Burimet e radikalizimit islam

Kjo që në Kosovë është bërë në emër të “luftës kundër radikalizmit islam”, në të vërtetë po e ushqen atë. Kur aparati ideologjik i shtetit dështon të edukojë qytetarin në frymë të emancipimit dhe mendimit kritik, e për pasojë të rinjtë bëhen pre e lehtë e ligjërimeve fetare ekstremiste, aparati i dhunës ndërhyn vetëm për të përkeqësuar gjendjen. Veç autoriteteve shtetërore, mendoj se përgjegjës për radikalizimin islam janë edhe politika, autoritetet fetare, predikuesit e caktuar fetarë dhe media.

Meqenëse qëllimi i këtij artikulli nuk është të gjykojë, por të analizojë, këtu nuk flas për radikalizëm (-izëm), domethënë praninë e ekstremit të dhunshëm islam në Kosovë, si një fakt (ndonëse është i pranishëm, sado që në masë të vogël dhe që vepron jashtë vendit), por për radikalizim (-izim), domethënë për zhvillimin ose mundësinë e zhvillimit të një ideologjie ektremiste të dhunshme bazuar në interpretime të caktuara të Islamit.

Radikalizimi islam nuk mund të kuptohet drejt e në rrënjë pa iu referuar sfondit më të gjerë në të cilin shfaqet ai në nivel ndërkombëtar.

Këtu e kam fjalën për rrethanat në botë si diktaturat e regjimet autoritare në shtete të Lindjes së Mesme, luftërat atje dhe ndërhyrjen e shteteve perëndimore që kanë nxitur radikalizimin e lëvizjeve shoqërore e politike islame.

Më pas, në epokën globale të komunikimit idetë e gjeneruara nga këto lëvizje barten më lehtë e më shpejtë në shoqërinë tonë në saje të kontakteve të ndryshme dhe komunikimit global me satelit e internet.

Mirëpo, meqenëse këto janë procese në të cilat shoqëria jonë nuk mund të ndikojë, do të përqëndrohem tek shpjegimet e tjera që më drejtpërdrejt kanë të bëjnë me dinamikën dhe dukuritë që shfaqen brenda shoqërisë, e për të cilat jemi të gjithë përgjegjës.

Ideologji me qëndrime ekstremiste që sfidojnë normat e pranuara gjerësisht lindin edhe në saje të zbehjes së besimit tek narrativat ose ideologjitë mbizotëruese tek ne, domethënë tek ideologjia nacionaliste dhe ajo demokratike liberale të tillë çfarë e njohim në Kosovë.

Nacionalizmi shqiptar – që ishte forca e rezistencës popullore gjatë pushtimit serb –në kohën e sotme, kur ka dështuar ta realizojë aspiratën që ta bëjë Kosovën shtet të shqiptarëve dhe kur Kosova është e orientuar drejt integrimit në bashkësinë post-nacionaliste europiane, nuk është se mobilizon e frymëzon, sidomos brezat më të rinj.

Nga ana tjetër, këtë nuk po e bën as demokracia liberale kosovare. Ajo po dështon të bëjë shtetin funksional të popullit dhe për popullin, e të zhvilluar ekonomikisht frytet e të cilit do t’i gëzonin qytetarët pa dallim.

Shoqëria lëngon nga korrupsioni në nivelet më të larta të shtetit, moszhvillimi i pritur e i premtuar ekonomik, formimi gradual i një klase oligarkësh dhe udhëheqja autoritare duke iu falënderuar si faktorëve të jashtëm:misioneve, ambasadave e organizatavetë jashtme, ashtu dhe të brendshëm: partive politike të cilat më shumë po i ngjajnë grupeve të interesit se sa grupeve partiake që përfaqësojnë interesa qytetarësh.

Për pasojë, shumë njerëz nuk po gjejnë kuptim në këto dy narrativa: njerëzit po humbin narrativën kombëtariste, e nuk po e ndërtojnë narrativën e reliberale, andaj po gjejnë prehje tek ideologjitë alternative ekstremiste.

