Ilustrim

Përleshja brenda PDK-së në Raushiq, rasti pritet të dërgohet në Gjykatë

Përleshja e dy ditëve më parë e cila ndodhi në Raushiq të Pejës, gjatë kuvendit zgjedhor të PDK-së, do të procedohet në Gjykatën për kundërvajtje në Pejë.

Këtë e bëri të ditur për KALLXO.com zyra për informim e Policisë në Pejë.

“Në konsultim me prokurorin kujdestar rasti është iniciuar si Prishje e Rendit dhe Qetësisë Publike dhe me kohë do të procedohet në Gjykatën Themelore – Divizioni për Kundërvajtje në Pejë”, thuhet në përgjigjen e Policisë.

Policia njoftoi se pasi kishin parë lajmin në KALLXO.com, për përleshjen në Pejë, kishin reaguar dhe kishin ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore.

“Me të pranuar informacionin e publikuar në media me datën 05/05/2019 në kallxo.com, Sektori I Hetimeve Stacioni Policor Pejë, ka ndërmarrë veprime të menjëhershme hetimore duke verifikuar informacionin në fjalë si dhe identifikuar dhe arrestuar të dyshuarin e këtij rasti”, thuhet në njoftim.

I dyshuari i arrestuar është liruar më pas në procedurë të rregullt.

KALLXO.com, raportoi dje për përleshjen e cila ka ndodhur gjatë kuvendit zgjedhor të PDK-së në këtë fshat.

Sipas burimeve të KALLXO.com, gjatë këtij kuvendi zgjedhor L.V. ka sulmuar fizikisht bashkëfshatarët, duke hedhur karrige e duke sharë, përkundër që aty kishte edhe gra.

E gjithë ngjarja shihet në pamjet që i ka siguruar KALLXO.com.

Sipas dëshmive, ai sulmon edhe një person me emrin Qaush.

KALLXO.com merr vesh se fjala është për Q.M., një anëtar i AAK-së, i cili kishte shkuar në këtë tubim.

Megjithatë, nuk ka informacione për ndonjë të lënduar.

Një anëtar i PDK-së, i pranishëm në tubimin e djeshëm zgjedhor, tha për KALLXO.com se nuk ka pasur ndonjë përleshje a kacafytje, por vetëm fjalosje.

Sipas të njëjtit, procesi zgjedhor në nëndegën e Raushiqit është ndërprerë për shkak të mospajtimeve ndërmjet anëtarëve për mënyrën e zgjedhjes së drejtuesve.

KALLXO.com merr vesh se L.V. ka qenë i përfshirë edhe më herët në një incident në këtë nëndegë.

Atëherë kishte ndërhyrë edhe Policia.

L.V. dhe A. F. dyshohej se ishin përleshur me Sh.K.

Po ashtu, KALLXO.com merr vesh se L.V. është i afërt me nënkryetarin e partisë, Xhavit Haliti, dhe rikandidimi i tij nuk është pritur mirë nga anëtarët dhe strukturat e PDK-së në Raushiq.

Përleshje në një degë të PDK-së, ndodhi edhe në Pejë, pak kilometra nga Raushiqi.

Mirëpo, aty rezultoi me prangosjen e një personi i cili me urdhër të Prokurorit është ndalur për 48 orë.