Gjykata Kushtetuese refuzon kërkesën e Lirisë

Gjykata Kushtetuese ka refuzuar kërkesën e KF Lirisë, duke e shpallur si të pavlefshme.

Refuzimi i kërkesës së Lirisë, nënkupton se klubi prizrenas do të vazhdojë garimin në Kategorinë e Dytë të Kosovës në futboll apo ndryshe njihet si “Liga e Parë”.

Liria e kishte dërguar në Gjykaten Kushtetuese vendimin e Komitetit Ekzekutiv të FFK-së të 2 qershorit, për të mos i vazhduar garat në Kategorinë e Dytë në sezonin e kaluar, e duke e marrë renditjen deri në atë moment si përfundimtare.

Klubi prizrenas mbeti në kategorinë e dytë dhe ishte ankuar me pretekst se ka qenë vendim diskriminues nga FFK-ja që të vazhdohen garat në Superligë e të ndalohen në kategoritë tjera.

“Kolegji shqyrtues propozoi që, në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, me nenet 20 dhe 47 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe me rregullin 39 (1) (b) të Rregullores së punës, kërkesa të shpallet e pavleshme”, është thënë në aktvendimin e Kushtetueses.