Shkaqet

Më tutje – si pasojë e korrupsionit shtetëror, nepotizmit e zaptimit të shtetit dhe institucioneve publike nga militantë partiakë –aparati ideologjik shtetëror po dështon që, përmes sistemit arsimor e kulturor, të edukojëdhe formojëqytetarin.

Institucionet e arsimit dhe edukimit, shkolla e universitet janë tëkapura nga rrjete të patronazhit politik ku udhëheqësia partiake ruan poste për klientët e tyre.

Kjo zënie e posteve jo mbi bazë të meritës, por favoritizmit e nepotizmit, në institucionet e arsimit ka prurë udhëheqës e arsimtarë joprofesionalistë që më tepër kujdesen për t’i shërbyer patronëve të tyre partiakë e për ruajtjen e forcimin e pozitës së tyre, emë pak a hiç për mbarëvajtjen dhe avancimin e mësimit.

Për pasojë, ka shumë nxënës që dalin nga sistemi jonë arsimor ku kryejnë plot dymbëdhjetë vjet shkollë dhe nuk kuptojë një materie mesatarisht të komplikuar të shkruar në gjuhën e tyre amtare, e as dinë të shkruajnë një paragraf koherent me përmbajtjen më të thjeshtë.

As universiteti nuk është në gjendje të mirë. Ai është shndërruar në një shkollë ku ofrohet mësim plotësues, e ku më kot synohet të kompensohet nxënia e dijeve e aftësive themelore që ishte dashur të mësohen në shkollën fillore e të mesme.

Si mund të shpjegohet ndryshe futja e lëndëve Gjuha Shqipe dhe Gjuha Angleze si lëndë të obligueshme për studentët në të gjitha drejtimet e studimit. Në universitetin që gjithnjë e më tepër i ngjan institucionit të blerjes së qetësisë sociale, as procesi mësimdhënies nuk kryhet me rregull e si duhet, ndërsa hulumtimet shkencore janë utopi: kushtet për një veprimtrari të tillë janë tejet të pavolitshme, kurse shtytësit krejt minimalë.

Nga ana tjetër, shërbyesi publik i informimit, Radio dhe Televizioni i Kosovës,është një organizatëe cila punëson qindra njerëz dhe përveç sektorit të lajmeve (që më shumë bën propagandë se sa informim të drejtë e të barazpeshuar), zor se kemi parë që prodhon emisione inteligjente me vlerë edukuese e analitike.

Këtë vakum e kanë plotësuar predikuesit fetarë të cilët komunikojnë me komunitetin drejtpërdrejt dhe përmes kanaleve të komunkimit masiv, televizion e platforma në internet ku ofrojnë përgjigje për çdo shqetësim të ngritur nga besimtarët.

Disa nga këta predikues, por edhe politikanë, shfrytëzojnë këtë situatë të favorshme për të propaguar ide ekstremiste, e ndonjëherë edhe të dhunshme. Këta shërbehen me një ligjërim fetaro-ideologjik që është absolutist, përjashtues e jotolerant, sektar, e politik – e kohëve të fundit – me tendenca të sfidohet karakteri shekullar i shtetit, që tek ne propagon një nga interpretimet më literaliste e sipërfaqësore të teksteve e traditës fetare islame.

Në varësi se si e pranojnë besimtarët këtë ligjërim nga predikuesit dhe sa seriozisht i marrin këto mësime, një ligjërim i tillë mund të prodhojë besimtarë me ide e qëndrime ekstremiste, e në varësi prej rrethanave të tjera psiko-sociale e ekonomike, edhe mund të radikalizojë pjesëtarë të caktuar të komunitetit të besimtarëve.

Autoritetet fetare Islame nga Bashkësia Islame e Kosovës, edhe ato vetë të zhytura në menaxhim jo transparent e keqmenaxhim të institucioneve fetare dhe fondeve të tyre, e madje në veprime korruptive, kanë shkëputur lidhjen me komunitetin e besimtarëve duke reduktuar aktivitetet e tyre në ceremoni fetare e mortore dhe nuk kanë bërë pothuajse asgjëpër të zhvilluar interpretime alternative që do t’u jepnin përgjigje çështjeve e shqetësimeve të ngritura viteve të fundit.

