Arkiv

Rasti i shënjestruar, njehsorët 'Kohler' sot jepet fjala përfundimtare

Në gjykimin për njehsorët e tipit “Kohler”, ndaj dy zyrtareve të Metrologjisë Vjollca Ajvazi e Drita Hamiti si dhe zyrtarit të KEDS-it Avni Alidemaj, sot pritet që të jepet fjala përfundimtare.

Gjatë seancës së kaluar mbrojtjen e kanë dhënë tre të akuzuarit të cilët gjatë deklarimit të tyre kanë mohuar se në ndonjë moment e kanë keqpërdorur detyrën zyrtare.

http://kallxo.com/e-akuzuara-ajvazi-njehsori-i-ka-plotesuar-te-gjitha-kushtet/

Ky rast është në mesin e rasteve të shenjëstruara për liberalizim të vizave.

Aktakuza ndaj Vjollca Ajvazit, Drita Hamitit dhe Avni Alidemajt u ngrit nga Prokuroria Themelore e Prishtinës më 6 tetor 2015.

Në këtë gjykim, ish-drejtori i Agjencisë së Metrologjisë së Kosovës në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, tanimë i ndjeri Blerim Sokoli, është akuzuar se në bashkëveprim dhe duke e shfrytëzuar detyrën zyrtare, u ka mundësuar palëve të interesit KEDS dhe atyre “Kohler” të përfitojnë dobi në mënyrë të kundërligjshme.

Sipas aktakuzës, pasi që dy zyrtarët e Metrologjisë Vjollca Ajvazi dhe Drita Hamiti kanë shqyrtuar dokumentacionin për miratimin e lejimit të tipit të njehsorit elektrik digjital të prodhuesit “Kohler”, Sokoli ka pranuar që ta licencojë në mënyrë të kundërligjshme njehsorin elektrik digjital të tipit “AEL. TF.04-1” të firmës “Kohler” nga Turqia.

Vjollca Ajvazi akuzohet se në mënyrë të paligjshme i rekomandoi Sokolit lejimin e këtij tipi të njehsorit, ndërsa Drita Hamiti ngarkohet se i ndihmoi Ajvazit për këtë rekomandim.

Në aktakuzë thuhej se të akuzuarit e dinin se këta njehsorë matnin në mënyrë të pasaktë.

KALLXO.com ka shkruar vazhdimisht për këtë proces gjyqësor
http://kallxo.com/tag/kohler/