Ilustrim

'Edukimi Medial', lëndë e nevojshme për mbrojtjen e fëmijëve nga përmbajtja që hasin në internet

Një pjesë e fëmijëve kanë qasje të pa-limituar në lajmet, video dhe fotot që publikohen nëpër portale e nëpër rrjete sociale. 

Mungesa e një lënde për edukim medial nga ekspertët vlerësohet se fëmijët janë shumë më të cenueshëm nga përmbajtja që nuk është e përshtatshme për moshën e tyre, por sidomos edhe nga lajmet e rreme. 

Ekspertët bëjnë thirrje që në kohë sa më të shpejtë të ketë lëndë të veçantë të edukimit medial në shkollat e ulta dhe të mesme, sepse vetëm ashtu mund të mbrohen fëmijet nga përmbajtja që ata konsumojnë çdo ditë duke u qasur nëpër rrjetet sociale.

Dren Gërguri, profesor në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” thotë se aktualisht “Edukimi medial” nuk është lëndë obligative, prandaj është në vullnetin e mësimdhënësve dhe në mënyrën se si ata e përgatisin si lëndë.

“Ne, në Departamentin e Gazetarisë ka vite që e diskutojmë nevojën dhe domosdoshmërinë për futjen e lëndës së edukimit medial si lëndë edukative, mbi të gjitha se sot e shohim qoftë internetin, qoftë median në përgjithësi, rritjen e ndikimit të mediave në jetën tonë dhe në anën tjetër kemi një shoqëri e cila nuk mëson për to”, thotë Gërguri.

Ai thotë se është e nevojshme që fëmijët në shkolla të mësohen se si të mbrohen nga përmbajtja që mund të hasin çdo ditë në internet, media apo rrjete sociale.

“Nëse të rinjtë tanë kalojnë një kohë të gjatë në internet, në mediat sociale atëherë duhet që ata të mësojnë se si duhet t’i përdorin mediat sociale dhe jo si të mbrohen nga mediat, sepse s’ke nevojë të mbrohesh, por mjafton të mësosh si t’i përdorësh ato”, thotë profesori i gazetarisë.

Ilirjana Pylla nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka bërë të ditur se “Edukimi Medial” është menduar që të trajtohen nga të gjitha fushat kurrikulare dhe nga të gjitha lëndët mësimore.

Pylla ka thënë se përmes lëndëve shkollore si “Historia”, “Edukata Qytetare”, “Shkencat Natyrore” mësojnë për edukimin medial dhe zhvillimet e ndryshme.

“Edukimi medial patjetër që është i lidhur me mendimin kritik, pasi që nxënësit duke trajtuar informata të ndryshme e zhvillojnë të menduarit kritik duke krahasuar faktet nga opinionet, lajmet e vërteta nga ato të rrejshme, etj. dhe në mënyrë të pavarur krijojnë bindjet e tyre të bazuara në argumente”, ka thënë ajo.

Në raportin “Edukimi Medial” të publikuar nga UNICEF në vitin 2018 thuhet se ndikimi që kanë mediat tek fëmijët varet, në radhë të parë, nga përmbajtja mediatike ndaj së cilës ata janë të ekspozuar.

“Sipas Konventës së OKB-së për të Drejtat e Fëmijës, fëmijët duhet të mbrohen nga përmbajtja e dëmshme mediatike. Në të njëjtën kohë, Konventa thotë se fëmijët kanë të drejtë të marrin pjesë në media dhe që zëri i tyre të dëgjohet. Prandaj, edukimi medial dhe rregullimi i mediave nuk përjashtojnë njëra-tjetrën”, thuhet në publikim.

Emine Ademi, nënë e dy fëmijëve, thotë se shumë shpesh përmbajtja që publikohet në media e rrjete sociale nuk është e përshtatshme për fëmijë.

Ai thotë se është sfiduese me i mbrojtë fëmijët nga përmbajtja që publikohet e transmetohet në media.

“Fatkeqësisht temat që i konsumojnë në media janë +18. Duke bërë diskutim të hapur më fëmijët, ne ju sugjeroj që gjatë kohës së lirë të shikojnë programe për fëmijë, lojëra dhe  lexim online ose libra”, tregon ajo.

Ademit tregon se ka vendosur kufizime se sa gjatë mund të qëndrojnë fëmijët e saj para ekrani.

“Ka ndikim negativ qëndrimi i gjatë para ekranit, shkakton deformim të trupit, dëmtim të pamurit, humbje kohe, lodhje psiqike, humbje interesimi për obligimet shkollore. Qasja e pakufizuar në platforma – aplikacione që nuk janë për moshë të tij mund të shkaktojnë efekte të rrezikshme për shëndetin mental të tij”, thotë Ademi. 

Natyra Agani, specialiste e psikologjisë zhvillimore, thotë se ndikimi i internetit te fëmijët mund të ndahet në tri dimensione.

“E para, kish me qenë në zhvillimin e tyre kognitiv, në kuptimin se disa prej këtyre fëmijëve mund të sfidohen më shumë për shkak të përmbajtjes që e shohin që t’i zhvillojnë disa aftësi të reja”, thotë Agani.

Por, sipas saj, ka ndikim negativ sa i përket aspektit social.

“Në kuptimin social, kemi një tërheqje sociale ku fëmijët i ekspozohen vetëm pajisjeve, por jo detyrimisht edhe interaksionit shoqëror e cila është tepër e rëndësishme për neve si qenie njerëzore, komunikimi i varfër, mungesa e fjalorit”, vlerëson psikologja.

Sipas saj, një problem tjetër i raportuar është gjumi dhe kequshqyerja.

“Me bisedat e mia me prindër dhe në ankesat e fëmijëve, gjumi po vlerësohet njëra prej komponentëve më të prekura, një funksionim tjetër, me orë të gjata të qëndrimit e në shkolla duke nis herët ditën. Ushqyerja po ashtu është problematike”, thotë Natyra Agani.

Që të ndalen këto ndikime të internetit tek fëmijët, ajo ka thënë se duhet të shtohet mbikëqyrja në atë sesa fëmijët qëndrojnë në internet dhe çfarë përmbajtje konsumojnë.