj, kapaciteti juaj për të çuar çështjet jetike të të rinjve përpara”, thuhet në komunikatë.

Sipas tij, zhvillimi ekonomik dhe mirëqenia, perspektiva euro-atlantike, arsimi cilësor dhe ndërmarrësia me inovacion, janë disa nga prioritetet e ‘Dekadës së Re’, për të rinjtë.

Ndërsa deputetja Evgjeni Thaçi Dragusha, tha se aktivizmi i rinisë është elementi thelbësor.

“Ju duhet të merrni përgjegjësinë, ashtu siç sot kanë marrë përgjegjësi edhe ministrat e PDK-së, të cilët janë të gjithë në moshë të re dhe rrugëtimin politik e kanë filluar nga Rinia Demokratike”, thuhet tutje në komunikatë.