Abetarja e përbashkët, Foto: Ministria e Arsimit dhe Sportit e Shqipërisë

Viti i ri shkollor pritet të nisë me abetaren e përbashkët Kosovë-Shqipëri

Ministria e Arsimit dhe Sportit në Shqipëri ka bërë të ditur se abetarja e përbashkët unike Kosovë-Shqipëri është gati dhe këtë shtator do jetë në duart e çdo nxënësi.

“Sot është dita e parë që mësuesit tanë në të gjithë vendin kthehen nga pushimet dhe fillojnë intensivisht punën për t’u përgatitur për fillimin e vitit të ri shkollor. Nuk mund të nisnim më mbarë se sa me trajnimet e para të mësuesve për Abetaren e Përbashkët Unike, e cila tashmë është gati dhe këtë shtator do të jetë në duart e çdo vogëlushi”, thuhet në njoftim

Ministrja e Arsimit në Shqipëri Evis Kushi më 1 shtator do jetë në Kosovë ku bashkë me ministren Arbërie Nagavci do nisin promovimin e kësaj abetareje.

“Jam shumë e lumtur që në datën 1 shtator do të jem bashkë me Ministren Arbërie Nagavci në ditën e parë të shkollës në Kosovë, ku prej andej do të nisim promovimin e risisë më të bukur për të gjithë nxënësit dhe mësuesit. Suksese dhe punë të mbarë për të gjithë mësuesit e Shqipërisë dhe Kosovës!”- bëhet më tej e ditur nga ministria e arsimit në Shqipëri.

Për këtë është deklaruar edhe kryeministri shqiptar, Edi Rama, i cili ka uruar për abetaren e përbashkët.

“GËZUAR ABETAREN E PARË TË UNIFIKUAR, krijesë e bashkimit të vullneteve të qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës, për të gjithë fëmijët shqiptarë këtej e andej bjeshkëve, e kudo ata ndodhen”, ka shkruar Rama në Facebook.

Ndërkaq në Kosovë ende nuk dihet nëse viti i ri shkollor do të nis në kohë për shkak të grevës që ka filluar javën e kaluar nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK).

Më 29 gusht Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) ka ndarë 300 mijë euro për ‘Blerje të tekstit shkollor ‘Abetare’ për vitin 2022/23’

Sipas të dhënave nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP) kjo kontratë është negociuar pa publikim paraprak të njoftimit.

Tutje, në detajet e KRPP-së bëhet e ditur se do blihen 26 mijë 915 abetare.