Kryetarët e degëve të PDK-së që kanë aktakuza

Partia Demokratike e Kosovës ka kohë që ka nisur procesin e zgjedhjeve të brendshme nën sloganin “Dekada e Re”.

Në gati 20 komuna janë zgjedhur kryetarët e degëve të kësaj partie, ndërsa në të tjerat procesi është në vazhdim e sipër.

Ndonëse, PDK ka vendosur ta quajë këtë proces zgjedhor si “Dekada e Re”, shumica e degëve janë duke u drejtuar nga njerëz që kanë kaluar një kohë të gjatë në politikë dhe në poste publike.

Gazeta Jeta në Kosovë shkroi dje se emrat që janë zgjedhur në krye të degëve të PDK-së nëpër komuna ka vite që merren me politikë. Madje disa prej tyre kanë qenë edhe humbës të zgjedhjeve.

Humbesit e zgjedhjeve marrin pozita në degët e PDK-së

Mirëpo disa prej kryetarëve të degëve të PDK-së në të kaluarën kanë pasur problem edhe me ligjin.

Kryetari i degës së PDK-së në Klinë është zgjedhur Sokol Bashota, i cili më 2017 kishte humbur postin e kryetarit në Komunën e Klinës.

Bashota ballafaqohet me një aktakuzë të Prokurorisë e cila pretendon se ai së bashku me tre të tjerë, në mënyrë të kundërligjshme i kishin përfituar banesat me nga 110 metra katrorë, me qira nga 20 euro në muaj për vetveten dhe eksponentët e partive të tyre politike.

Në aktakuzë thuhet se këtë e kishin bërë pa plotësuar kriteret objektive dhe duke i anashkaluar aplikuesit me gjendje të dobët ekonomike.

Çmimi të cilin do ta paguanin katër të akuzuarit për ato banesa sipas Prokurorisë ishte 20 euro në muaj.

https://kallxo.com/kryetari-i-pdk-se-ne-kline-kete-muaj-del-para-gjykates-si-i-akuzuar-per-keqperdorim-detyre/?

Një tjetër kryetar dege i PDK-së që po ballafaqohet me aktakuzë të Prokurorisë së Shtetit është edhe Qemajl Mustafa.

Ky i fundit kishte mbajtur postin e kryetarit të Komunës së Gjilanit për dy mandate, deri në 2013, kur në krye të Gjilanit ishte rikthyer Lutfi Haziri i LDK-së.

Qemajl Mustafa, që së fundi u votua për kryetar të PDK-së në Gjilan, muajin e ardhshëm do të dalë para Gjykatës me akuzën për kurdisje të tenderëve, gjatë kohës sa ka qenë kryetar Komune.

Ai po akuzohet se ka marrë pjesë në aktivitete kriminale të grupit të organizuar të përbëre prej 39 personave.

Sipas Prokurorisë Speciale grupi në krye në Qemajl Mustafën kishte për qëllim dhënien e tenderëve për kompanitë e ndryshme duke i eliminuar kompanitë me ofertat me të volitshme.

Në aktakuzë thuhet se Qemajl Mustafa duke e përdorur fuqinë e tij si kryetar i Komunës ka koordinuar dhe ka qenë në dijeni për të gjitha aktivitetet e prokurimit, me ç’rast ai vendoste edhe për caktimin e anëtareve të komisioneve vlerësuese të dhënies së tenderëve.

https://kallxo.com/qemajl-mustafa-ne-qershor-del-para-gjyqit-per-kurdisje-te-tendereve/?

Një tjetër kryetar dege që ka probleme me ligjin është edhe ish-kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku.

Edhe ai së fundi u zgjodh kryetar degë i PDK-së në këtë komunë.

Gjykata e Gjakovës muaj më parë e kishte dënuar Lushtakun me 1 mijë e 700 euro për gjuajtje me armë në odën e Fatmir Limajt në Banjë të Malishevës.

https://kallxo.com/gjykata-gjobit-sami-lushtakun-dardan-gashin-e-endrit-shalen-per-gjuajtjen-me-alltia-video/?

Përveç kësaj, ndaj Lushtakut janë të ngritura edhe dy aktakuza tjera.

Lushtaku ka aktakuzë edhe për rastin e njohur si KEK 2, që e ngarkon atë për veprën penale të shtytjes në keqpërdorim të detyrës zyrtare, ndërsa aktakuza tjetër ka të bëjë me arratisjen nga QKUK-ja në kohën sa Lushtaku ndodhej në paraburgim në rastin “Drenica”

https://kallxo.com/edhe-dy-aktakuza-rendojne-mbi-sami-lushtakun/

www.kallxo.com