Ilustrim - Foto: KALLXO.com

Plagosja në Pejë, detaje nga dosja e Prokurorisë

Në një incident që ka ndodhur mbrëmë në Pejë ishte plagosur me dy plumba Sezair Belegu.

Për këtë rast është arrestuar i dyshuari Bashkim Racaj, ndaj të cilit Prokuroria po kërkon paraburgimin.

Sipas dosjes së Prokurorisë, i pandehuri më të dëmtuarin ishin takuar atë ditë, ku i dëmtuari i ishte drejtuar atij me fjalët “A don me votu në këto zgjedhje për Gazmendin e LDK-së?”, ndërsa i pandehuri i është drejtuar me fjalët “Ti e din se unë nuk e ndërroj askënd përveç Ramush Haradinaj”.

Pastaj, sipas hetimeve, i pandehuri nuk është ndier mirë për shkak të fjalëve që ia kishte thënë i dëmtuari, duke marrë kështu armën dhe niset për te lokali i të dëmtuarit, ku njëherë gjuan në ajër e më pas gjuan dy herë në drejtim të të dëmtuarit duke e plagosur në shpinë.

I dyshuari pastaj është larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa kalimtarët e rastit e kanë dërguar të dëmtuarin në Spital.

Ndërsa mbrojtësi i të pandehurit Racaj, avokati Asdren  Mekaj, tha se, sipas klientit të tij, ai asnjëherë nuk ka pasur problem me viktimën, por përkundrazi ka deklaruar se ky i fundit i ka ndihmuar në rregullimin e shtëpisë.

“Meqenëse jemi në një fazë të hershme të hetimit, nuk mund të jap shumë detaje, por gjatë intervistimit dhe në bazë të deklarimeve dhe gjestikulacionit se të mbrojturit tim, ekziston dyshimi se ai ka çrregullim mendor”, tha avokati.

Mekaj shtoi se në seancën dëgjimore të paraburgimit është propozuar që i dyshuari të dërgohet për ekzaminim psikiatrik.