Qeveria

foto; Denis Sllovinja

Të hyrat dhe shpenzimet qeveritare ‘shtyhen’ me njëra-tjetrën

Të dhënat e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), bëjnë të ditur se të hyrat dhe shpenzimet në tremujorin e dytë të sivjetmë, ishin më të larta se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Në këta tre muaj, Kosova më shumë të hyra mblodhi nga tatimet në produkte, ndërsa më shumë shpenzoi në kompensimin e punëtorëve dhe kontribute sociale.

Gjithsej të hyrat e përgjithshme  për tre muajt prill-qershor 2021 ishin 660 milion euro, ndërsa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, të hyrat ishin 587.2 milion euro.

Sipas ASK-së, pjesën më të madhe të të hyrave e përbëjnë tatimet në produkte, të cilat paraqesin 59.9 për qind nga totali i të hyrave, ndërsa pjesa e mbetur është shpërndarë në kategori të tjera të të hyrave.

Në anën tjetër për të njëjtën periudhë, gjithsej shpenzimet e Qeverisë së përgjithshme ishin 505.9 milion euro, ndërsa shpenzimet në tremujorin e dytë të 2020-ës ishin 534.9 milion euro.

Pjesën më të madhe të shpenzimeve e përbëjnë: kompensimi i punëtorëve 32.1 për qind; kontributet sociale dhe përfitimet 27.3 për qind; konsumi i ndërmjetëm 15.4 për qind; formimi i kapitalit bruto 11.0 për qind; ndërsa pjesa e mbetur e shpenzimeve është shpërndarë në kategori të tjera të shpenzimeve.

Këto të dhëna Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) i bëri të ditura me publikimin e raportit “Llogaritë Qeveritare të Kosovës në bazë tremujore (TM2 2021).