Logo e Universitetit të Prishtinës - Foto: KALLXO.com

Auditori gjen mangësi në procedimin e pagesave në UP

Zyra Kombëtare e Auditorit ka gjetur mangësi në procedimin e pagesave nga ana e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” gjatë vitit 2019.

Sipas Auditorit, në pesë pagesa për mallra dhe shërbime ka identifikuar se zotimi apo urdhër blerja ishte bërë pas pranimit të faturës.

“Kjo ka ndodhur për shkak të dobësive në kontrollet e brendshme, për ta parandaluar këtë praktikë që po përsëritet vit pas viti”, thekson ZKA.

Tutje Auditori thekson se mos aplikimi i procedurave të duhura të kontrollit gjatë procesit të pagesave, ndikon që UP mos t’i kryej obligimet e faturuara me kohë, rrjedhimisht rritjen e obligimeve të papaguara, të cilat do të jenë barrë për buxhetin e vitit vijues.

ZKA ka kërkuar se rektori duhet të forcoj kontrollet e brendshme dhe nga zyrtarët përgjegjës të kërkoj zbatimin të procedurave, duke filluar nga inicimi i shpenzimeve deri në kryerjen përfundimtare të pagesave

Në anën tjetër, Rregulla Financiare  për Shpenzimin e Parasë Publike, parasheh se fillimisht duhet të procedohet zotimi i mjeteve, lëshohet urdhër blerja, dhe pas pranimit të blerjeve bëhet raporti i pranimit, si dhe pranohet fatura.