Foto: PDK

Veseli: PDK po largon njerëz që e kanë keqpërdorur partinë dhe shtetin

PDK është forca më e madhe politike e cila ka transformuar shtetin që nga pavarësia e deri te konsolidimi i plotë, ka thënë kryetari i saj Kadri Veseli në një tubim në Viti.

Veseli ka thënë se në këtë rrugëtim, PDK ka realizuar projektet më të mëdha në të gjitha fushat e qeverisjes.

Por, e ka pranuar edhe se janë bërë gabime.

“Nga këto gabime PDK është përmirësuar dhe ka larguar e po largon nga vetja njerëz që kanë keqpërdorur PDK-në dhe shtetin”, ka theksuar sipas një komunikate të PDK-së, Kadri Veseli.

Duke folur për komunën e Vitisë, Kadri Veseli tha se ajo ka resurse të mëdha, si ato humane që janë shfrytëzuar minimalisht e deri te ato natyrore, që ende nuk janë shfrytëzuar fare.

“Ejani ta bëjmë këtë transformim  që njerëzit t’i orientojmë nga vendet e reja të punës. Duhet të kemi besim se mund të ecim përpara. Ashtu siç me besim e mundëm Serbinë. Me përgjegjësi e angazhim e vendosmëri do të ecim përpara”, ka shtuar ai.

PDK, sipas Veselit, po rritet.

“Njerëzit po vijnë me ne dhe ne duhet të jemi me ta. Disa po largohen dhe mirë po bëjnë që po largohen. Njerëzit e rinj i duhen vendit që nuk mendojnë vetëm për vetveten”, theksoi Veseli, i cili u bëri thirrje aktivistëve të punojnë me qytetarët në terren, sepse, sipas tij, çdo lagje e çdo fshat në Viti nuk ka adresë më të mirë se PDK-në.