Zatën, këta predikuesit fetarë që propagojnë interpretimet fundamentaliste janë popullarizuar pikërisht në kontekst të kësaj letargjie të Bashkësisë Islame dhe vetizolimit të saj nga çështjet e komunitetit.

Kontribuesit

Këto pra mendoj se janë shkaqet e drejtpërdrejta të shfaqjes së ideologjive ekstremiste. Mirëpo, këta prijës e këtyre ideologjive dhe ithtarët e tyre mund të radikalizohen edhe si pasojë e reagimeve të aparatit shtetëror të dhunës që po hedhin benzin në zjarr me ndjekje e arrestime të ndikuara nga politika e të kryera me bujë.

Është e kuptueshme se ky reagim i autoriteve shtetërore nxitet nga kërkesat e doktrinës së “luftës kundër terrorizmit ndërkombëtar” (për të cilin nuk ka një pajtim të gjerë tek shoqëritë demokratike dhe bashkësia ndërkombëtare, e as që është treguar efikase si doktrinë).

Të kujtojmë se arrestimet janë kryer jo shumë kohë pas botimit të Raportit të Departamentit të Shtetit Amerikan për Liritë Fetare për vitin 2013 në Kosovë ku përmenden imamë me prirje ekstremiste prej të cilëve dy janë arrestuar.

Të kujtojmë gjithashtu, se vetëm dy ditë para arrestimeve të 17 shtatorit është mbajtur takimi me drejtues të institucioneve të sigurisë në Kosovë ku morën pjesë Presidentja dhe Kryeministri i vendit.

Këto arrestime u përshëndetën nga zyrtarë të lartë shtetërorë dhe përfaqësues diplomatikë në vend. Vetëm disa ditë më pas mbahet mbledhja e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së ku Presidentja e vendit do të informonte për masat ligjore e të sigurisë që Kosova po ndërmerr në luftën kundër “radikalizmit dhe terrorizmit ndërkombëtar” – qysh tjetër pos që – duke arrestuar “klerikë radikalë”.

Vetëm pak ditë ditë pas kësaj deklarate, më 25 shtator dy prej imamëve të arrestuar lirohen të mbrohen në liri nga prokurori për mungesë provash.

Kjo kronologji e ngjarjeve që i kanë paraprirë arrestimeve të 17 shtatorit dhe ato ngjarje që kanë pasuar, japin arsye të forta për të dyshuar në ndikimin politik, nga jashtë e brenda, në këtë proces.

Kjo ndërhyrje e politikës vetëm po ndihmon të humbet besimi (edhe ashtu i ulët) në sistemin e drejtësisë ndërsa prijësit fetarë e ideologjikë legjitimohen si udhëheqës të kauzave të drejta.

Kundëreagimi ekstremist i prijësve fetarë nxitet edhe nga trajtimi i pabarabartë që sistemi i drejtësisë po bën ndaj prijësve fetarë – të akuzuar për shpërlarje parash, nxitje të urrejtjes, e të ekstremizmit ose terrorizmit – në raport me krimin në nivelet e larta të shtetit dhe kërcënimin e rendit kushtetues nga ana e grupeve e kategorive të tjera politike e fetare.

Përkundër dyshimeve të ngritura nga agjenci të ndryshme (shembujt janë të shumtë e të njohur), ne nuk kemi parë mjaft arrestime, e as ndëshkime meritore të politikanëve e biznesmenëve për shpërlarje parash, korrupsion, e gjuhë të urrejtjes.

Reagim ekstremist nxitet edhe si pasojë e trajtimit të pabarabartë të komunitetit mysliman në raport me komunitetet e tjera fetare dhe jo fetare (në veçanti në krahasim me atë ortodoks) në ligjërim publik: Islami si ideologji, por edhe si fe targetohet shpeshherë në sferën publike – foltore të organeve shtetërore, e të politikanëve, në media, etj. – por edhe në veprime e sanksione konkrete (si kjo e ndalimit të shamisë në shkolla).

