
Ilustrim
Gjakovë, aktakuzë ndaj dy policëve për rrahjen e një qytetari
Prokuroria e Gjakovës ka ngritur një aktakuzë ndaj dy zyrtarëve policor për veprën penale keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike si dhe për veprën penale të lëndimit të lehtë trupor.
KALLXO.com mëson se aktakuza është ngritur ndaj zyrtarëve Argjend Qehaja dhe Shkumbim Juniku.
Prokuroria pretendon se në nëntor të vitit 2019, që ty dy në cilësinë e personave zyrtar kishin keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare dhe në bashkëkryerje kanë keqtrajtuar të dëmtuarin Prenk Domgjoni, të cilin e kishin ndalur për shqiptimin e një gjobe.
Sipas aktakuzës të siguruar nga KALLXO.com, dy të pandehurit e kishin ndalur të dëmtuarin Prenk Domgjoni për t’i shqiptuar gjobën për shkak të xhamave të zeza dhe mosvënies së rripit të sigurisë.
Aktakuza shpjegon se pas shqiptimit të gjobës, i dëmtuari iu kishte treguar se xhamat e zeza i ka të shënuara në librezë apo dokumentacion të veturës, mirëpo pas kësaj kishte reaguar i pandehuri Argjend Qehaja duke i thënë të dëmtuarit “unë shënoj çka të dua”.
Pas kësaj, siç thuhet në aktakuzë, i dëmtuari Prenk Domgjoni i kthehet me fjalët “ti qenke frajer, a po ma bën për inati apo çka”, me këtë fjalë revoltohet i pandehuri Argjend Qehaja dhe të dëmtuarin Prenk Domgjoni e kap për krahun e majtë dhe e nxjerr me forcë nga vetura.
Në aktakuzë thuhet se pas nxjerrjes nga vetura, i pandehuri Argjend Qehaja e kishte goditur me shuplaka duke e kapur për fyti, ku më pas kishte ndërhyrë edhe i pandehuri Shkumbim Juniku, i cili ia kishte dredhur duart duke e goditur me grushte në kokë e në brinjë dhe pasi që e kishte prangosur e kishte goditur me shqelma në këmbë, derisa e kishin futur në veturë.