Arben Frroku, i denuar me burgim te perjetshem nga Apeli per vrasjen e Dritan Lamajt. Fotot: LSA

I Dënuar me Burgim të Përjetshëm, Arben Frroku e Çon Dosjen në Kushtetuese

Biznesmeni Arben Frroku i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e ish-kryekomisarit Dritan Lamaj, përmes avokatëve të tij në Shqipëri i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me qëllim për ta rikthyer çështjen në gjykim, ndërsa pritet vendimi i drejtësisë holandeze për esktradimin e tij.

Mbrojtësit ligjorë të Frrokut thonë se klientit të tyre i janë mohuar të drejtat, pasi Gjykata e Lartë refuzoi të merrte në shqyrtim dosjen, duke lënë në fuqi vendimin e Apelit që e shpalli atë fajtor.

Në kërkesën e dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese, avokatët thonë se Arben Frrokut gjatë fazës së gjykimit i janë shkelur të drejtat pasi në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda ai është paragjykuar.

I kontaktuar në telefon nga BIRN avokati Tonin Prendi pasi konfirmoi dërgimin e dosjes në gjykatë tha se ka çuar në Gjykatën Kushtetuese vendimin e datës 8 qershor 2017 të Gjykatës së Lartë, e cila në Dhomë Këshillimi refuzoi të kalonte dosjen për shqyrtim.

“Po sigurisht që i jemi drejtuar Gjykatës së Lartë, pasi klientit tim i është hequr e drejta kushtettuese për t’u gjykuar. Ne kërkrkojmë nga Gjykata Kushtetuese që çështja të rikthehet në Gjykatën e Lartë dhe të gjykohet, pasi kemi një vendim dënimi ekstrem, siç është ai i burgimit të përjetshëm. Sipas kushtetutës çdo qytetar ka të drejtën e një gjykimi të drejtë, dhe kjo duhet të garantohet”, tha avokati Tonin Prendi.

I pyetur nga BIRN se në çfarë faze janë procedurat e ekstradimit të Arben Frrokut nga Holanda në drejtim të Shqipërisë, Prendi sqaroi se çështja pret gjykimin në Gjykatën e Lartë Holandeze. “Pak ditë më parë ne si avokatë të tij në Shqipëri, i dërguam disa dokumente avokatit të Frrokut në Holandë, pasi nevojiteshin për procesin gjyqësor aty”, nënvizoi Prendi.

Arben Frroku është dënuar si autor i vrasjes së komisarit Dritan Lamaj më 24 shkurt 2013. Biznesmeni Frroku, njëherazi ish-kryetar i një partie politike që u drejtua më pas nga i vëllai, Mark Frroku mohoi autorësinë gjatë procesit, duke përdorur si alibi udhëtimin e tij drejt Greqisë. Avokati i tij pretendoi se Frroku ndodhej në afërsi të Elbasanit, në momentin kur ndodhi vrasja.

Megjithatë, Prokuroria përmes një eksperimenti policor, pretendoi se koha ishte e mjaftueshme për Frrokun që të kryente vrasjen dhe të mbërrinte në pikën kufitare në momentin e treguar nga kamerat.

Në anën tjetër, Prokuroria siguroi dëshminë e një personi, i cili përfitoi më pas statusin e mbrojtjes. Dëshmitari okular me emrin e koduar Arben Ndoka pohoi në Gjykatë se e kishte parë Frrokun pa maskë, në makinën prej nga u qëllua Lamaj.

Në Gjykatën e Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda Arben Frroku u shpall i pafajshëm më 3 prill 2015, por ai u dënua në Apel më 29 qershor 2015. Vetëm se pak ditë para se të merrej vendimi Frroku  u arratis nga Shqipëria. Largimi i tij nga vendi u shoqërua me polemika të ashpra politike. Partia Demokratike në opozitë akuzoi ish-ministrin e Brendshëm Sajmir Tahiri se kishte favorizuar në largimin e të dënuarit për vrasje.

Frroku u arrestua  në Holandë në prill 2016 pasi u identifikua nga gjurmët e gishtave. Ai jetonte me dokumente të falsifikuara nën emrin “Renato Tsepa” dhe prokuroria filloi procedurat për ekstradimin e tij.