Testi i Maturës 2019 - Foto: KALLXO.com

Mbi 26 mijë maturantë do t’i nënshtrohen Testit të Maturës

Testit të Maturës do t’i nënshtrohen 26.669 maturantë të cilët në kushte të jashtëzakonshme do të testohen më 29 gusht.

Sipas Komisioni Shtetëror i Maturës (KShM) testi i maturës do të mbahet në 184 qendra të testimit, në 30 komuna të Kosovës dhe 2.568 administrues, 570 komisionarë, 570 mbikëqyrës dhe nga 3 mësimdhënës në secilën qendër për të vëzhguar mbarëvajtjen e procesit.

“Maturantët duhet të arrijnë në oborrin e qendrës se testimit nga ora 8:30 deri në orën 9:00. Nga ora 9:00 deri në 9:30 ata do të sistemohen në klasa, dhe pas vendosjes në klasa, deri në ora 10:00 do të bëhet ofrimi i udhëzimeve rreth testit dhe ofrimi i flete përgjigjeve nga ana e administruesve.”, thuhet në njoftim.

Numëri i nxënësve në klasë do të jetë 12 dhe në qendrat e testimit u ndalohet hyrja personave të cilët nuk janë pjesë e këtij procesi, përshakë të situatës me COVID-19.

Testi do të mbahet brenda një dite dhe do të përfshihen tri lëndët obligative (gjuhë amtare, gjuhë angleze dhe matematikë) dhe një lëndë zgjedhore (që përzgjidhet nga vetë kandidati nga mesi i lëndëve zgjedhore që ofrohen)

Testi ishte paraparë të mbahet më 4 korrik, por për shkak të rritjes së numrit të të infektuarave me COVID-19, ishte shtyrë për më 29 gusht.

Kurse, për nxënësit që janë regjistruar në fakultetet jashtë vendit, Testi i Maturës ishte mbajtur më 10 korrik.

Vitin e kaluar, kalueshmëria e këtij testi ka qenë 64.64%, kurse në vitin 2018, 73.26%.