Letërnjoftimi i Serbisë si provë, temë në gjykimin e Granit Elshanit

Granit Elshani ka dalë sot para gjykatës për të dhënë versionin e tij lidhur me akuzën për incidentin e janarit të vitit 2010, në njërën nga diskotekat e Pejës.

Mbi Elshanin rëndojnë akuzat për një gjuajtje me armë brenda diskotekës që la tre të plagosur dhe një të vdekur.

Besart Shabi ishte vrarë ndërsa tre persona të tjerë përfshirë policin Hasan Buçaj dhe qytetarët Valdet Kelmendi dhe Arta Bardhi ishin plagosur në këtë përballje publike në mes familjeve Elshani e Kelmendi.

Gjykimi filloi me kundërshtime nga ana e mbrojtjes e prokurorisë lidhur me një letërnjoftim të të akuzuarit Elshani të lëshuar nga autoritetet serbe.

Letërnjoftimi i propozuar nga mbrojtja si provë, u kundërshtua nga prokurori Afrim Shefkiu.

“Letërnjoftimi është lëshuar nga ana e organit inkompetent e që fatmirësisht i kemi pasë dhe i kemi organet legjitime të Kosovës”, tha Shefkiu.

Trupi gjykues me kryetar gjykatësin Sylë Lokaj aprovoi si provë letërnjoftimin në fjalë.

Gjykimi vazhdon me mbrojtjen e të akuzuarit.

I pyetur se a është fajtor, Elshani u deklarua “Jo zoti gjykatës me pas qenë fajtor, a po mendoni se isha ardhë unë a?”.

Sipas aktakuzës për rastin e ndodhur natën e 2 janarit 2010 në diskotekën “City Club”, pretendohet se i akuzuari Granit Elshani kishte hyrë në këtë diskotekë dhe me dy revole të tipit “TT” kishte filluar të shtinte në drejtim të tani të ndjerit Besart Shabi dhe Valdet Kelmendi.

Siç përshkruhet në aktakuzë, natën kritike Granit Elshani shënjestër të vrasjes kishte anëtarin familjes Kelmendi, Valdetin, por ishte plagosur Besart Shabi që kishte qëlluar afër tij.

Prokuroria Speciale pretendon se në konfliktin në mes dy familjeve janë kryer 29 sulme të cilat kanë rezultuar me 23 të vrarë – 10 pjesëtarë të familjes Kelmendi, tre të familjes Elshani dhe dhjetë viktima të rastit. Në mesin e të vrarëve janë edhe dy fëmijë.