Sado që kjo mund të tingëllojë si një përfundim i ngutshëm, atëherë të mendojmë se nëse do të trajtohej një fe a organizatë fetare ose jo-fetare tjetër në të njëjtën mënyrë siç trajtohet Islami si fe dhe si ideologji, nuk do të mund të kalonte pa u qortuar nga mbrojtës të tëdrejtave të besimit, të njeriut, e të komuniteteve.

Mendoj se, duke e parë këtë rreshtim të organeve të shtetit për të trajtuar qytetarët dhe bindjet (fetare në këtë rast) në mënyrë të pabarabartë, organizatat e shoqërisë civile – si mbrojtëse nga ndërhyrja shtetërore në secilin segment të jetës shoqërore – ishte dashur me e ngritë zërin për hir të mbrojtjes së lirisë së shprehjes e besimit, paanësisë së shtetit, dhe mbrojtjes së qytetarit nga gjykatat e politizuara, pavarësisht nëse kjo ka të bëjë drejtpërsëdrejti me këto organizata dhe me diçka që atyre u pëlqen.

Gjithashtu, nxitës është edhe trajtimi në ligjërimin publik që u bëhet personave fetarë që kryejnë ritualet e ndjekin një standard fetar të pamjes së jashtme (në veshje, mjekër, sjellje e të folur) duke mos bërë dallim mes tyre dhe radikalëve që mund apo nuk mund të duken njësoj.

Një nga shembujt e kësaj është barazimi i personit që bart mjekër të gjatëpër motive fetare me “islamistin radikal”. Ky thjeshtëzim e demonizim është i padrejtë, por edhe i rrezikshëm. Duke i “futur të gjithë në një thes” vetëm mund t’i radikalizojë të parët duke i homogjenizuar këto kategori.

Si të adresohet ?

Mënyra se si organet e shtetit dhe mediat po i adresohen kërcënimit – ndonjëherë real e ndonjëherë të përfytyruar – të radikalizimit islam, në vend se të zgjidh probleme, rrezikon të sjellë më shumë telashe.

Kjo çështje duhet adresuar në mënyrë të menduar, duke identifikuar rrethanat e gjetur shkaqet e saj, e të mos kërkohet zgjidhja aty nuk është problemi. Duke krijuar një karikaturë të “radikalistit” a “ekstremistit” islam, e më pas duke demonizuar e akuzuar njerëz pa të drejtë, nuk po shihen shkaqet më të drejtpërdrejta të kësaj dukurie.

Radikalizimi nuk pengohet duke vënë në shënjestër individ e grupe që dikujt mund të mos i pëlqejnë për mënyrën se si duken e çfarë flasin e as demonizimi e trajtimi i tyre ndryshe nga pjesa tjetër e shoqërisë. Kjo vetëm mund të prodhojë më shumë ekstremizëm.

Lufta kundër ekstremizmit e fundamentalizmit është luftë ideshë. Nëse këtu dështohet, lufta është humbur.

Në përgjithësi duhet hartuar politika arsimore, ekonomike e mediale që të edukojm qytetarë në frymë të lirisë politike e shoqërore, barazisë dhe mendimit kritik.

Në veçanti, duhet hartuar politika konkrete qeveritare por lypset edhe angazhim i segmenteve nga jeta kulturore, akademike, fetare e mediale që do të analizonin e pengonin zhvillimin e ekstremizmit e jo konstatime të thjeshtëzuara nga zyrtarë të qeverisë për profilet e radikalistëve që mund të shndërrohen në profeci vetëpërmbushëse.

 

17 Prill 2015 - 13:17

Gëzim Selaci 17/04/2015 - 13:17
NDËRVEPRIMI0

Burimet e radikalizimit islam

by Gazeta JNK
NA NDIQNI

Send this to a friend