Nga testi i maturës | Foto: KALLXO.com

Elezi: Testi i Maturës mbahet të shtunën, përgjysmohet numri i pyetjeve

Këtë të shtunë të gjithë maturantët e Kosovës do t’i nënshtrohen Testit të Maturës Shtetërore.

Testimi do të bëhet vetëm një ditë dhe në një klasë do të jenë vetëm 12 nxënës, për shkak të pandemisë së COVID-19

Kështu ka bërë të ditur për KALLXO.com shefi i Divizionit për Vlerësim dhe Standarde në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, Fatmir Elezi.

“Për këtë vit në klasë i kemi lënë nga 12 nxënës për shkak të distancës, në çdo klasë janë dezinfektuesit. Nxënësit duhet të hynë me maska. Maskat na i ka siguruar një pjesë Ambasada amerikane, pjesën tjetër e ka siguruar MASh-i dhe ua kemi shpërndarë komunave”, ka shtuar ai.

Elezi po ashtu ka bërë të ditur se këtë vit edhe është përgjysmuar numri i pyetjeve në test.

“Në test do të jenë 100 pyetje dhe testi do të mbahet një ditë, si në lëndët e përgjithshme po ashtu edhe zgjedhore për shkak të pandemisë me COVID-19.  Janë përgjysmuar  pyetjet në çdo lëndë, kane qenë 50, tash janë 25 pyetje. Testi do të fillojë në ora 10:00 dhe do të zgjasë 150 minuta”, shtoi ai.

Sa i përket numrit të administratorëve, Elezi tha se në Testin e Maturës këtë vit janë angazhuar mbi 2 mijë e 600.

“Janë diku mbi 2 mijë e 600 administratorë, në një klasë do të qëndrojë një adminstrator, një përfaqësues i MAShT-it është kryetari i komisionit në qendrën e testimit, dy anëtarë të DKA-së, dhe varësisht prej qendrës 3 mbikëqyrës prej universitetit”, shtoi ai.

Provimi i Maturës Shtetërore 2020 do të mbahet të shtunën, më 29 gusht 2020, dhe do t’i nënshtrohen 26 mijë e 817 maturantë. Pragu i kalueshmërisë në Provimin e Maturës Shtetërore është 40% e totalit të pikëve të mundshme. Vetëm kandidatët që e arrijnë këtë prag kalueshmërie mund të aplikojnë për regjistrim në studime në institucionet e arsimit të lartë në Kosovë.

Në Test do përfshihen tri lëndët obligative (gjuhë amtare, gjuhë angleze dhe matematikë) dhe një lëndë zgjedhore (që përzgjidhet nga vetë kandidati nga mesi i lëndëve zgjedhore që ofrohen)

Testi ishte paraparë të mbahet më 4 korrik, por për shkak të rritjes së numrit të të infektuarëve me COVID-19, ishte shtyrë për më 29 gusht.

Kurse, për nxënësit që janë regjistruar në fakultetet jashtë vendit, Testi i Maturës ishte mbajtur më 10 korrik.

Vitin e kaluar, kalueshmëria e këtij testi ka qenë 64.64%, kurse në vitin 2018, 73.26%.

Testi i Maturës, rezultate më të dobëta se vitin e kaluar