Ilustrim
Ministria tregon kur do të publikohen rezultatet e Testit të Maturës
Ministria e Arsimit do publikojë rezultatet e Testit të Maturës më datë 7 shtator.
Nga Ministria për KALLXO.com thonë se parashihet edhe afati i ankesave prej tre ditësh, e pas shqyrtimit të tyre rezultatet dalin më 14 shtator.
“Rezultatet e afatit të parë të Testit të Maturës Shtetërore do të publikohen më 7 shtator 2020, ndërsa pas publikimit të këtyre rezultateve është afati i ankesave tri ditë, pra me 8,9 dhe 10 shtator. Pas shqyrtimit të këtyre ankesave, rezultatet dalin prapë me 14 shtator (është fjala për rezultatet e ankesave të shqyrtuara),” thonë nga Ministria e Arsimit.
Tutje nga Ministria thonë se është planifikuar edhe mbajtja e afatit të dytë të testit të maturës, por që nuk është caktuar ende datë, kurse qëllimi është java e dytë e tetorit.
“Ështe planifikuar edhe afati i dytë për mbajtjen e Testit të Maturës. Edhe pse ende nuk eshte caktuar një datë për mbajtjen e këtij testi, për shkak të përgatitjeve të mëdha që duhen të bëhen në rrethana pandemie dhe kohës së nevojshme për nxjerrjen e rezultateve të afatit të parë, orientimisht testi do të mbahet në javën e dytë tetorit,” ka shtuar tutje Ministria.
Testi i Maturës shtetërore është mbajtur më 29 gusht të cilit iu nënshtruan 26 mijë e 669 maturantë.