T’i Shesësh Qymyr Kosovës

A e keni dëgjuar ndonjëherë shprehjen “t’i shesësh dëborë Eskimezëve?”

Eh, e kam një të re që është edhe më absurde “t’i shesësh qymyr Kosovës”.

Në nëntor të vitit 2009, kam shkruar se si Ferronikeli, eksportuesi më i madh në Kosovë, u detyrua të importonte qymyr nga ana tjetër e planetit, pavarësisht se gjendet mbi një nga rezervat më të mëdha në botë.

Gjigandi i metaleve ankohej se Kosova Thëngjilli, e krijuar nga KEK-u që është përgjegjës për përgatitjen dhe shitjen e rezervave të linjitit që janë pronë publike në vend, nuk ishte në gjendje të sigurojë lëndë djegëse të mjaftueshme, dhe çfarë po jepte ishte zakonisht me cilësi të dobët.

Ferronikel thoshte se ishte e shtrenjtë të sillej qymyri nga Malajzia, por se nuk kishte zgjidhje tjetër.

Në atë kohë, Azem Rexhaj, ish drejtori i Komisionit të Pavarur të Minierave dhe Mineraleve, tha se hapja e minierës së Sibovcit do të zgjidhte problemin.

“Punëtorët po lëvizin shpejt për të hapur minierën. Mendojmë se qymyri i parë nga kjo minierë do të arrijë në mes të vitit tjetër”, pati thënë Arben Gjukaj, Drejtori Menaxhues i KEK-ut.

Sidoqoftë, pothuajse tri vjet më pas, situata është përkeqësuar në një mënyrë të çuditshme që edhe mishëron problemet për të bërë biznes në Kosovë.

Kemi mësuar se KEK-u ka dështuar të rinovojë kontratën me ndërmarrjen publike Kosova Thëngjilli – thonë se kjo është bërë për shkak të borxhit të grumbulluar- dhe si rezultat qymyri i destinuar për kompani të mëdha, por edhe për ndërtesa publike si shkolla dhe hekurudha, tani po importohet me çmime të ngritura.

Edhe pse gjendet mbi rezervën e pestë më të madhe të qymyrit linjit, Kosova ka importuar 100,000 tonë këtë vit- dyfish sasisë totale që u soll në vend në vitin 2009, para se të fillonin telashet.

Si rezultat, kostoja e qymyrit është rritur me 60 për qind, duke i dëmtuar fondet e shtetit me të hyrat e humbura dhe kosto të lartë të lëndës së importuar, dhe duke i bërë ato pak produkte të eksportuara të Kosovës më pak konkurruese.

Ky është një shembull serioz inkompetence dhe neglizhence të plotë. Ky problem duhet të ishte marrë dhe zgjidhur nga politikanët ose zyrtarët e Kosovës brenda javëve, nëse jo ditëve.

Sidoqoftë, kontrata e KEK-ut me Kosova Thëngjillin përfundoi në nëntor të vitit 2011, dhe pothuajse një vit më pas asgjë nuk duket të jetë bërë.

Çfarë më ka habitur gjithmonë për kah politika në këtë vend është mungesa shokuese e përgjegjësisë. Politikanët mund të ekspozohen si mashtrues, gënjeshtarë, ose më së paku të padobishëm, por ende e mbajnë vendin e punës.

Kur shkrova për këtë problem në vitin 2009, i dhashë KEK-ut dhe autoriteteve një lloj të drejte, duke theksuar se “Kosova po bën përpjekje për të zgjidhur këto probleme, dhe po ndihmohet nga partnerët ndërkombëtarë”.

Por në vend që të zgjidhin problemin, situata është përkeqësuar.

Në atë kohë shpresoja se “t’i shesësh qymyr Kosovës”- nuk do të bëhej refren.

Kam frikë se kjo ka ndodhur. Por duke qenë se kanë vendosur mos ta zgjidhin problemin, a do të ketë dikush njerëzinë të japë dorëheqjen?