MASH: Kalueshmëria në testin e maturës në afatin e parë është 67.44 përqind

Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë sot ka publikuar rezultatet e testit të arritshmërisë për vitin 2020.

Sipas MASHT në test kanë marrë pjesë 25.362 nxënës, nga 26.699 që e kanë paraqitur testin, prej të cilëve 17.105 e kanë kaluar testin, ndërsa për 8.257 maturantë do të mbetet si mundësi edhe afati i dytë i Provimit të Maturës.

Kryetari i Këshillit shtetëror të maturës, Gëzim Berisha e ka vlerësuar si të suksesshëm këtë rezultat i cili këtë vit u organizua nën rrethana pandemie, kurse rezultatet i konsideroi të kënaqshme.

Berisha bëri të ditur se janë 63 maturantë, të cilëve iu është anuluar testi, për shkak se kanë tentuar të përdorin telefonin.

KShM ka bërë të ditur se të gjithë ata maturantë, të cilët konsiderojnë se iu është bërë ndonjë e padrejtë me rastin e vlerësimit, afati i ankesës është 3 ditë dhe kjo drejtë ushtrohet në shkolla, respektivisht në drejtoritë komunale të arsimit.