Menekshe: Niveli i ulët i shkollimit te komuniteti rom e rrit besueshmërinë në lajme të rreme

Në emisionin “Kallxo Përnime” po transmetohet konferenca për ndikimin e lajmeve të rreme si dhe mungesa e edukimit medial te komunitetet në Kosovë.

Fatmir Menekshe nga Radio Romano Avazo, ka folur për sfidat e komunitetit rom në identifikimin e lajmeve të rreme.

Ai ka thënë se mungesa e shkollimit të qytetarëve të këtij komuniteti i bën ata target të lajmeve të rreme.

“Sa i përket komunitetit tonë, ekziston edhe si fakt se përpos informimit të vogël për arsye të mediumeve të pakta që ofrojnë informacion në gjuhën amtare, komuniteti rom ballafaqohet edhe më lajmet e rreme dhe mungesa ose niveli i ulët i shkollimit të tyre e bën më shumë target ose e rrit besueshmerinë në lajmet e rrejshme”- ka thënë ai.

Ai ka thënë se si organizatë kanë punuar në ndërgjegjësimin e komunitetit lidhur me ndikimin e lajmeve të rreme.

“Ne kemi punuar që t’i ndërgjegjësojmë në aspektin e njohjes së lajmeve të rrejshme sidomos te komuniteti i të rinjve që më pas të ndikojnë te komuniteti i tyre”- ka thënë Menekshe.

Ndërsa, Millan Stojanoviq nga “Graçanica Inovation Center” ka thënë se lajmet e rreme janë të përhapura edhe te komuniteti serb në Kosovë.

“Ato në përgjithësi ndikojnë më shumë te të moshuarit, do të kisha thënë, sesa te të rinjtë. Te të rinjtë ndikojnë shumë më pak sepse të rinjtë i përcjellin shumë më shumë mjetet e teknologjisë sesa atë që shkruajnë mediat. Por, gjithsesi lajmet e rreme janë të përhapura dhe ato duhet të pengohen, në mënyrë që çdo lajm fillimisht të vërtetohet e pastaj të përhapet në rrjete sociale e portale”- ka thënë ai.