Foto: Fulham/ Facebook

Zyrtare: Claudio Ranieri emërohet trajner i Fulhamit

Skuadra angleze Fulham sot ka zyrtarizuar trajnerin e ri, e ai është Claudio Ranieri i cili do ta zëvëndësojë trajnerin e shkarkuar Slavisa Jokanovic.

Ranieri u emërua trajner i Fulhamit, pasi skuadra angleze në 12 xhiro deri më tani ka grumbulluar vetëm 5 pikë, duke e fituar vetëm një ndeshje dhe duke barazuar dy herë, kurse ka pësuar nëntë humbje. Kjo i detyroi drejtuesit e klubit ta shkarkojnë Slavisa Jokanovicin.

Ranieri ka thënë se është kënaqësi që do ta drejtojë një klub si Fulhami i cili ka traditë dhe histori.

Ndërsa presidenti i Fulhamit e ka falënderuar trajnerin Jakonovic për kontributin e dhënë deri më tani në Fulham.

Claudio Ranieri mbahet mend për fitimin e Premierligës në vitin 2016 me skuadrën e Leicesterit.

Ranieri do të debutojë me 24 nëntor ndaj Southamptonit, ku edhe do ta ketë provën e parë me skuadrën e tij të re, Fulhamin.