Çarshia e Madhe e Gjakovës, Ndërgjegjja Jonë

Për të folur për historikun e kësaj treve, e ndiej vetën shumë të vogël, edhe se familja ime gjatë historisë disashekullore në këto treva kishte dhënë kontribut të çmuar, nga koha e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, e deri në ditët e sotme të shekullit XXI.

Për të ruajtur identiteti autokton të qytetit të Gjakovës janë sakrifikuar gjenerata të tëra, duke i respektuar rregullat e shkruara nga vetë qytetari i rëndomtë, duke i çmuar principet dhe “adetet” specifike të jetës urbane në qytetin e Gjakovës. Rezultat i kësaj filozofie të të jetuarit dhe të mbijetuarit në kohëra të vështira gjatë shekujve, ka funksionuar si një tërësi urbane specifike qyteti i vjetër i Gjakovës së bashku me çarshinë e saj, si pjese e një tërësie territoriale shqiptare.

Çarshia e Madhe është djegur tërësisht disa herë, si në luftën e fundit 1999 të shekullit të kaluar, nga pushtuese serb. Si çdo herë tjetër, ajo e rindërtua, edhe me ndihmën e donacioneve, por kryesore ishte ndjenja dhe dëshira e zejtarëve autoktonë të Gjakovës që ajo të ringjallet. Këtë ndjenjë, të pashpjegueshme për kushtet kosovare, vetë e kam përjetuar në vitet 1970-të, pasi isha pjesë e atij procesi. Vitet vijuese në liri treguan se si një shoqëri e cila nuk i çmon vlerat dhe pasurit e saja historike, është e dënuar të dështojë. Realiteti është i dhimbshëm dhe shpresojmë që së shpejti të ndryshojë për Çarshinë e Madhe, Gjakovën dhe tërë Kosovën.

Revitalizimi, rekonstruimi dhe rindërtimi i Çarshisë së Madhe është bërë sipas ligjit të cilin në atë kohë, e kishte përpiluar, tashmë i ndjeri inxhinier Sadik Polloshka dhe e kishte aprovuar Kuvendi Komunal i Gjakovë në vitet 1970-të. Me shtytjen e tërë parisë së Gjakovës, një grup i arkitektëve të rinj gjakovarë filluan realizimin e projektit,duke iu përmbajtur projektit dhe ligjit të përmendur, si dhe kritereve lokale dhe ndërkombëtare. Askush nuk kishte të drejtë t’iu shmangej këtyre kritereve të qarta.

Isha unë njëri nga projektantët e njësive individuale (dyqaneve), që me shumë sakrifica kemi shkrirë të gjithë potencialin e ynë profesional, por kryesore ishte përkrahja e strukturave të atëhershme komunale, e posaçërisht dëshira e pronarëve të dyqaneve që me parat e veta të rindërtojnë ato objekte, duke i respektuar në detaje kriteret e ashpra të rindërtimit të celulave të një tërësie urbane. Mendoj se ky është ndër rastet e rralla në botë, në historinë e rindërtimit të një kompleksi urban në mbrojtje të shtetit. Këtë duhet çmuar lart vendimmarrësit-komuna, dhe duhet respektuar kriteret e definuar para shumë viteve.

U shqetësova nga një detaj teknik në qytetin e vjetër “Çarshinë e Madhe” që ka shumë domethënie në zhvillimet urbane në qytetin Gjakovës, që dikur ishte “model” se si duhet punuar në fushën e Planifikimit Hapësinor, Urban dhe Arkitektonik për tërë Kosovën. Trashëgimia arkitektonike është kultivuar me shekuj në këto treva; këtë e tregojnë edhe hulumtimet e ndryshme të profesionistëve të mirëfilltë ndërkombëtarë dhe vendas, në perioda të ndryshme të historisë të këtyre trevave. Si mundën gurët e granitit (kockat) të zëvendësohen me një material tjetër, i cili ka filluar të vendoset në rrugët e Çarshisë. Le të krahasohen të dy “atestet” e materialeve të cekura. Në Kosovën e paraluftës kemi pasur eksperiencë të keqe me këto “rrasa” për rregullime të jashtme, (ish-rregullimi i jashtëm te Banka e Kosovës në Prishtinë).

Mirë e ka theksuar një arkitekt i madh se: “Sistemet politike shkojnë e vijnë, por veprat dhe veprimet e arkitektëve mbesin”.

Këto veprime në Çarshinë e Madhe të Gjakovës menjëherë duhet të ndërpriten. Nuk është fjala vetëm për një urdhër “politik”që duhet dikush respektuar; në pyetje është një kompleks urbanistik që është në mbrojtje të shtetit. Ajo, me një punë të përkushtuar e të mundimshme, duhet të pranohet në UNESKO, si vlerë e trashëgimisë kulturore botërore, pasi si një tërësi ka vlera të rralla urbane, që çdo shoqëri me zili do ta ruante pasi këto komplekse urbane tregojnë lashtësinë dhe vazhdimësinë e ekzistencës së popullit shqiptar në këto troje.

Identiteti urban i kompleksit, tani edhe historik pos atij arkitektonik dhe urbanistik, e që ka vlera të pakontestueshme urbane, nuk lejohet të degradohet nga askush. As nga ata që kanë filluar të shtrojnë me këto elemente rrugët e Çarshisë së Madhe. Me forcën e argumenteve urgjentisht, edhe ata do të bindën se një ndërmarrje e tillë është e dëmshme për tërë trashëgimin urbane të Çarshisë së Madhe, të Gjakovës dhe të Kosovës.

(Autori është arkitekt i pavarur)