Një në gjashtë persona vuan nga dhimbja e kokës sot në botë

Një studim zbulon se 7% e popullsisë globale përjeton migrenë dhe 9% një dhimbje koke të tipit tension në çdo ditë.

Pothuajse një në gjashtë njerëz në mbarë botën kanë dhimbje koke në çdo ditë të caktuar, me rreth gjysmën prej tyre që përjetojnë migrenë, kanë zbuluar studiuesit.

Çrregullimet e dhimbjes së kokës mund të jenë të dhimbshme dhe dobësuese dhe kanë një mori shkaqesh, nga stresi deri te përdorimi i tepërt i medikamenteve të tilla si qetësuesit. Tani një rishikim në shkallë të gjerë ka nxjerrë në pah se sa të zakonshme janë kushte të tilla.

“Dhimbjet e kokës janë me të vërtetë çrregullime të shpeshta [dhe] shumë të përhapura në të gjitha vendet – edhe pse mund të ketë dallime”, tha Prof Lars Jacob Stovner, autori i parë i hulumtimit nga Universiteti Norvegjez i Shkencës dhe Teknologjisë.

Stovner dhe kolegët kanë identifikuar 357 studime të botuara midis 1961 dhe 2020. Ndërkohë që këto studime mbulonin vende të ndryshme, periudha të ndryshme kohore dhe shpesh përdornin qasje të ndryshme, ekipi ishte në gjendje të analizonte të dhënat për ta eksploruar mbizotërimin e çrregullimeve të dhimbjes së kokës në mbarë botën.

Rezultatet, të publikuara në ‘Journal of Headache and Pain’, sugjerojnë se më shumë se gjysma e popullsisë së botës, rreth 52% – kanë një çrregullim aktiv të dhimbjes së kokës, që zakonisht përshkruhet si një lloj dhimbje koke gjatë vitit të kaluar.

Një analizë e mëtejshme ka zbuluar se vetëm më pak se 16% e njerëzve në mbarë botën kishin një dhimbje koke në çdo ditë të caktuar. Ndërsa shumë nga studimet nuk e raportuan llojin e dhimbjes së kokës, ato që e kanë bërë raportimin kanë sugjeruar se rreth 7% e popullsisë globale përjetojnë migrenë në çdo ditë të caktuar dhe pothuajse 9% përjetojnë një dhimbje koke të tipit tension.

Rishikimi gjithashtu theksoi se mbizotërimi i çrregullimeve të dhimbjes së kokës ndryshonte sipas gjinisë, me 17% të grave të prekura nga migrena në një vit të caktuar, krahasuar me 8.6% të meshkujve.

Dhimbjet e kokës për 15 ose më shumë ditë në muaj ishin gjithashtu shumë më të zakonshme tek gratë.

Stovner tha se gjetjet e përgjithshme përputhen me vlerësimet e mëparshme të prevalencës së dhimbjes së kokës, duke përfshirë studimin e Barrës Globale të Sëmundjeve (Global Burden of Disease).

Megjithatë, studimi sugjeron se migrena mund të jetë bërë më e zakonshme që nga rishikimi i fundit nga ana e ekipit në vitin 2007 – një gjetje që autorët vërejnë se nuk është përfundimtare, pasi mund të jetë për shkak të faktorëve të tillë si, për shembull, pyetësorët më të ndjeshëm diagnostikues.

Ata shtojnë se dallimet e dukshme midis vendeve janë gjithashtu spekulative pasi gjetjet mund të varen nga mënyra se si kryhen studimet.

Ekipi i Stovner zbuloi më parë se migrena ishte shkaku kryesor i paaftësisë për moshën nën 50 vjeç.

“Shumë dhimbje të tjera në trup, shtohen kur i afrohemi pensionit. Por migrena dhe dhimbja e kokës janë më të përhapura në vitet më aktive”, tha Stovner, i cili punon me Fushata Globale kundër Dhimbjes së Kokës )Global Campaign against Headache).

Stovner shtoi se çrregullimet e dhimbjes së kokës mund të shkaktohen nga faktorë të shumtë, nga gjenetika e një individi tek stresi, problemet e gjumit dhe përdorimi i tepërt i ilaçeve, duke shtuar se opsionet janë të disponueshme për të parandaluar çrregullimet e dhimbjes së kokës ose për t’i trajtuar ato kur ato ndodhin.

“Kjo është diçka që shërbimet shëndetësore duhet ta marrin seriozisht. Ne duhet ta informojmë publikun, vendimmarrësit, shërbimet shëndetësore… për këtë problem shumë të madh të shëndetit publik”, tha ai.

Peter Goadsby, profesor i neurologjisë në King’s College në Londër dhe ekspert mbi migrenën, i cili nuk ishte i përfshirë në hulumtim, tha se kushte të tilla si migrena ishin paaftësuese dhe të tmerrshme për ata që i përjetojnë ato, duke shtuar se duhet të kishte jo vetëm më shumë njohje të dhimbjes së kokës por edhe veprim.

“Ne kemi nevojë për më shumë trajtime dhe, sinqerisht, Evropa thjesht ka nevojë për trajtimet që tani janë të disponueshme në SHBA si fillim,” tha ai, duke shtuar se duhet të ketë gjithashtu investime në kërkime.

“Investimi i këshillit kërkimor është për të ardhur keq dhe i turpshëm kur mendon se janë migrenuesit ata që [janë] një pjesë e mirë e taksapaguesve aktual.”/The Guardian